'Urbi et Orbi', Papa Francis vajton për sulmet ditën e Pashkëve në Sri Lanka

'Urbi et Orbi', Papa Francis vajton për sulmet ditën e Pashkëve në Sri Lanka

12:59, 21/04/2019
A+ Aa A-

Papa Françesku vajtoi sot për sulmet që u bënë ditën e Pashkëve në disa kisha dhe hotele në Sri Lanka, ku u vranë së paku 138 persona dhe u plagosën më shumë se 400 të tjerë.

“Mora, me trishtim e dhimbje, lajmin e atentateve të rënda që, pikërisht sot, ditën e Pashkëve, sollën zi e dhimbje në disa kisha e vende publike  të Sri Lankës. Dëshiroj t’i shpreh afërsinë time të përzemërt bashkësisë së krishterë, të goditur ndërsa lutej si dhe të gjitha viktimave të kësaj dhune kaq mizore”

Papa Francis i tha këto fjalë solidariteti në përfundim të lutjes së tij të Pashkëve "Urbi et Orbi" që ia drejtoi besimtarëve nga sheshi i Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë tha se sulmet e shumta ndaj kishave dhe hoteleve në Sri Lanka kishin shkaktuar hidhërim dhe pikëllim.

"Ia besoj Zotit ata, që vdiqën tragjikisht e lutem për të plagosurit dhe të gjithë ata, që vuajnë për shkak të kësaj ngjarjeje dramatike".

"Urbi et Orbi" 

Në ditët tona kjo formulë përdoret në bulat papnore dhe në dokumente të tjera të Atit të Shenjtë, si mesazhet ose bekimet drejtuar mbarë botës. Në komunikimin e përditshëm shprehja mund të përdoret me shaka për të kujtuar ndonjë lajm të thënë ose të botuar, që tashmë e ka marrë vesh “Roma e Bota!”, vëren Radio Vatikani.

‘Urbi et Orbi është bekimi i parë, që jep Papa, në çastin e zgjedhjes së tij në fronin papnor. Patëm fatin ta marrim pak ditë më parë nga Papa Françesku. Po këtë bekim, Papa e jep çdo vit ditën e Krishtlindjes e të Pashkëve, përballë turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Jepet edhe në raste të veçanta, të jashtëzakonshme.

Bekimi ‘Urbi et Orbi’, që përmban një formulë për zgjidhjen e mëkateve e ndjesën e plotë, shqiptohet në gjuhën latine ndërsa në shqip, përkthehet:

“Apostujt e Shenjtë Pjetër e Pal, mbi pushtetin dhe autoritetin e të cilëve mbështetemi, ndërmjetësofshin për ne para Zotit. Nëpër lutjet dhe meritat e Marisë gjithmonë virgjër, të të Lumit Shën Mikelit Kryeengjëll, të të Lumit Gjon Pagëzuesit, të shenjtorëve apostuj Pjetër e Pal e të të gjithë shenjtorëve, Zoti i gjithëpushtetshëm pastë mëshirë për ju, duke jua falur të gjitha mëkatet tuaja e Jezu Krishti ju përcjelltë në jetën e pasosur.

Zoti i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm ju dhëntë ndjesë, zgjidhje e falje për të gjitha mëkatet tuaja, kohë pendese të vërtetë e të frytshme, zemër gjithnjë të penduar, kthim në jetë, hir e këshillë nga Shpirti Shenjt e ngulmim të vazhdueshëm në vepra të mira.E bekimi i Hyjit të gjithëpushtetshëm, Atit e Birit e Shpirtit Shenjt zbritët përmbi ju e qoftë me ju përgjithmonë”.//SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco