U zbulua se ishte i pirë pak para se të nisej avioni, piloti dënohet me burg

U zbulua se ishte i pirë pak para se të nisej avioni, piloti dënohet me burg

23:47, 29/11/2018
A+ Aa A-

Një pilot i një linje ajrore japoneze është dënuar me 10 muaj burg këtë të enjte në Londër, pasi dështoi në testin antialkool vetëm pak përpara ngritjes në fluturim nga Aeroporti ndërkombëtar “Heathrow” i kryeqytetit britanik.

Oficer i parë me titull, Katsutoshi Jitsukawa, 42 vjeç, u dënua nga Gjykata Mbretërore Isleworth në Londrën perëndimore, sepse norma e konsumit të alkoolit prej tij ishte sa 10-fishi i asaj të lejuar.

Bashkëpiloti japonez u arrestua në “Heathrow” më 28 tetor, pasi dështoi në testin antialkool vetëm 50 minuta përpara se fluturimi “JL44” i kompanisë japoneze me destinacion Tokion të nisej me të alkoolizuarin në kabinë.

“Ju jeni një pilot me shumë eksperiencë, por qartësisht kishit pirë shumë alkool, për një kohë të gjatë dhe deri pak momente përpara se të futeshit në avion”, tha gjykatësi Philip Matthews. “Më e rëndësishmja nga të gjitha është siguria e të gjithë personave në bord, për më tepër në një udhëtim kaq të gjatë prej 12 orësh apo më shumë. Siguria e tyre u vu në rrezik nga gjendja juaj e dehur dhe intoksikimi juaj. Mundësia që ju të merrnit drejtimin e atij avioni është e tmerrshme qoftë edhe ta mendosh. Pasojat potenciale ndaj atyre në bord do të ishin katastrofike”.

Testimi i frymëmarrjes dhe frymënxjerrjes rezultoi me norma mbi 10 herë më të larta, sesa limiti prej 93 miligram në 100 mililitra frymënxjerrje. Kufiri ligjor për pilotët në fluturim është vetëm 9 mg..

Avioni “Boeing 777” që pritej të drejtohej prej tij mund të mbante deri në 244 pasagjerë në një fluturim, por fatmirësisht gjithçka u kap në kohë dhe ai u nis me 69 minuta vonesë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco