SHBA dënon Rusinë për shkelje të sovranitetit të Ukrainës

SHBA dënon Rusinë për shkelje të sovranitetit të Ukrainës

14:01, 27/11/2018
A+ Aa A-

Parlamenti i Ukrainës miratoi të hënën kërkesën e Presidentit Petro Poroshenko për të vendosur ligjin e luftës në vend, pas një incidenti të së dielës, në të cilin Rusia kapi tre anije të Ukrainës dhe ekuipazhet e tyre.

Po të hënën, ambasadorja e SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Nikki Haley dënoi Rusinë për "shkeljen skandaloze të territorit sovran të Ukrainës".

Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, zonja Haley e quajti konfiskimin e anijeve si "një akt arrogant që duhet të dënohet nga bashkësia ndërkombëtare".

Rusia gjuajti kundër dy anijeve të Ukrainës dhe përplasi një anije të tretë të dielën në Detin e Zi, duke i kapur anijet dhe duke i akuzuar për hyrje të paligjshme në ujërat e saj territoriale.

Presidenti Poroshenko e zbuti versionin e mëparshëm të një projektdekreti për të propozuar ligjin e luftës me një kohëzgjatje prej 30 ditësh - një lëshim i dukshëm ky ndaj rivalëve - gjë që do të lejonte që zgjedhjet të thirreshin sipas planit, në dhjetor.

Zoti Poroshenko tha të hënën se synonte të deklaronte ligjin e luftës "për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës mes agresionit në rritje dhe të një veprimi të ftohtë agresioni nga ana e Federatës Ruse". Ai shtoi se Ukraina ka në plan "të vazhdojë t’u përmbahet të gjitha detyrimeve ndërkombëtare".

Zoti Poroshenko po kërkon që Rusia të lirojë menjëherë detarët dhe anijet e Ukrainës.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Ukrainën për shkelje të normave ndërkombëtare me "metoda të rrezikshme që krijuan kërcënime dhe rreziqe për lëvizjen normale të anijeve në zonë".

Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg gjithashtu i bëri thirrje Rusisë të hënën për të liruar anijet e marinës ukrainase duke thënë se "nuk ka asnjë justifikim" për veprimet e Moskës.

"Ajo që pamë dje ishte shumë serioze," tha zoti Stoltenberg pas një takimi urgjent të aleancës ushtarake perëndimore të mbajtur mbi Ukrainën me kërkesë të posaçme.

MARRËDHËNIE TË ACARUARA

Rusia ndërkohë shpërfilli thirrjet perëndimore për të liruar tre anijet ukrainase. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov akuzoi Ukrainën se po provokon, duke shkelur parimet kyçe të ligjit ndërkombëtar.

“Ka shkelje të vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar humanitar në Ukrainë, edhe pa ligjin e luftës: bombardime të zonave të banuara dhe infrastrukturës sociale, vrasje të civilëve. Dhe me shpalljen e ligjit të luftës mendoj se këta radikalë nacionalistë do të ndjehen krejtësisht të lirë të veprojnë. U bëjmë thirrje mbështetësve perëndimorë të Kievit, të qetësojnë ata që po përpiqen të sigurojnë avantazhe politike nga histeria ushtarake për shkak të zgjedhjeve që po afrohen apo ngjarjeve të tjera në vend”, tha ai.

Incidenti i së dielës filloi kur një rimorkiator ukrainas po shoqëronte dy anije të marinës nga porti i Odesës në Detin e Zi për në portin ukrainas në Mariupol, në Detin Azov nëpërmjet ngushticës Kerç.

Ngushtica Kerç, është kalimi i vetëm ndërmjet dy deteve.

Një traktat i viti 2003, i përcakton Detin Azov dhe ngushticën Kerç, si ujëra të përbashkëta territoriale.

Rusia tha se anijet ukrainase shkelën në ujërat e saj territoriale dhe akuzoi Ukrainës se nuk e ka informuar që anijet po planifikonin të lundronin nëpërmjet ngushticës – pohime këto që u hodhën poshtë nga Ukraina.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar që kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë dhe nxiti një konflikt separatist pro-rus në Ukrainën lindore në vitin 2014.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco