Qeveria amerikane e mbyllur për Krishtlindje

Qeveria amerikane e mbyllur për Krishtlindje

19:44, 25/12/2018
A+ Aa A-

Presidenti Donald Trump e filloi Ditën e Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa qeveria amerikane është tashmë në ditën e katërt të mbylljes së saj të pjesshme. Ai u tha gazetarëve se nuk ka ende përparim për arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin federal.

Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania morën pjesë në një meshë të vigjiljes së Krishtlindjes në Uashington, pasi anulluan pushimet në Florida për shkak të ngërçit me Kongresin.

Presidenti Trump, i cili nuk ishte shfaqur për televizionet gjatë ditëve të fundit, informoi për zhvillimet më të fundit, ndërsa po u përgjigjej telefonatave të fëmijëve në prag të Krishtlindjes.

"Asgjë e re për mbylljen e qeverisë. Asgjë e re, përveçse që na duhet siguria e kufirit”, u tha gazetarëve Presidenti Trump.

Udhëheqësit demokratë në Kongres po fajësojnë Presidentin Trump për “zhytjen të vendit në kaos”.

“Administrata Trump as nuk ka shpenzuar dot fondet për sigurinë kufitare të vitit të kaluar. Pra, mbyllja e qeverisë prej tij nuk ka lidhje me sigurinë kufitare. Po ndodh pasi Presidenti Trump kërkon miliarda dollarë për një mur të kushtueshëm dhe joefikas që shumica e amerikanëve nuk e mbështesin”, deklaroi udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer.

Presidenti Trump kërkon 5 miliardë dollarë për ngritjen e një muri përgjatë kufirit SHBA – Meksikë. Demokratët kanë refuzuar kategorikisht dhe kanë ofruar 1.3 miliardë dollarë me objektiv sigurinë kufitare.

Ndërsa vazhdojnë të jenë të hapura agjencitë qeveritare të sigurisë kombëtare dhe të sigurisë publike, departamentet e tjera janë të mbyllura dhe rreth 800 mijë punonjës federalë janë të pezulluar nga puna.

Në të kaluarën, Kongresi ka miratuar pagesat për të gjithë punonjësit federalë pasi është tejkaluar kriza e mbylljes së qeverisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco