Lajmi i fundit

Qëllohet me armë drejt makinës së një avokati në Memaliaj. Dyshimet e para

A i pret shkatërrimi, rrjetet sociale? E ardhmja e

A i pret shkatërrimi, rrjetet sociale? E ardhmja e "Silicon Valley'

10:01, 14/04/2019
A+ Aa A-

Pse këta gjigantë duhet t’i frikësohen Europës. Për të kuptuar të ardhmen e Silicon Valley, duhet të kaloni Atlantikun

“Data e lindjes së një bote të re është shumë pranë”. Që në momentin kur Thomas Paine e tha këtë shprehje në vitin 1776, Amerika e ka konsideruar veten si vendin e mundësive të reja, ndërsa kontinenti i Europës vazhdon të jetë i mbërthyer tek e kaluara, shkruan The Economist. Kjo është më se e vërtetë, veçanërisht në drejtim të industrisë së teknologjisë. Në Amerikë ndodhen 15 nga 20 firmat më të mëdha në botë të teknologjisë, ndërsa në Europë, vetëm 1.

Silicon Valley është vendi ku idetë më të zgjuara vlerësohen më së miri nga ana monetare. Amerika është vendi ku po zhvillohen debate të zjarrta në lidhje me ngadalësimin e fuqizimit të këtyre gjigantëve të teknologjisë, në mënyrë që ata të veprojnë në interes të publikut. Manjatët e teknologjisë po përballen me kufizime të shumta nga Kongresi, si pasojë e gabimeve të firmave të tyre në drejtim të privatësisë së përdoruesve.

Kështu, për shembull, Elizabeth Warren, senatorja e cila do të kandidojë për postin e Presidentes në zgjedhjet e vitit 2020, dëshiron që Facebook të mbyllet. Megjithatë, nëse doni të kuptoni se si do të jetë e ardhmja e industrisë më të fuqishme në botë, ju nuk duhet ta nisni analizën duke u përqendruar në shtete si Uashingtoni dhe Kalifornia, por nga Brukseli dhe Berlini.

Javën e kaluar, Google u gjobit me 1.7 miliardë dollarë për shkak të kufizimit të konkurrencës në tregun e reklamave. Europa, shumë shpejt, mund të miratojë ligje të reja për të drejtën e autorësisë. Spotify i është ankuar BE-së rreth abuzimeve të dyshuara të ligjeve antitrust të Apple.

Dhe, ashtu siç shpjegohet edhe në këtë artikull, BE-ja është duke prezantuar një doktrinë të veçantë të teknologjisë, e cila ka për qëllim që t’u japë individëve kontroll mbi informacionet dhe të dhënat e tyre, mbi fitimet që mund të nxjerrin prej tyre dhe është gjithashtu duke i nxitur firmat e teknologjisë që të zhvillojnë dhe rrisin konkurrencën ndërmjet tyre. Nëse kjo doktrinë funksionon, nga ajo mund të përfitojnë miliona përdorues, të nxitet rritja e ekonomisë dhe të kufizohen gjigantët e teknologjisë, fuqizimi i të cilëve po rritet por fatkeqësisht kundrejt asnjë ndenje përgjegjshmërie.

Rregullatorët perëndimorë janë përballur shpeshherë me firmat e teknologjisë mbi ligjet e antitrustit, duke përfshirë këtu IBM-në në vitet 1960 dhe Microsoft në vitet 1990. Gjigantët e sotëm të teknologjisë nuk akuzohen vetëm për kufizimin e konkurrencës, por edhe për gabime më të rënda, ku mund të përmendim destabilizimin e demokracisë (përmes keqinformimit) dhe abuzimin me të drejtat e individëve (nëpërmjet thyerjes së privatësisë).

Pyetja që të lind në këtë moment është kjo: Kush i kontrollon të dhënat? Si duhet të shpërndahen fitimet? E vetmja gjë mbi të cilën bien dakord të gjithë është se personi përgjegjës dhe ai që do të vendosë për këtë nuk mund të jetë Mark Zuckerberg, shefi i skandalit të Facebook. Shumë e shohin me dyshim idenë se mund të jetë BE-ja ajo që do të marrë drejtimin dhe do të japë përgjigjen e duhur ndaj këtyre pyetjeve.

Por, në fakt, Europa ka padyshim ndikim dhe është mbi të gjitha edhe me ide të reja. Pesë prej gjigantëve më të mëdhenj të teknologjisë, Alphabet, Amazon, Apple, Facebook dhe Microsoft, gjenerojnë mesatarisht një të katërtën e shitjeve të tyre në këtë kontinent. Dhe duke qenë se ai është edhe blloku më i madh ekonomik në botë, standardet e BE-së shpeshherë kopjohen edhe në vendet e botës në zhvillim. Përvoja e shteteve europiane në drejtim të përjetimit të diktaturës së të kaluarës, i bën ato më vigjilente ndaj ruajtjes së privatësisë. Rregullatorët e saj janë më pak të dhënë ndaj lobimit në krahasim me ata në Amerikë dhe gjykatat e saj janë më të azhurnuara ndaj ndryshimeve të fundit të ekonomisë.

Mungesa e firmave të teknologjisë në Europë e ndihmon atë që të ketë një qëndrim më objektiv në këtë drejtim. Një pjesë e rëndësishme e qasjes së Europës është që të vendosë se çfarë nuk duhet të bëjë. Tani për tani, ajo ka hedhur poshtë mundësinë e rregullimit të tyre si shërbime, lëvizje e cila ka shmangur edhe shndërrimin e tyre në monopole të përhershme. Ajo ka refuzuar shkatërrimin e rrjeteve sociale, sepse thotë se kjo mund të çojë në krijimin e rrjeteve të tjera si p.sh., Facebabies apo Googlettes, të cilat do të bëheshin përsëri dominuese. Doktrina e BE-së përbëhet nga dy qasje.

E para, ka të bëjë me kulturën e anëtarëve të saj, që pavarësisht të gjitha ndryshimeve që mund të kenë ata me njëri-tjetrin, ka për qëllim të mbrojë privatësinë individuale. Ndërsa tjetra përdor fuqitë ligjore të BE-së për të rritur konkurrencën. E para pohon faktin se vetëm individët kanë sovranitet të plotë mbi të dhënat, vetëm ata mund t’i ndryshojnë ato dhe vetëm ata mund të vendosin se kush mund t’i përdorë ato. Ky është edhe thelbi i Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), parimet themelore të së cilës po kopjohen nga shumë vende anembanë botës.

Hapi tjetër është lejimi i ndërveprimit midis shërbimeve, në mënyrë që përdoruesit të mund të kalojnë me lehtësi tek ofrues të ndryshëm, duke u zhvendosur në këtë mënyrë te firmat të cilat ofrojnë kushte më të mira financiare ose i trajtojnë klientët me më shumë kujdes. (Imagjinoni nëse ju do të kishit mundësi që t’i zhvendosnit të gjithë miqtë që keni në Facebook së bashku edhe me të gjitha postimet, nga ky rrjet në një rrjet tjetër, si për shembull në Acebook, rrjet ky me privatësi më të madhe sesa Facebook.) Open Baking është modeli i një skeme financiare në Britani, e cila u krijon klientëve të bankës mundësinë për të ndarë të dhënat e tyre si p.sh., mbi shpenzimet, pagesat e rregullta, etj., me ofrues të tjerë. Në një raport të ri të qeverisë së Britanisë thuhet se firmat e teknologjisë duhet të krijojnë një skemë të ngjashme.

Parimi i dytë i Europës është që firmat nuk mund të kufizojnë konkurrencën. Kjo do të thotë që edhe firmat konkurrente që përdorin platformat e tyre të trajtohen në mënyrë të barabartë. BE-ja e ka ndaluar Google që të veprojë në bazë të një konkurrence të padrejtë, në drejtim të faqeve të ndryshme online që shfaqen në rezultatet e kërkimit apo edhe tek ato që përdorin sistemin operativ Android. Sipas një propozimi gjerman, një firmë e fortë duhet të ndajë të dhënat edhe me konkurrentët e tjerë, në mënyrë që ekonomia të funksionojë siç duhet, në vend që të qeveriset vetëm nga disa gjigantë të grumbullimit të të dhënave. (Për shembull, të gjitha firmat e transportit duhet të kenë akses në informacionin e Uber)

Së fundmi, Gjermania i ka ndryshuar ligjet e saj duke i ndaluar gjigantët e teknologjisë që të blejnë një sërë startup-esh të reja, të cilat një ditë mund të shndërrohen në një kërcënim të mirëfilltë. Qasja e Europës ofron një vizion të ri, në të cilin konsumatorët janë ata që kontrollojnë privatësinë e të dhënave të tyre, si dhe përfitimet monetare që mund të gjenerojnë prej tyre. Aftësia e tyre për të kaluar nga një firmë te një tjetër, krijon konkurrencën, e cila duhet të nxisë bërjen e një zgjedhjeje sa më të mirë, si dhe të rrisë standardet. Rezultati duhet të jetë një ekonomi në të cilën konsumatorët janë mbretërit dhe ku informacioni dhe pushteti të jenë të shpërndara.

Padyshim kjo nuk do të ishte në përfitim të gjigantëve të teknologjisë, përkundrazi. Ata mund të detyrohen që të ofrojnë një pjesë të fitimeve (pesë prej gjigantëve të teknologjisë grumbulluan rreth 150 miliardë dollarë vitin e kaluar) te përdoruesit e tyre, të investonin më shumë ose në të kundërt do të humbisnin një pjesë të tregut. Qasja europiane padyshim që ka edhe disa rreziqe. Ndërveprimi midis firmave mund të jetë i vështirë për t’u arritur.

Deri më tani, Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) nuk ka rezultuar aq efikase sa pritej. Rrjedha e hapur e të dhënave nuk do të thotë që shqetësimi mbi ruajtjen e privatësisë të mos ekzistojë më. Rreziku tjetër i qasjes së Europës është se kjo nuk është miratuar deri më tani asgjëkundi tjetër dhe se Europa do të dilte kundër rrymës kryesore. Por së fundi ka pasur tregues, sipas të cilëve firmat e mëdha do të jenë të gatshme për të ndarë bizneset e tyre në dy kontinente.

Kështu, për shembull, Amerika ka shfaqur shenja se po bëhet më europiane në drejtim të teknologjisë, me Kaliforninë, e cila së fundmi ka miratuar një ligj që është i ngjashëm me Rregulloren e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR). Europa ka marrë një drejtim, i cili po e çon atë drejt krisjes dhe plasaritjes të gjigantëve të teknologjisë, duke fuqizuar në këtë mënyrë konsumatorët dhe jo shtetin apo monopolet sekrete. Dhe nëse kjo gjë rezulton të jetë efikase, atëherë edhe gjigantë të tjerë të teknologjisë në Amerikë nuk duhet të hezitojnë të ndjekin po të njëjtin model./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco