Rikthehet pas 10 vitesh njeriu anti-Merkel

Rikthehet pas 10 vitesh njeriu anti-Merkel

15:05, 01/11/2018
A+ Aa A-

Fridriech Merz, rivali i vjetër i Angela Merkelit, u shfaq në Berlin të mërkurën për të nisur përpjekjet për të pasuar kancelaren e Gjermanisë në krye të Bashkimit Kristin Demokrat (CDU).

‘Më quajnë Friedrich Merz, me E’, iu tha Merz reporterëve të shumtë të cilët mund t’ia kishin haruar emrin pasi nuk ia kishin dëgjuar për pothuajse një dekadë.

Merz vazhdoi duke shpjeguar se çfarë mendonte se kishte bërë gabim partia e tij që nga koha kur ai u largua dhe se çfarë do të ndreqte ai. ‘CDU duhet të krijojë qartësi për thelbin e sa. Ne duhet ta bëjmë të qartë që kjo parti është një parti e madhe e qendrës’, tha Merz. Ndonëse ai ka reputacion si kritik djathtist i Merkelit, centrizmi mbeti mesazhi kryesor i tij gjatë konferencës.

Ai minimizoi rivalitetin me Merkelin në fillim të viteve 2000. ‘Angela Merkel meriton respekt të madh për 18 vjetët e saj në krye të partisë. Nuk është sekret që unë nuk bija dakord me të gjitha vendimet e saj, por pa dyshim që ajo meriton respekt’, tha Merz. Pasi u ngacmua më gjatë për këtë çështje, Merz shtoi se ‘unë dhe Angela Merkel nuk kemi nevojë për pajtim’.

Gjithsesi, Merz nuk mund të rrinte pa disa kritika për stilin drejtues të Merkelit, sidomos në vitet e fundit, gjatë të cilave partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) doli në skenën politike. ‘Nuk mund të pranojmë që votuesit të bashkohen me lëvizjet populiste për shkak të frustrimit dhe zhgënjimit nga partitë e njohura’, tha ai. ‘Qortimi i votuesve nuk bën punë. Ajo çka duhet është një profil politik i qartë dhe zgjidhje politike’.

Ai nuk la shumë vend në konferencën 20-minutëshe për të shpjeguar se cilat do të ishin këto zgjidhje apo të thoshte nëse do të zgjidhte poltikë më të ashpër imigracioni. Ai u mjaftua të thoshte se migracioni ishte i pari në listën e sfidave të mëdha me të cilat përballet vendi, bashkë me globalizimin dhe ndryshimet klimatike.

Kritika tjetër e drejtpërdrejtë ishte që qeveria e Merkelit nuk i ishte përgjigjur siç duhej propozimit të presidentit francez Emmanuel Macron për ristrukturimin e Bashkimit Evropian. Në fakt ai parashikoi se ‘mbajtja e bashkuar e eurozonës’ do të ishte sfida më e madhe e menjëhershme.

Ndër tre kandidatët kryesorë që synojnë të pasojnë Merkel në krye të CDU, kandidatura surprizë e Merzit ka ngjallur thashetheme të shumta si kthimi hakmarrës i një njeriu me inate personale me kancelaren. Në 2002, ai humbi luftën e pushtetit me Merkelin kur kryetarja e partisë, e vendosur të konsolidonte pushtetin e saj pas humbjes së CDU në zgjedhje, mori edhe postin influencues të Merzit si kryetare e grupit parlamentar të CDU.

Pa u mbushur ende një orë nga njoftimi i vendimit të rivales së vjetër për t’u dorëhequr nga kreu i partisë, njeriu i tërhequr nga politika më 2009, kur dorëzoi mandatin e Bundestagut, kthehet befasisht me kandidaturën për të marrë postin e saj.

Në kohën që atëherë, Merz ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në financë. Ai është aktualisht kryetar i bordit mbikëqyrës në degën gjermane të BlackRock, korporata e menaxhimit të investimeve më e madhe në botë, e cila manaxhon asete me vlerë totale mbi 5.5 trilion euro në rang global. Merz u kujdes t’u përgjigjej kritikave për konflikt interesi.

‘Do të doja të vija në dukje se unë e mbikëqyr këtë kompani, por nuk e drejtoj atë’, tha ai. ‘Dhe në politikë është e mundur të kthehesh. E shoh shumë shpesh këtë në Amerikë; në Gjermani e shoh shumë rrallë’. Ai hodhi poshtë edhe sugjerimet se ai përfaqëson elementin neoliberal në CDU, duke e përshkruar veten si ‘ekonomikisht liberal me vlera konservative’.

Ta pikturosh kthimin e Merzit si aktin e një njeriu të plagosur që kërkon të nxjerrë inatin nuk e thua gjithë historinë. Pavarësisht hyrjes në biznes, ai nuk e braktisi kurrë plotësisht politikën dhe duke qenë lobues i mbajti gjallë kontaktet me CDU.

Së fundmi ai edhe është shpërblyer me detyra publike: kryeministri i landit të Nordrhein-Westfalen, Armin Laschet, shpesh i përmendur si pasues i mundshëm i Merkelit, e bëri Merzin komisioner të landit për çështjet e Brexit dhe marrëdhëniet trans-atlantike. Për disa vjet ai ka qenë edhe kryetar i Atlantik-Brücke (Ura Atlantike), një shoqatë që promovon lidhjet midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sido që të shkojë, kandidatura për kreun e CDU duket se e ka vënë në rrezik vendin e punës aktuale. Der Spiegel shkruante të mërkurën se kandidatura e tij kishte shkaktuar surprizë në BlackRock dhe një burim i brendshëm i tha revistës se nuk do të ishte i dëshiruar të kthehej në rast dështimi të përpjekjeve për t’u bërë kryetar i CDU.

Marrë nga DW-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco