FOTO/ Katari e Italia, zgjidhja e krizës së Gjirit duhet të jetë përmes dialogut

FOTO/ Katari e Italia, zgjidhja e krizës së Gjirit duhet të jetë përmes dialogut

12:15, 20/11/2018
A+ Aa A-

Emiri i Katarit Sheikh Temim bin Hamad Al Thani, u takua dje të Hënën me Presidentin Italian Sergio Mattarella, dhe diskutuan disa çështje në lidhje me Lindjen e Mesme, kryesisht krizën e Gjirit, ku të dy palët ranë dakord se kjo krizë nuk mund të zgjidhjet përveçse nëpërmjet dialogut të pakushtëzuar mes të gjithë aktorëve të përfshirë.

Emiri i Katarit, shtoi se bisedimet përfshinë gjithashtu edhe situatën në Libi. Në këtë kontekst, Emiri Al Thani shprehu vlerësimin e tij për Republikën e Italisë, e cila organizoi Konferencën Ndërkombëtare të Palermos për Libinë, ku mori pjesë edhe Shteti i Katarit. Ai shprehu dëshirën që kjo konferencë të sjellë rezultate pozitive duke çuar në një zgjidhje të situatës në Libi pa ndërhyrje në çështjet e saj të brendshme, duke theksuar në të njëjtën kohë mbështetjen e Katarit për Qeverinë Kombëtare të Pajtimit të Libisë.

Lidhur me marrëdhëniet kataro-italiane, Emiri tha se ka një zhvillim të dukshëm në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, në mënyrë të veçantë në rrafshin ekonomik, dhe vuri në dukje praninë e kompanive italiane të cilat operojnë në Katar prej shumë vitesh duke kontribuar në modernizimin e infrastrukturës së vendit. Ai theksoi se kompanitë italiane janë të mirëpritura në Katar, pasi vendi synon të zbatojë së afërmi projekte të mëdha jo vetëm në lidhje me Botërorin e Futbollit "Qatar 2022", por edhe si pjesë e Vizionit Kombëtar 2030 të Katarit, dhe ftoi kompanitë italiane të marrin pjesë në këto projekte.

Emiri shtoi se me Presidentin Italian diktutuan gjithashtu edhe bashkëpunimin dypalësh në fushat e shëndetësisë, kulturës dhe arsimit.

Nga ana e tij, Presidenti Italian tha se shteti i Katarit është një partner i rëndësishëm në rajonin e ndjeshëm të Gjirit, dhe vlerësoi kontaktet e vazhdueshme midis dy vendeve.

Sergio Mattarella theksoi se marrëdhëniet dypalëshe të bashkëpunimit janë pozitive dhe të qëndrueshme. Ato janë zgjeruar së fundmi dhe janë bërë më efektive në disa sektorë, veçanërisht në fushën e ekonomisë, tregtisë, shkencës, teknologjisë dhe kulturës. "Marrëveshjet që do të nënshkruhen nesër gjatë vizitës së Emirit janë tregues i qartë i marrëdhënieve të fuqishme midis dy vendeve" – shtoi Presidenti Italian.

Ai tha se gjatë takimit me Emirin u diskutuan tema të veçanta rreth rajonit të Gjirit dhe arenës ndërkombëtare në nivel të sigurisë dhe sfidave globale, duke theksuar se dialogu është baza për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje.

Një ditë më parë (të dielën), Emiri i Katarit ishte në Kroaci për një vizitë dyditore, ku u takua me Presidenten Kolinda Grabar Kitaroviç në pallatin presidencial në Zagreb. Gjatë kësaj vizite u nënshkruan një numër marrëveshjesh dhe memorandumesh mirëkuptimi mes qeverive të të dy vendeve.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco