Borë e paparë, Bavaria shpall gjendjen e alarmit

Borë e paparë, Bavaria shpall gjendjen e alarmit

14:25, 13/01/2019

Një pushim i shkurtër nga sulmi i dëborës për rajonet bavareze në jug të Gjermanisë dhe Austri ka qenë vetëm nata e së premtes. Në fundjavë kërcënon sërish ashpërsimi i gjendjes.

Nga Deutsche Welle

Kryeministri bavarez, Markus Söder të shtunën shkoi në rajonet e prekura nga rënia e madhe e dëborës që ka shkaktuar mjaft vështirësi. Söder u informua edhe për aksionet e ndihmës të forcave të shpëtimit në Bad Tölz. Të shtunën në mbrëmje fillojnë sërish reshje të mëdha dëbore. Në pesë qarqe bavareze është shpallur gjendja e alarmit. Nga e shtuna deri të hënën në mbrëmje do të bjerë dëborë edhe në malësitë gjermane saksone, por sidomos në zonat e Alpeve dhe Pyllin Bavarez reshjet priten të jenë shumë të mëdha.

Rrezik paraqesin sidomos çatitë e rënduara nga sasia e madhe e dëborës. Ushtria gjermane ka dërguar 350 ushtarë në rajonet e prekura që të pastrojnë masat e dëborës, të furnizojnë banorët me ushqime e të transportojnë ndihmësit vullnetarë me automjete të rënda. 300 ushtarë të tjerë janë në gatishmëri.

Një zëdhënës i Kryqit të Kuq Bavarez është shprehur se „megjithë angazhimin disa ditor të vullnetarëve, shohim forca mjaft motivuara". Shqetësim përbën në rajon edhe rreziku i orteqeve. Fluturimet ajrore po ashtu janë prekur nga situata e dëborës. Në aeroportet e Mynihut dhe Frankfurtit janë anuluar të premten 100 fluturime. Edhe hekurudha nuk paraqitet në gjendje më të mirë, mjaft linja hekurudhore nuk përshkohen për shkak të dëborës. Në Austri forcat e shpëtimit morën me helikopter nxënësit e një shkolle gjermane që ishin bllokuar nga dëbora.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco