Vatikani: Historia e veçantë e katedrales së Shën Marisë së Parisit, Notre-Dame

Vatikani: Historia e veçantë e katedrales së Shën Marisë së Parisit, Notre-Dame

12:56, 16/04/2019
A+ Aa A-

Historia e Katedrales Shën Marisë së Parisit Notre-Dame është e veçantë. Ajo është një nga kryeveprat, këndej pasuritë më të mëdha botërore fetare, shpirtërore, historike, arkitektonike, artistike, një bukuri magjepsëse, një nga simbolet e krishterimit francez dhe evropian.

Nga Radio Vatikani, 16 prill 2019.

Historia e Katedrales Shën Marisë së Parisit Notre-Dame është e veçantë. Ajo është një nga kryeveprat, këndej pasuritë më të mëdha botërore fetare, shpirtërore, historike, arkitektonike, artistike, një bukuri magjepsëse, një nga simbolet e krishterimit francez dhe evropian. Notre-Dame është një nga kryeveprat e krishterimit botëror, u deshën 200 vjet për ta ndërtuar, dje në mbrëmje, mjerisht, u deshën vetëm disa orë për t’u bërë shkrumb nga zjarri. Po ky thesar botëror i pasurisë dhe historisë franceze, evropiane e botërore vazhdon të jetë simbol i padiskutueshëm. Ta përshkojmë historinë e kësaj Kishe Katedrale.

Katedralja e Shën Marisë së Parisit – Notre-Dame, e cila, mjerisht, dje në mbrëmje u  djeg nga zjarri, ngrihet në ‘Îl de la Cité’ të Sienës, dikur qe tempull galo-romak; në shekullin IV, mbi tempullin e rrënuar, u ngrit një bazilikë merovinge e mbi të, një kishë romanike. 

Punimet për ndërtimin e Katedrales së Shën Marisë filluan me nismën e ipeshkvit të Parisit, Moris de Syli. Gurin e parë e bekoi dhe e vuri në themel, më 1163, Papa Aleksandri III. Pasi u ndërtua gjithë tempulli, më në fund u kryen edhe fasada (1218) e du kullat karakteristike (1245). Një nga shembujt më të shkëlqyer të artit gotik-klasik, Katedralja është 130 metra e gjatë, 48 e gjërë, 36 e lartë nga brenda, ndërsa nga jashtë, 69 metra. Mund të zërë 6. 550 vetë. 

Katër rozonet, lule të mëdha prej guri e qelqi, me diametër trembëdhjetë metra, mbi një balaustër shtatë metrash, janë kryevepra të papërsëritshme. Lakueshmëria e plumbit u krijon vetratave mundësinë t’i bëjnë ballë erës, ndërsa struktura e fuqishme prej guri e prej hekuri e mban prej shekujsh gjithë peshën e ndërtesës. 

Sapo i afrohesh katedrales, gjëja e parë që të bie në sy, janë tre portalet: ai i veriut, kushtuar Virgjërës; qendrori, Gjyqit të mbramë, me Krishtin që vjen për të gjykuar të gjallë e të vdekur e me shtatoren e Shën Mëhillit, që shtyp nën këmbë shejtanin, si dhe portali i jugut, kushtuar Shën Anës me Krishtin.

Vjen, pastaj, galeria e mbretërve, ku mund të admirosh 28 mbretërit e Izraelit e të Judës, e sa e sa mrekulli të tjera arti, pa harruar se poshtë Katedrales është kripta më e madhe arkeologjike e Evropës, ku mund të lexosh gjithë historinë e Parisit. 

Ndërmjet relikeve të Katedrales, kujtojmë një copëz dru nga kryqi i vërtetë i Krishtit, kurorën e ferrave dhe një nga gozhdat me të cilat qe mbërthyer Krishti në kryq. Në fund të korit, një Zojë e Dhimbshme, vepër e Kostu, të kujton shpalljen e Virgjërës Mari, Pajtore e Francës nga mbreti Luigji XIII. E kjo ngjarje e madhe përkujtohet vit për vit me një procesion publik, që kremtohet më 15 gusht, festa e të Ngjiturit të Zojës në Qiell.

Shtatorja e Shën Marisë së Parisit, e shekullit XIV, mund të admirohet në jug-lindje të ndërtesës. Këtu janë varrosur tre ipeshkvij, të vrarë gjatë shekullit të kaluar: Imzot Afrë, ndërsa përpiqej të qetësonte punëtorët kryengritës (1848); Imzot Sibur, therur me thikë brenda në Katedrale (1857) dhe imzot Darbui, pushkatuar nga komunarët e Parisit (1871).

Po kujtojmë disa nga datat më të rëndësishme të historisë së Katedrales:

1229 Predikimet e Shën Dedës.
1602 Predikimet e Shën Françeskut të Sales.
1795-1802 Si plaçkitet nga revolucionarët, Katedrales i ndërrohet emri. Quhet ‘Tempulli i arsyes’ e pastaj mbyllet fare.
1831 Viktor Hygo shkruan “Notre Dame de Paris”, përkthyer në shqip me titullin ‘Shën Maria e Parisit’.
1937 Predikimet e kardinalit Eugjenio Paçeli, Papa i ardhshëm Piu XII.
1945 Mesha e ‘Te Deum’, për të falënderuar Zotin në përfundim të Luftës II Botërore, kremtuar nga kardinali Emanuel Suhar, në prani të gjeneralit Sharl De Gol.
1980 Gjatë shtegtimit të tij të parë apostolik në Francë, Gjon Pali II kremton ‘Te Deum’ (30 maj) në prani të presidentit të Republikës, Valerí Zhiskar d’ Estë, të autoriteteve më të larta e të Trupit Diplomatik; vijon, më pas Mesha në tremen e Katedrales, me ipeshkvijtë e klerin e Parisit.

14 prill 2019: shpërthimi i një zjarri të tmerrshëm e e shkatërroi një pjesë të mirë të këtij Tempulli, simbol i Francës, ikonë e krishterimit francez dhe e kulturës evropiane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco