Brexit në udhëkryq, May: Pa marrëveshjen futemi në 'territor të panjohur'

Brexit në udhëkryq, May: Pa marrëveshjen futemi në 'territor të panjohur'

23:17, 07/01/2019
A+ Aa A-

Kryeministrja britanike ka paralajmëruar kundërshtarët e Brexit për pasojat që do të sjellë votimi kundër marrëveshjes me BE mbi procesin e shkëputjes nga unioni. Britania do të largohet zyrtarisht nga BE-ja më 29 mars të këtij viti, por si politikianët edhe publiku anglez, shprehen se marrëveshja aktuale nuk përfaqëson vendimin e referendumit të vitit 2016.

Britania e Madhe rrezikon të futet në "rrugë të panjohura" nëse ligjvënësit e saj nuk votojnë marrëveshjen e propozuar për daljen e vendit nga Bashkimi Europian. 

Ky ishte paralajmërimi që kryeministrja angleze Theresa May u drejtoi kundërshtarëve të saj politikë të dielën, pak ditë përpara mbledhjes së parlamentit për të diskutuar marrëveshjen e Brexit.

Në një intervistë për rrjetin publik anglez të lajmeve BBC, kryetarja e qeverisë premtoi një sërë masash që do të bindin më skeptikët të votojnë pro marrëveshjes rreth javës së dytë të janarit.

Qëndrimi i May ka ardhur vetëm pak ditë pas reagimit të krerëve më të lartë të BE, të cilët paralajmëruan realizimin e Brexit pavarësisht votimit në parlament.

May: Nëse nuk arrijmë që ta votojmë marrëveshjen për Brexit, rrezikojmë të hyjmë në një territor të panjohur. Prandaj në ditët në vijim do të ofrojmë disa garanci, disa masa. Masa e parë ka të bëjë me Irlandën e Veriut, masa e dytë me rolin e parlamentit në stadin e mëtejshëm të negociatave me aleatët tanë. Ndërsa masa e tretë, dhe për këtë jemi ende duke punuar, lidhet me garancitë që do i kërkojmë Bashkimit Europian për të adresuar problemet që ne kemi ngritur. 

Kryeministrja Theresa May u shpreh se ajo është kundër përsëritjes së referendumit për çështjen e daljes së vendit nga BE-ja, edhe pse shumë parlamentarë konservatorë në Britani besojnë se marrëveshja e propozuar nuk përfaqëson atë çka u votua në vitin 2016. 

Kundër marrëveshjes duket se janë edhe gjysma e popullit anglez, i cili në një sondazh të fundit tregoi se publiku duhet të thotë fjalën e fundit për Brexit, ndërsa 54 për qind do të votonin për të qëndruar në BE nëse do u jepej rasti për një tjetër referendum.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco