Në Vatikan, këndohet në 200-vjetorin e saj kënga e famshme e Krishtlindjes

Në Vatikan, këndohet në 200-vjetorin e saj kënga e famshme e Krishtlindjes

14:30, 19/12/2018
A+ Aa A-

Mbrëmje e magjishme dje në Vatikan. Ndërmjet shtyllave të Berninit e sheshit të Shën Pjetrit, u përhapën me delikatesë notat e këngës “Stille Nacht, heilige Nacht”.  Kënga, e njohur në Shqipëri si “Shenjtja Natë”, mbushi 200 vjeç e kudo nëpër botë, sidomos me nismën e ambasadave austriake, po mbahen koncerte e takime përkujtimore.

Mbrëmë, radha i takoi Shën Pjetrit, vetëm pak ditë para Krishtlindjes, për të cilën u shkrua kjo këngë në vitin 1816 nga meshtari Joseph Mohr, për t’u vënë në muzikë, dy vjet më vonë, nga kompozitori austriak Franz Xaver Gruber. Grupi “Tiroler Schützen”, veshur me kostume popullore, e këndoi mbrëmë, ashti siç e patën kënduar për herë të parë, më 24 dhjetor 1818, vetë autorët.

Kënga, sipas Radio Vatikanit, që bën pjesë në trashëgiminë botërore të mbrojtur nga UNESCO, është përkthyer në mbi 300 gjuhë. Teksti është përkthyer edhe në shqip nga disa vetë.

Të mirënjohura, dy nga penat, ajo tejet lirike e imzot Vinçenc Prennushit, martirit që i prin aradhes prej 38 vetësh, shpallur të lum nga Kisha Katolike, dhe ajo e atë Pjetër Meshkallës, që i qëndroi më besnik tekstit.

Muzika prek zemrën e të gjithëve

Papa Françesku e ka kujtuar vazhdimisht rëndësinë e muzikës. Duke u takuar, më 10 nëntor, me anëtarët e shoqatës “Alunni del Cielo” (Nxënësit e Qiellit),  nënvizoi se muzika dhe kënga janë gjuhë për “të dëshmuar Ungjillin” dhe për “të prekur zemrat e të gjithëve, madje edhe të atyre, që i rrinë larg Kishës dhe fesë”.

Ta shndërrojmë Fjalën e Zotit në këngë

Duke u folur, më 4 mars 2017, pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare për muzikën kishtare, Papa theksoi, veçanërisht, një përparësi: “është e nevojshme të sigurohemi - tha ai në atë rast - që muzika kishtare dhe kënga liturgjike të jenë plotësisht ‘të inkulturuara’ në gjuhët artistike dhe muzikore të sotme; pra, të dinë ta mishërojnë dhe ta shndërrojnë Fjalën e Zotit në këngë, tinguj, harmoni, që i bëjnë zemrat e bashkëkohësve të dridhen”.

Teksti i këngës “Shenjtja Natë”, sipas atë Pjetër Meshkallës

Shenjtja natë, e lumja natë!
Krejt janë fjetë
Veç kanë mbetë
Shën Jozefi e Zoja Mrí,
Rahatojnë të bukrin Fëmí.
Flejë me t’ ambël gjumë,
Flej me t’ ambël gjumë!

Shenjtja natë, e bukra natë,
Krishti Fëmijë i Zojës Mrí,
Qe, në prehen sa mirë po i rri,
Ejt këndojnë për bukurí:
“Erdh i lumi Mesí,
Erdh i lumi Mesí!”

Shenjtja natë, e lumja natë,
Me shpejtí - vijnë barí,
Me shikjue kët bukurí
Me adhrue njëket Fëmí:
Krishtin plot dashtëní,Krishtin plot dashtëní!

Varianti i atë Vinçenc Prennushit

Flej, o Qielluer,
Zojes në krahnuer.
Flej, mos kjaj,
ndale at’vaj.
Gjumi t’vjen, por ty s’t’bahet me fjetë,
pse n’do kashta t’rrin trupi Ty p’shtete.
Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve.
Ty Zoja Mri,
Ty gjithë dashtëni,
rrin tuj t’ruejtë,
ambël prujtë,

Ditë do t’vinë, O shelbues, me u mekë;
Ka me të ra mbi një krygje ty me dekë !

Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco