FOTO/ Spot me imazhin e njeriut që ndali tanket, Leica bëhet e fundit që ‘ofendon’ Kinën

FOTO/ Spot me imazhin e njeriut që ndali tanket, Leica bëhet e fundit që ‘ofendon’ Kinën

11:13, 20/04/2019
A+ Aa A-

Kompania gjermane e prodhimit të kamerave Leica është më e reja në listën e kompanive që kanë tërhequr mbi vete kritika për shkak të një spoti publicitar që është cilësuar si ofendues në Kinë. Spoti paraqet një imazh tabu në Kinë, marrë nga protestat e vitit 1989 në sheshin Tiananmen në Pekin.

Në film shihen fotoreporterë me Leica në zona të rrezikshme kudo në botë, duke u fokusuar tek një fotograf perëndimor që përpiqet të gjejë vendin e duhur për të fotografuar të famshmin ‘Tank Man’.

Personi që edhe sot e kësaj dite nuk është identifikuar dhe quhet ‘Tank Man’ sipas emrit që i vunë tabloidët anglezë, i doli para kolonës së tankeve që ishte nisur për të shtypur me gjak protestat e studentëve në qershor të atij viti. Demonstratat u shtypën nga forcat e armatosura, me qindra e ndoshta mijëra të vrarë, por njeriu që ndali tanket u bë simboli botëror i asaj jave protestash në vendin më të madh komunist.

Kanë kaluar thuajse 30 vjet por pamjet janë ende të ndaluara në Kinë dhe spoti tërhoqi shumë kritika nga në internet. Ai mbyllet me logon e Leicas dhe fjalinë ‘Ky film u dedikohet atyre që na japin sytë e tyre për të na bërë të shohim’.

Image

Një zëdhënëse e kompanisë tha për South China Morning Post se vidoeja e prodhuar nga agjencia braziliane F/Nazca Saatchi Saatchi nuk ishte zyrtarisht e sanksionuar nga Leica, duke shtuar se kompania distancohet nga përmbajtja dhe ndjen keqardhje për çdo keqkuptim apo konkluzione false që mund të jenë nxjerrë.

Vitin e kaluar ishte Mercedes-Benz që kërkoi ndjesë pasi ‘preku ndjenjat’ e popullit kinez me publikimin në Instagram të një citati nga Dalai Lama, lideri shpirtëror i Tibetit që cilësohet si separatist nga Pekini.

Shtëpia italiane e modës Dolce & Gabbana bëri të njëjtën gjë pas një postimi në Instagram që u cilësua si ofenduas kulturalisht në Kinë.

Një website kinez i grupit të hoteleve Marriott u mbyll nga autoritetet pasi listoi Taivanin, Tibetin e Hong Kongun si vende më vete, çka kundërshtohet ashpër nga Pekini.

Marriott kërkoi ndjesë dhe ndryshoi fjalët në faqe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco