Václav Klaus: Marrëveshja Schengen dhe euro do të duhej të rishikoheshin dhe jo emigrim në masë

Václav Klaus: Marrëveshja Schengen dhe euro do të duhej të rishikoheshin dhe jo emigrim në masë

09:41, 24/03/2019
A+ Aa A-

Të flasësh për Europën me Václav Klaus do të thotë të konfrontohesh me atë që kontinentin e ka parë të përçarë, të copëtuar, të shqyer nga ideologjitë e ‘900 dhe në fund të bashkuar nën atë flamur blu me yje që e ka kritikuar qysh nga momenti i parë, domethënë qysh kur ka nisur të hedhë farën e euroskepticizmit, jo vetëm si Kryeministër çeksollovak, por edhe si President i Republikës Çeke (nga viti 2003 deri më 2013).

"Gli Occhi della guerra" e kanë takuar me rastin e vizitës së tij në Romë, i ftuar me librin e tij "Të kuptosh emigracionin" (shtëpia botuese Giubilei Regnani) në kuvendin Europa Sovraniste të organizuar më 9 mars nga "think tank Nazione Futura".

Presidenti Klaus, e tejkaluar dikotomia e djathtë/e majtë, zgjedhjet e radhës europiane do të jetë ato të popujve kundër elitave?

“Megjithëse ndarja themelore e politikës së sotme ka një dimension vertikal, nuk besoj se kategori si e djathtë dhe e majtë janë tejkaluar. Nuk do të jenë edhe në të ardhmen. Ndryshon vetëm forma”.

Në çfarë mënyre?

“Për shembull, elitat për të cilat flasim nuk janë aspak pa formë. Përkudnrazi, janë në të gjitha aspektet forca të majta, edhe pse shtiren sikur nuk e dijnë”.

Dhe të flaken tej në sekretin e kutisë së votimit…

“Nuk besoj. Pres që forcat euroskeptike të mund të  arrijnë rezultate më të mira sesa në të kaluarën, por partitë proBashkimi Europian do të mbesin mazhoritare”.

Domethënë, asnjë Europë të Kombeve?

“Jo. Nuk do të ketë ndryshime kaq të thella. As formimi i një konstelacioni të ri potencial antiBashkim Europian brenda Parlamentit Europian nuk do të jetë i mjaftueshëm. Nevojiten ndryshime të thella në mentalitetin e qytetarëve”.

Projekte si Internacionalja Sovraniste e Matteo Salvini dhe The Movement i Steve Bannon nuk mund ta përshpejtojnë këtë vetëdijësim nga ana e popujve?

“Me hidhërimin tim më të madh, nuk e kam takuar kurrë zotin Salvini, që gjithsesi nuk e konsideroj një populist të djathtë. Idetë e Steve Bannon më pelqejnë shumë, jemi konfrontuar shpesh dhe mendoj se influenca e tij potenciale mund të jetë pozitive. Por do të tentoj që të mos e mbivlerësoj”.

Cila do të ishte receta juaj për ndryshimin e Europës?

“Problemet e Bashkimit Europian kanë shumë dimensione. Në nivel legjislativ, do të duhej të ktheheshim në një qasje paraMaastricht (dhe, natyrisht, t’i themi lamtumirë Traktatit të Lisbonës). Veç kësaj, të dyja shtyllat kryesore e “bashkimit” të epokës së fundit – Marrëveshja e Schengen dhe euro – do të duhej të rishikoheshin. Së fundi, duhet të kundërshtojmë emigrimet në masë dhe t’ua kthejmë pushtetin vendimmarrës shteteve kombëtare”.

Me pak fjalë, të rifillohet nga zero…

“Mjafton të lexohet manifesti i Emmanuel Macron për të kuptuar faktin se Europa kështu siç është nuk kaa arsye të ekzistojë. Jo vetëm është e gabuar, por edhe jashtëzakonisht e rrezikshme. Në thelb, europeistët do të donin ta transformonin Bashkimin Europian në një subjekt akoma më të rregulluar, më të burokratizuar, më progresist. Vende si Italia – ashtu si Republika Çeke – duhet të luftojnë bashkë për të ndryshuar modelin aktual e integrimit europian. Në rast se përpjekja jonë e përbashkët do të dështonte, lënia e Bashkimit Europian do të bëhej një opsion. Për ta kuptuar, mjafton të shikohen dy dekadat e stanjacionit dhe të performancës së dobët ekonomike të pësuar nga vendi juaj pas adoptimit të euros”.

Ju konsideroheni babai i sovranizmit në Europë. Për të përkufizuar teoritë tuaja politike është krijuar deri edhe një term: klausizmi. Kush lider europian e interpreton më mirë këtë doktrinë?

“Më josh shumë fakti që konsiderohem si babai i klausizmi. Në realitet, 28 vite më parë, kur themelova Partinë Civile Demokratike, e quajta veten thjesht konservator nga pikëpamja politiko – kulturore dhe liberale në ekonomi. Në të vërtetë, mendimi im, që aq shumë u pëlqen bazave militante, nuk ka kaq shumë mbështetës në nivelet drejtuese të politikës. Le të themi se, megjithëse duke qenë ai klausist, konfrontohem shpesh me zotinOrbán. Kemi shumë pikëpamje të përbashkëta”.

Ja, për sa i përket grupit të Vishegradit. Forcat e majta e të gjithë kontinentit mendojnë se ky bllok është një prej problemeve kryesore të Bashkimit Europian. Sidomos për sa i përket pozicioneve në temën e emigracionit dhe të rishpërndarjes së emigrantëve. Çfarë mendimi keni?

“Rishpërndarja e emigrantëve është një ide progresiste e papranueshme që synon në ristrukturimin etnik të kontinentit tonë dhe në erozionin gradual të identiteteve kombëtare. Në vend që të mbrojnë kufijtë e Bashkimit Europian, elitat europiane propozojnë këtë projekt inxhinierie sociale që kërcënon historinë, kulturën dhe traditën e vendeve të veçanta. Vendet e Grupit të Vishegradit janë konfrontuar nga afër me ideologji të kësaj natyre dhe janë ngurruese në përsëritjen e përvojave të tilla të ngjashme”.

Nga Shtetet e Bashkuara, tek Hungaria dhe deri në Australi, në të gjithë botën rriten masat e survejimit dhe të mbrojtjes së kufijve. Është ku drejtimi i duhur për t’u ndjekur që t’i jepet fund krizës së emigrantëve?

“Të gjitha shoqëritë bazohen mbi kufij, tela me gjemba, mure. Është e pamundur që të çlirohemi prej tyre. Ne kemi jetuar për vite të tëra nga ana tjetër e Perdes së Hekurt, megjithatë nuk e kemi menduar kurrë që të teorizojmë një heqje totale të kufijve”.

A nuk do të ishte rruga më e thjeshtë për ndalimin e emigrantëve ajo e mbështetjes më shumë e shteteve afrikane?

“Jo me ndihmat humanitare, shpërdorime parashë në kuptimin e vërtetë të fjalës që përfundojnë në xhepat e politikanëve dhe të burokratëve të korruptuar. Forma e vetme më efikase e ndihmës është e ajo e tregtimit lirisht me këto vende, pa kuota, pa kufizime, pa barriera burokratike dhe pa imponuar standarde sociale, mjedisore dhe të çdo lloji tjetër”.

Qeveria italiane akuzohet shpesh se i shkel syrin Rusisë. Ju që keni jetuar si protagnoist fazat më të pas passovjetike a arrini ta konsideroni si një bashkëbisedues?

“Kemi vuajtur për dekada dominimin perandorak sovjetik. Për këtë arsye jemi ndoshta hiper të ndjeshëm ndaj Rusisë. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm për ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur pas rënies së komunizmit. Duhet t’i pranojmë dhe t’i respektojmë. Nuk janë të mjaftueshëm, por as të anashkalueshëm. Jam i bindur se duhet qenë logjike pranimi i Rusisë si një vend me ambiciet dhe me interesat e veta. Italia ka mundësi që po vepron më mirë se shtetet e tjera europiane”.

Po për sa u përket superfuqive të tjera? I konsideroni Kinën dhe Indinë si mundësi apo kërcënime potenciale?

“Kina, India, Rusia dhe të gjitha vendet e BRICS-it duhet të jenë partnerë normalë. Atë që do të doja refuzoja me forcë është idea se duhet të luftohet një Luftë e Ftohtë e re. Ne i kemi qenë viktima, dimë diçka”.

A ka një rrezik islamizimi të Europës?

“Islami është një besim fetar, islamizmi është kërcënim. Është mirë që të frenohet dhe që të mos importohet – aq më pak qëllimisht – në Europë. Në përgjithësi, e konsideroj multikulturalizmin si një ideologji kolektiviste e majtë e epokës moderne. Por, për të qenë i ndershëm, më duhet të pranoj se multikulturalizmi është një pasojë e mënyrës tragjike e mendimit pasmodern, që përfshin edhe universalizmin artificial që parashikon dominimin e kulturës perëndimore”./Bota.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco