VIDEO/ Njihuni me djalin me flokë blu që po shkatërron politikën gjermane

VIDEO/ Njihuni me djalin me flokë blu që po shkatërron politikën gjermane

19:33, 04/06/2019

Ishte data 18 maj dhe zgjedhjet europiane ishin në prag në Gjermani.

Atëherë kur frika më e madhe ishte se ndoshta populistët e AfD do shënonin rezultat surprizë, një video nisi të qarkullonte me shpejtësi në rrjetet sociale.

Rezo, një vloger i njohur në YouTube, duke përdorur kanalin e tij të dytë, bëri thirrje që të mos votohej CDU/CSU dhe partia tjetër e koalicionit të madh, SPD.

Madje tha se CDU duhet shkatërruar.

Partitë tradicionale nuk e morën seriozisht djaloshin, që në 55 minuta video publikoi plot 247 referenca për keqqeverisjen e partive më të mëdha në vend.

Shqetësimi më i madh i të riut të diplomuar për shkencë në Universitetin Teknik të Dortmundit: CDU/CSU nuk kanë bërë asgjë për çështjet e mjedisit dhe për ngrohjen globale.

Ajo që pasoi ishte një tërmet i vërtet. Rezo ia doli pak ditë më vonë të mobilizonte më shumë se 80 YouTubera të njohur në krah të kauzës së tij.

Aq i madh ishte impakti, sa në zgjedhjet europiane, Të Gjelbrit kapërcyen në vend të dytë, duke shkaktuar një krizë në koalicionin e madh gjerman. Socialdemokratët e SPD kaluan të tretët dhe tashmë rrezikojnë edhe të zhduken nga politika.

Tërmeti nuk po ndalet dhe sondazhet më të fundit tregojnë se për herë të parë në histori, partia e parë në sondazhe janë Të Gjelbrit me 27 përqind të votave, ndërsa në vend të dytë janë CDU/CSU me 26 përqind.

Zemërimi i të djathtëve në Gjermani me vlogerin Rezo ishte i madh, sa kryetarja e CDU, pasuesja e Angela Merkel, Annegret Kramp-Karrenbauer u shpreh se kërkon të rregullohen opinionet politike që shprehen në internet. Qëndrimi i saj vetëm sa i hodhi benzinë zjarrit dhe tashmë kuotat e saj janë ulur ndjeshëm.

 ‘Vala e Gjelbër’ që ka përfshirë Gjermaninë ka befasuar studiesit e politikës, ndërsa në qarqet e ngushta thuhet se zgjedhjet e parakohshme mund të jenë në prag.

Rënia e kancelares Angela Merkel duket e pashmangshme, kurse e ardhmja për politikën gjermane është e mbushur me shumë pikëpyetje.

Paraditen e së martës u provua se kjo valë nuk do ndalet, pasi në Bundestag, një grup të rinjsh shkaktuan trazira duke u shtrirë si të vdekur m’u përpara postit të kreut të parlamentit si protestë për klimën.

Ajo tregoi se ndonjëherë mjafton një vloger i vetëm për të nxitur një tërmet.

Në këtë rast ishte një ‘peshkop’ i rritur në familje pastorësh, që simbolin e tij ka kitarën.

Dhe flokët ngjyrë blu. /Mapo.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco