Pas 162 vjetësh, Papa kremton meshë në Shtëpinë e Shenjtë

Pas 162 vjetësh, Papa kremton meshë në Shtëpinë e Shenjtë

13:47, 25/03/2019
A+ Aa A-

Mesha në Shtëpinë Shenjte të Loretos dhe nënshkrimi i Nxitjes Apostolike pas Sinodit kushtuar të rinjve tetorin e kaluar, ishin çastet e para dhe qendrore të vizitës së Papës Françesku në Loreto.

Përgjigjja e Shën Marisë për kryeengjëllin Gabriel, që lajmëronte mishërimin e Zotit në kraharorin e saj, ajo “më ndodhtë, siç the ti”, jehoi sërish ndër muret e Shtëpisë Shenjte të Loretos, ku Papa Françesku kremtoi meshën sot paradite, gjatë vizitës së tij baritore në qytetin e njohur marian italian. 

Është papa i parë pas 162 vjetësh, që kremton meshën brenda mureve të shtëpisë së Zojës, transportuar këtu nga Nazareti. Papa i fundit, që e bëri këtë, ishte Piu IX, në vitin 1857.

Maria është arka e besëlidhjes së re e të amshuar

Por kjo nuk do të thotë se papët nuk kanë ardhur më në Loreto. Shën Gjoni XXIII, Shën Gjon Pali II, Benedikti XVI e, më parë, edhe shumë të tjerë, kanë kaluar gjithnjë në këtë qytezë, për të kujtuar atë “po” të Marisë, “po”-në që të krishterët e të gjitha kohëve dhe vendeve janë të thirrur ta përsërisin në jetën e tyre. 

Së bashku me Papën Françesku, brenda mureve të Shtëpisë së Marisë, ishin edhe kryeipeshkvi i Loretos, imzot Fabio dal Cin etj dhe disa fretër kapuçin.

Papa nuk shqiptoi homeli, por tha vetëm disa fjalë në hyrje të lutjes së besimtarëve.

Nënshkrimi i Nxitjes Apostolike kushtuar të rinjve

Menjëherë pas kësaj, gjithnjë në Shtëpinë Shenjte, në altarin ku lartohet figurja e Zojës së Zeshkët, Papa nënshkroi Nxitjen Apostolike pas-sinodale, në formën e një Letre për të rinjtë, rezultat i Sinodit, mbajtur në Vatikan tetorin e kaluar.

“Vive Cristo, esperanza nuestra” është fillimi i saj, në origjinalin spanjisht, por teksti do të botohet më vonë. 

Ngjarje historike, siç e quajtën shumë vetë. 

Ka ndodhur vetëm një herë tjetër, që një Nxitje Apostolike të nënshkruhet jashtë Vatikanit. E pati bërë këtë shën Gjon Pali II, në vitin 1995, kur, gjatë një udhëtimi në Afrikë, nënshkroi Nxitjen Apostolike “Ecclesia in Africa”/RadioVatikani

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco