Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

Nuk kanë të ndalur debatet mbi ambasadën amerikane në Jeruzalem

Nuk kanë të ndalur debatet mbi ambasadën amerikane në Jeruzalem

17:25, 06/12/2018
A+ Aa A-

Kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit dhe e zhvendosi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem në maj të këtij viti, izraelitët e bekuan, ndërsa palestinezët e mallkuan. Tani, një vendim amerikan për të bashkuar konsullatën e vjetër me ambasadën e re në Jeruzalem në Qytetin e Shenjtë, ka shkaktuar edhe më shumë zemërim tek palestinezët. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein ka përgatitur një raport nga Jeruzalemi:

Vendimi shkaktoi një valë të re zemërimi.

Për palestinezët, kjo lëvizje do të thotë një ulje të nivelit të marrëdhënieve, një fyerje e mëtejshme pas lëvizjes së ambasadës amerikane në Jeruzalem, që në vetvete disa e interpretuan si shenjë se Uashingtoni kishte vrarë çdo shpresë për një shtet të pavarur palestinez me Qytetin e Shenjtë si kryeqytet.

Për izrealitët, kjo legjitimon pretendimin se Jeruzalemi është kryeqyteti i tyre i pandarë, një premtim që Uashingtoni e kishte bërë para shumë kohësh, dhe që Presidenti Trump më në fund e përmbushi.

Ambasada e re në shtetin hebraik po merr konsullatën e Jeruzalemit, që gjithmonë kishte shërbyer si lidhje direkte e palestinezëve me Uashingtonin.

Tani atyre u duhet ta bëjnë këtë përmes ambasadorit amerikan, David Friedman, një ide që indinjon shumë vetë që e akuzojnë atë se është i njëanshëm në favor të Izraelit.

Në pjesën arabe në lindje të Jeruzalemit, mes zemërimit, zhgënjimit dhe dëshpërimit, mesazhi është i qartë.

“Është një lajm shumë i keq për palestinezët. Mandati i Konsullatës së Përgjithshme për territoret palestineze të Bregut Perëndimor nuk ekziston më, çka do të thotë që zgjidhja me dy shtete dhe dy kryeqytete nuk ekziston më”, thotë Rami Nasrallah, i Qendrës Ndërkombëtare për Paqe dhe Bashkëpunim.

Në pjesën hebraike në perëndim të Jeruzalemit, nuk mohohet që vendimi i Uashingtonit është një deklaratë politike, por edhe një çështje praktike.

“Mendoj se është pjesë e një reforme financiare dhe diplomatike që është shkëputur nga normat që kishin ndjekur për vite me radhë sekretarët e Shtetit, për mbajtjen e një konsullate të veçantë për Autoritetin Palestinez”, thotë Dan Diker, i Qendrës së Jeruzalemit për Çështje Publike.

Një bashkëjetesë e tensionuar është vështirësuar edhe më shumë, ndërsa të dyja palët presin që presidenti Trump të paraqesë një plan paqeje që e ka premtuar prej kohësh. Ndërsa izraelitët pretendojnë fitore dhe zemërimi i palestinezëve rritet, njëra palë pret me padurim, ndërsa tjetra me ankth.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco