Përleshje masive mes policisë dhe protestuesve në Venezuelë

Përleshje masive mes policisë dhe protestuesve në Venezuelë

17:27, 10/03/2019
A+ Aa A-

Dhuna mes protestuesve dhe policisë vazhdon të jetë e pranishme në Venezuelë.

Këtë të shtunë kishte përleshje masive në kryeqytetin Caracas mes forcave të policisë dhe protestuesve kundër diktatorit Maduro.

Ata shprehën hapur irritimin rreth ndërprerjes së energjisë elektrike në pjesën më të madhe të vendit si dhe mbi situatën e paqëndrueshme ekonomike e politike.

Mbështetësit e udhëheqësit të opozitës Juan Guaido hodhën thirrje të tilla si “vrasës” në drejtim të forcave të sigurisë. Këta të fundit u tërhoqën më pas nga zona ku po mbahej protesta.

Ndërkohë Partia Socialiste e Presidentit Nicolas Maduro bëri thirrje për një demonstratë rivale, për të protestuar ndaj asaj që e cilëson, qasje imperialiste e Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj qeverisë venezueljane në një përpjekje për t’i ndërprerë asaj burimet e financimit.

Pjesa më e madhe e vendit vazhdon të jetë pa energji elektrike. Ndërprerja që nisi të enjten konsiderohet më e gjata e kohëve të fundit dhe shkaku i saj mbetet ende i panjohur. Ndërprerja e ka përkeqësuar krizën politike dhe ekonomike të Venezuelës, duke rrezikuar pacientët në spitale dhe duke çuar në mbylljen e shkollave dhe bizneseve.

Në Karakas pati një rifillim të ngadaltë të shërbimeve sikurse në shtete si Miranda dhe Vargas-i, ku ndodhet aeroporti ndërkombëtar i vendit dhe një nga portet kryesore. Energjia vazhdon të jetë e ndërprerë në shtetet perëndimore të Tachira-s dhe Zulia-s ndërsa situata e furnizimit me energji eletrike në shtetet e tjera perëndimore mbetet e paqëndrueshme, transmeton thc.

Udhëheqësi i opozitës Juan Guaido fajësoi për situatën korrupsionin dhe keqmenaxhimin nga ana e qeverisë, ndërsa Partia Socialiste në pushtet pretendon se kjo është pjesë e një komploti të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara për të detyruar Nicolas Maduron të largohet nga pushteti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco