Sekretari Amerikan i Mbrojtjes vlerëson partneritetin me Katarin për paqen dhe stabilitetin në rajon

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes vlerëson partneritetin me Katarin për paqen dhe stabilitetin në rajon

13:01, 14/11/2018

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James Mattis zhvilloi bisedime me Ministrin e Shtetit të Katarit për Mbrojtjen Khaled Al Attiyah, në selinë e Pentagonit këtë të martë, ku u konfirmua partneriteti strategjik i sigurisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Katarit, dhe vazhdimi i bashkëpunimit të përbashkët në fushën e sigurisë.

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes vlerësi rolin e Katarit në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme. "Ne e konsiderojmë Katarin një mik të vjetër dhe partner ushtarak për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, dhe për mbështetjen e misionit të NATO-s në Afganistan. Dua të theksoj këtu operacionin e suksesshëm që realizuat me transportimin e ndihmave humanitare në Afganistan në kuadër të misionit të NATO-s, çka dëshmon rolin tuaj ndërkombëtar" tha Mattis gjatë këtij takimi.

Ai falënderoi Katarin për mbështetjen e stabilitetit dhe pajtimit në Afganistan, si dhe për mikpritjen e forcave ajrore amerikane në bazën ushtarake Al Udeid, sikurse theksoi se kjo bazë është një qendër e rëndësishme për operacionet e përbashkëta mes 15 vendeve për rritjen e sigurisë rajonale dhe luftën kundër ekstremizmit. Mattis siguroi se vendi i tij do të vazhdojë përjekjet për të formuar një koalicion gjithëpërfshirës dhe strategjik në Lindjen e Mesme për të adresuar sfidat e përbashkëta. "Ne jemi të angazhuar të punojmë me aleatët tanë në rajon për ta kthyer këtë ide në realitet dhe për të frenuar synimet e palëve armiqësore" tha ai.

Nga ana tjetër, ministri katarian Al-Attiyah tha se vendi i tij shpreson të nxisë dhe forcojë më tej marrëdhëniet historike me Shtetet e Bashkuara si një partner në luftën kundër terrorizmit, duke theksuar se Katari ka mbështetur gjithmonë dhe kudo ku ka qenë e nevojshmë misionet që kanë patur synim dhënien e ndihmave dhe zbatimin e drejtësisë.

"Ne kemi qenë përherë një partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit dhe kemi reaguar pozitivisht sa herë që jemi thirrur nga partnerët tanë për t'iu bashkuar përpjekjeve ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë" tha Al-Attiyah.

Ndërkohë, një zëdhënëse e Pentagonit njoftoi se në takimin mes dy ministrave u diskutuan një sërë çështjesh, si lufta kundër ISIS, mbështetja e Katarit ndaj misionit të forcave të NATO-s në Afganistan, si dhe zgjerimi i Bazës  Ajrore Al Udeid në Doha.

Zëdhënësja tha se Pentagoni vazhdon të punojë me Ministrinë e Mbrojtjes së Katarit rreth detajeve specifike të objekteve që do të zëvendësohen dhe modernizohen në bazën ajrore Al Udeid, dhe theksoi se qëllimi i zgjerimit të bazës është përmirësimi i aftësisë luftarake të forcave amerikane dhe i mirëqenies së personelit amerikan në këtë bazë.

Baza ushtarake ajrore Al Udeid strehon anëtarë të ushtrisë amerikane, shumica e tyre nga Forcat Ajrore, dhe konsiderohet një nga bazat më të rëndësishme ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit.

Aktualisht në Al Udeid janë më shumë se dhjetë mijë trupa të forcave amerikane, krahas trupave ndërkombëtare të Koalicionit Global në luftën kundër "ISIS". /Al Jazeera/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment