Për herë të parë që nga viti 2015, ekonomia e Gjermanisë shënon rënie

Për herë të parë që nga viti 2015, ekonomia e Gjermanisë shënon rënie

15:12, 14/11/2018
A+ Aa A-

Ekonomia e shtetit më të zhvilluar të Evropës, Gjermanisë, shënoi rënie në çerekun e tretë të këtij viti, që ishte hera e parë që nga viti 2015. Në këtë rënie ndikoi shkëmbimi më i dobët tregtar dhe shpenzimet më të ulëta të konsumatorëve.

Vlera e prodhimit vendor ra me 0,2%, krahasuar me çerekun e dytë, në një periudhë kur ishte shënuar një rritje prej 0,5%. Kjo gjendje paraqet pikën më të dobët që nga pjesa e parë e vitit 2013, kur ekonomia ishte tkurrë për 0,3%. Këto të dhëna janë publikuar nga “Destatis”, zyrë gjermane për statistika.

Ekonomia shënoi rënie mes muajve korrik dhe shtator për shkak të dobësimit të tregtisë së jashtme, rënies së eksportit dhe rritjes së importit, në vendin që njihet si fuqi eksportuese. Zyra gjermane e statistika tha se kishte shenjta të përziera në kërkesën vendore, me ç’rast kërkesa për konsum shënoi rënie, por firmat investuan më shumë në makineri, pajisje dhe ndërtimtari. Përveç këtyre, edhe shpenzimet e qeverisë ishin pak më të mëdha gjatë kësaj periudhe.

Kjo rënie u ndikua pjesërisht edhe nga faktorët e përkohshëm, përfshirë pengesat në prodhimin e veturave për shkak të ashpërsimit të testeve për sasinë e lirimit të gazrave, të cilat hynë në fuqi në shtator, ndonëse ekonomistët thanë se kishte shqetësime edhe për disa zhvillime tjera strukturore në vend.

Carsten Brzeski, kryeshef i ekonomisë në bankën holandeze, “ING”, tha se kjo performancë e dobët ishte një “thirrje për t’u zgjuar” për ekonominë më të fuqishme të eurozonës. “Problemet me lirimin e gazrave krijuan probleme të prodhimit në industrisë së veturave, rritja e çmimit të energjisë e pamundësoi rritjen e pagave, ndërsa nuk duhet të nënvlerësohet as performanca e dobët e Gjermanisë në Kupën e Botës në futboll”, tha ai.

Rritja vjetore ekonomike e Gjermanisë ishte 1.1%, që është më e ulët sesa shifra prej 1.3%, e cila ishte parashikuar nga ekonomistët. Parashihet që performanca e dobët e eksporteve do të vazdhojë që ta mbajë rritjen ekonomike të vendit në nivele të ulëta, shkruan “The Guardian”.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco