Bie miti i `komplotit rus` në zgjedhjen e Trump, si president i SHBA

Bie miti i `komplotit rus` në zgjedhjen e Trump, si president i SHBA

09:17, 25/03/2019
A+ Aa A-

Prokurori i posaçëm Robert Mueller thotë se as Presidenti Donald Trump, as fushata e tij dhe as ndonjë tjetër i lidhur me këtë fushatë, nuk kanë komplotuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, sipas një përmbledhjejr të paraqitur të dielën nga kreu i Departamentit të Drejtësisë (Prokurori i Përgjithshëm) Ëilliam Barr.

Por përsa i përket pyetjes nëse Presidenti Trump u përpoq të pengonte drejtësinë duke ndërhyrë ose duke u orvatur të prishë hetimin e prokurorit Mueller, zoti Barr tha, "Raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer ndonjë krim, por as nuk e përjashton këtë".

Zoti Barr publikoi një përmbledhje të raportit të shumëpritur për hetimin që zgjati 22 muaj rreth akuzave se fushata e zotit Trump kishte bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-s në favor të zotit Trump.

Prokurori i Përgjithshëm Barr ia dërgoi përmbledhjen e tij Kongresit dhe e bëri atë publik të dielën. Zoti Mueller e dorëzoi raportin e tij në Departamentin e Drejtësisë të premten.

"Hetimi i Prokurorit të Posaçëm nuk arrin në përfundimin se fushata Trump apo dikush i lidhur me të ka bashkëpunuar ... me qeverinë ruse në aktivitetet për ndërhyrjen në zgjedhje," thuhet në përmbledhjen e zotit Barr.

Zoti Barr thotë se raporti arrin pikërisht në këtë përfundim, megjithë "ofertat e shumta nga individë të lidhur me Rusinë për të ndihmuar fushatën Trump".

Sipas zotit Barr, Prokurori i Posaçëm Mueller nuk nxjerr përfundime nëse Presidenti Trump ka penguar drejtësinë, duke ia lënë këtë çështje zotit Barr dhe Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein. Kreu i Departamentit të Drejtësisë shkruan se nuk ka prova të mjaftueshme për të konkluduar nëse zoti Trump ka kryer krimin e pengimit të drejtësisë. Ai thotë se kjo nuk bazohet në ndonjë nocion se ndaj një presidenti në detyrë nuk mund të ngrihet aktpadi.

"Për të arritur në ngritjen e akuzave për pengim të drejtësisë dhe për t’i mbështetur këto akuza, - shkruan ai, - qeveria do të duhej të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm se një person që vepron me synime të korruptuara, angazhohet në sjellje penguese".

Megjithë pohimet e zotit Barr se raporti i Prokurorit të Posaçëm Mueller nuk e nxjerr presidentin plotësisht të pastër, zoti Trump shkruante kështu të dielën në Tëitter: "Asnjë bashkëpunim i fshehtë, asnjë pengim i drejtësisë, pafajësi e plotë. Le ta mbajmë Amerikën të Madhe”.

Më vonë, ai u tha gazetarëve se hetimi ishte "gjëja më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë ... është turp që vendit tonë iu desh të kalojë nëpër këtë sprovë... është një turp që presidenti duhej të kalonte nëpër këtë sprovë, madje qysh përpara para se unë të zgjidhesha - ky ishte një akt ipaligjshëm poshtërimi që dështoi dhe shpresojmë se dikush do të hetojë edhe palën tjetër.”

Deri tani ka patur vendime të shumta gjykatash që e mbështesin ligjshmërinë e hetimit të zotit Mueller./VOA

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

ai25/03/2019 10:09

Mediat soroiste kanë abuzuar me lajmin se "disa pjestarë të fushatës elektorale të z.Trump", e kanë pranuar "fajësinë" e tyre se kanë bashkëpunuar me rusët. Asnjë nga këta që përmenden, nuk ka pranuar se ka bashkëpunuar me rusët për të ndërhyrë në fushatën elektorale. Disa prejt tyre me cilësinë e biznesmenit, kanë pranuar se kanë bërë ndënjë marveshje biznesi me ndonjë biznesmen rus. Multimiliarderi Soros u përpoq që të depërtonte me biznesin e tij në Rusi, por me sa dihet, ai u zbua nga qeveria ruse. Marëveshje tregtare janë firmosur edhe midis qeverisë Obama e qeverisë Putin, por a mos do të thotë kjo se të dy kanë "bashkëpunuar" në dëm të SHBA ? Fakt është se pikërisht në këto dy vite të presidencës Trump, SHBA i ka shtuar sanksionet ekonomike ndaj Rusisë. Ka edhe diçka që del krejtësisht jashtë llogjikës së historisë politike. Dihet se janë shtetet me forca të majta politike në të gjithë kontinentet, që kanë mbështetur si ish Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe Rusinë e Putinit. Përgjithësisht presidentët republikanë amerikanë apo qeveri të djathta europiane, kanë qënë kundërshtarët më të rreptë të rusëve.

Shto koment

Denonco