VIDEO/ Si ra në kurth zv/kancelari austriak, si e joshi atë, vajza ruse me fustan të zi

VIDEO/ Si ra në kurth zv/kancelari austriak, si e joshi atë, vajza ruse me fustan të zi

11:28, 24/05/2019
A+ Aa A-

Ishte një natë e ngrohtë vere, në një vilë luksoze në Ibiza.

Për darkë, kishte ‘carpaccio’ me ‘sea bass’ dhe ‘tuna tartare’, shoqëruar me shampanjë, vodka dhe shumë Red Bull, një nga pijet e preferuara të politikanit ekstrem të djathtë austriak Heinz-Kristian Shtrahe.

Ai kishte shkuar në një vilë për të takuar një grua elegante me një fustan të zi dhe me taka të larta, e cila i kishte thënë se ishte Alyona Makarova, mbesa e pasur e oligarkut rus Igor Makarov.

Shtrahe ishte i ngazëllyer jo vetëm për shkak të gruas që do të takonte, të cilën e përshkroi si një grua seksi, por edhe për shkak të propozimeve të saj për të mbështetur partinë e tij të së djathtës ekstreme, në këmbim të marrëveshjeve të dyshimta.

Por ajo që ish- zv/kancelaria austriak nuk dinte ishte fakti se Makarov nuk ka mbesë.

E gjithë ajo mbrëmje e korrikut të vitit 2017, u shoqërua me lëvizje me vetura të shtrenjta, me ‘Mercedes Maybach’ dhe ‘BMW M4’, në fakt ishte një kurth i paramenduar mirë nga ata që e ngritën, e në të cilin Shtrahe ra kokë e këmbë.

E gjithë ajo mbrëmje u filmua fshehurazi, në atë që duket të ketë qenë një operacion i financuar dhe i përpunuar mirë.

Javën e kaluar ky filmim u botua nga dy gazeta gjermane.

Kamerat e fshehura dhe mikrofonat ishin instaluar në çelësin e dritës dhe në një aparat ku karikohen telefonat celular në vilë.

Mikrofona ‘regjistruan pothuajse çdo fjalë që u tha’ gjatë takimit që zgjati pothuajse shtatë orë.

Videoskandali i ‘Ibiza-gate’ pasojë jo vetëm me dorëheqjen e z. Shtrahe nga posti i zëvendëskancelarit, por edhe me rënien e qeverisë së koalicionit austriak, i përbërë nga Partia e Lirisë dhe konservatorët e udhëhequr nga kancelari Sebastian Kurz.

Kush fshihej pas kurthit të video-skandalit?

Në Austri ka shumë spekulime, por nuk ka përgjigje konkrete.

As dy gazetat gjermane që publikuan lajmin, Suddeutsche Zeitung dhe Der Spiegel, nuk e kanë zbuluar ende se kush e solli videon në redaksinë e tyre.

Në fjalimin e tij të dorëheqjes, Shtrahe tha se ai kishte qenë viktimë e ‘një sulmi të qëllimshëm politik’. Videoja, tha ai, ishte ‘një kurth mjalti, i drejtuar nga agjencitë e inteligjencës’.

Por ai nuk specifikon se tek të cilat shërbime sekrete dyshonte.

A mund të jetë e përfshirë Rusia?

Ka spekulime se kjo video mund të jetë orkestruar nga Rusia, nisur nga fakti se gruaja protagoniste ishte paraqitur si mbesa e një oligarku rus.

Megjithatë Kremlini ka mohuar se ka lidhje me videon në fjalë.

Analistët thonë se nëse Rusia do të kishte lidhje me këtë video kjo do të ishte e çuditshme, pasi ata tradicionalisht kanë marrëdhënie të forta dhe të përzemërta me Partinë e Lirisë, e mbi të gjitha, ka një marrëveshje bashkëpunimi edhe me partine e Presidentit Vladimir Putin.

Kritikës sugjerojnë se mund të ketë qenë frika e ndikimit rus në politikën austriake dhe evropiane që nxiti kurthin dhe publikimin e videos, pak përpara zgjedhjeve evropiane në të cilat partitë nacionaliste pritet të fitojnë.

Marrë nga BBC-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco