Abuzimet dhe krimet e Kishës, Papa sulmon ashpër prelatët amerikanë

Abuzimet dhe krimet e Kishës, Papa sulmon ashpër prelatët amerikanë

10:57, 04/01/2019
A+ Aa A-
Papa u shkruan prelatëve amerikanë, mbledhur në ushtrime shpirtërore. Në kuadrin e shkandaleve të abuzimeve, u bën thirrje për “kthesë” e “bashkim vëllazëror” kundër logjikave të mbylljes.

“Besueshmëria e Kishës është vënë jashtëzakonisht në dyshim dhe është dobësuar nga këto mëkate dhe krime, por sidomos nga vullneti për t’i mbuluar e fshehur ato, gjë që ka krijuar një ndjenjë më të madhe pasigurie, mosbesimi dhe mungese të mbrojtjes ndër besimtarët”. Kështu shkruan Papa Françesku, në një letër drejtuar ipeshkvijve amerikanë. Që dje e deri më 8 janar, ata janë mbledhur në Çikago, në seminarin Mundelein, për një javë ushtrimesh shpirtërore, udhëhequr nga predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa.

“Kohët e fundit, - shkruan Papa në letrën e gjatë, që u dërgon ipeshkvijve, pasi nuk ka mundur të shkojë vetë tek ata, të paktën për dy ditë, siç pohon vetë, - Kisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është tronditur nga shumë skanale, që prekin thellë besueshmërinë e saj. Kanë ardhur kohë të këqia për jetën e kaq shumë viktimave, që kanë pësuar në trupin e tyre abuzimet me pushtetin, me ndërgjegjen dhe shpërdorimet seksuale nga ana e ministrave të shuguruar, nga rregulltarët e rregulltaret, si edhe nga besimtarët laikë; kohë të këqia e kryqi për ato familje dhe për gjithë Popullin e Zotit”, nënvizon Ati i Shenjtë, në letrën e dërguar sot, por që mban datën 1 janar.

“Jemi të vetëdijshëm - vazhdon Papa, citon Vatikani, - që mëkatet e krimet e kryera, si edhe të gjitha pasojat e tyre në nivel kishtar, shoqëror dhe kulturor, kanë lënë gjurmë dhe plagë të thella në zemrën e popullit besnik”. “E kanë mbushur me dyshime, mosbesim dhe konfuzion - shton Papa - e kjo, madje, shërben shpesh si justifikim për të diskredituar vazhdimisht e për të vënë në pikëpyetje jetën, që shumë të krishterë e dhurojnë, duke ‘treguar dashurinë e pamasë për njerëzimin, frymëzuar nga Zoti i bërë njeri’ (shih Evangelii Gaudium)”.

Sipas Papës Françesku, “sa herë që fjala e Ungjillit shqetëson ose bëhet dëshmi e pakëndshme, nuk janë të pakta zërat, që përpiqen ta heshtojnë, duke vënë në dukje mëkatin dhe inkoherencën e anëtarëve të Kishës dhe aq më tepër, të barinjve të saj”. “Vulë dhe plagë, që zhvendoset edhe brenda bashkimit ipeshkvnor, duke mos lejuar konfrontimin e shëndetshëm dhe të nevojshëm, si edhe duke penguar tensionet e brendshme të një organizmi të gjallë, por duke shkaktuar ndarje dhe përçarje, rezultate dhe mocione, që nuk vijnë sigurisht nga Shpirti Shenjt, por nga ‘armiku i natyrës njerëzore’ (Shën Injaci, Ushtrime Shpirtërore, Nr. 135), i cili përfiton më shumë nga ndarja dhe përçarja, sesa nga tensionet dhe nga dallimet logjike tipike të bashkëjetesës së dishepujve të Krishtit”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco