Donald Trump vlerëson Viktor Orban: Ka bërë gjënë e duhur mbi emigracionin

Donald Trump vlerëson Viktor Orban: Ka bërë gjënë e duhur mbi emigracionin

01:38, 14/05/2019
A+ Aa A-

Presidenti i SHBA, Donald Trump u takua me kryeministrin hungarez Viktor Orban të hënën - vizita e parë në Shtëpinë e Bardhë e udhëheqësit që ka nxitur mjaft polemika, që kur ai u rikthye në pushtet në vitin 2010.

Victor Orban, kryeministër i Hungarisë në vitet 1998-2002 dhe përsëri që nga viti 2010, është kritikuar nga Bashkimi Evropian, anëtar i të cilit është Hungaria, si dhe nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, për një rënieje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në vendin e tij.

Duke folur pranë homologut të tij hungarez të hënën në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump përshëndeti politikat e emigracionit të vijës së ashpër të kryeministrit hungarez, të cilat janë kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut në mbarë botën, duke thënë se Orban ka "bërë gjënë e duhur" mbi imigracionin. 

"Ai është ... ndoshta, si unë, pak i diskutueshëm, por kjo është në rregull," tha Trump.

I ulur pranë presidentit Trump, zoti Orban u tha gazetarëve të hënën se Hungaria është "krenare të qëndrojë me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër imigracionit të paligjshëm". 

Të dy udhëheqësit thanë se bisedimet duhej të përqëndroheshin në tregtinë dhe "çështjet globale politike".

Të premten, një grup senatorësh amerikanë dhe anëtarë të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë i shkruan një letër Presidentit Trump, duke i kërkuar atij të diskutojë për shqetësimin rreth "rënies së treguesve demokratikë" të Hungarisë. 

"Hungaria ka përjetuar një rënie të vazhdueshme të lirisë, sundimit të ligjit dhe cilësisë së qeverisjes sipas pothuajse çdo treguesi", thuhet në letër.

Në mesin e këtyre treguesve është emërtimi "pjesërisht i lirë" që i është dhënë Hungarisë në Indeksin e Fondacionit të Heritage për Lirinë Ekonomike - vendi i parë në Bashkimin Evropian që përjeton një rënie të tillë. 

"Qeveria hungareze nuk respekton sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut", shkruan organizata Human Rights Watch në profilin e tanishëm të Hungarisë. "Përfaqësuesit e qeverisë janë gjithnjë e më armiqësore ndaj gazetarëve dhe kritikëve dhe angazhohen në retorikë anti-migrante, anti-myslimane dhe ksenofobe, duke përfshirë edhe fushatat e financuara nga shteti".

Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur letrës së anëtarëve të Kongresit amerikan, që shprehin shqetësime rreth zotit Orban.

Muajin e kaluar, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë i Hungarisë, Peter Szijjarto nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, në kuadrin e ngjarjeve që shënuan 70 vjetorin e themelimit të NATO-s./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco