Fondet/ Debatet në Senat, mbyllet 1/4 e qeverisë amerikane

Fondet/ Debatet në Senat, mbyllet 1/4 e qeverisë amerikane

11:38, 23/12/2018
A+ Aa A-

Presidenti Donald Trump diskutoi me ligjvënësit republikanë dhe këshilltarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë të shtunën, në mesin e një mbylljeje të pjesshme të qeverisë amerikane, e cila u shkaktua nga dështimi i Senatit për të gjetur kompromis për një projekt-ligj që përfshinte 5 miliardë dollarë për murin e propozuar përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Gjatë një konference telefonike të shtunën me gazetarët, një zyrtar i lartë i administratës u pyet përse demokratët nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e Shtëpisë së Bardhë ndërsa presidenti Trump ka përsëritur vazhdimisht se ata janë përgjegjës për mbylljen e qeverisë.

"Është e rëndësishme që demokratët e Senatit të vijnë në tryezë dhe të fillojnë të negociojnë me ne. Mbrëmë pati diskutime dhe shpresojmë që ato të vazhdojnë sot, nesër dhe në të ardhmen. Por është e rëndësishme për ta të pranojnë se siguria kufitare, barrierat fizike, duhet të jenë pjesë e kësaj pakete. "

Qeveria Federale amerikane filloi mbylljen e pjesshme të operacioneve të saj.

Rreth një e katërta e qeverisë mbeti pa fonde ne mesnatën ndërmjet të premtes dhe të shtunës.

Më shumë se 800 mijë vende pune janë mbyllur dhe gjysmës së punonjësve u kërkohet të punojnë pa pagesë.

Ligjvënësit kishin afat deri në mesnatë të gjenin rrugëdaljen për të siguruar financimin e qeverisë.

Udhëheqësit e demokratëve në Kongres, Chuck Schumer dhe Nancy Pelosi, lëshuan një deklaratë të përbashkët të shtunën, në të cilën thuhet se "demokratët u ofruan republikanëve disa propozime për të mbajtur të hapur qeverinë, përfshirë atë që tashmë e ka miratuar Senatin njëzëri dhe të gjitha këto përfshijnë fonde për siguri më të fortë dhe të frytshme të kufirit - jo muret e pafrytshme dhe të shtrenjta të presidentit. Nëse presidenti Trump dhe republikanët zgjedhin të vazhdojnë këtë mbyllje të qeverisë, shumica e re demokrate do të kalojë me shpejtësi legjislacionin për të ri-hapur qeverinë në janar".

Presidenti Trump, publikoi të premten një video në rrjetin twitter duke thënë se “do të kemi mbyllje të qeverisë. Nuk mund të bëjmë më asgjë për këtë". VoA

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco