Përballë kritikave, Trump dhe aleatët në Kongres përpiqen të zgjidhin problemin e kufirit

Përballë kritikave, Trump dhe aleatët në Kongres përpiqen të zgjidhin problemin e kufirit

08:58, 20/06/2018
A+ Aa A-

Për të ndjekur penalisht emigrantët e paligjshëm në SHBA" duhen larguar fëmijët," thotë Presidenti Donald Trump.

Në një fjalim të martën për pronarët e bizneseve të vogla në Uashington, zoti Trump nuk hoqi dorë nga qëndrimi i tij sfidues në klimën e kritikave intensive në të gjithë spektrin politik lidhur me politikën e administratës së tij për ndarjen e fëmijëve nga prindërit dhe nga të rriturit e tjerë në kufirin jugor me Meksikën kur ata hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump tha se ka vetëm dy alternativa: "ose kufij të hapur ose ndjekje penale". Ai tha se dëshiron që Kongresi t'i japë atij një mundësi të tretë: deportimin e familjeve si një e tërë.

"Ne nuk kemi siguri kufitare," tha zoti Trump, duke shtuar se kontrabanda e fëmijëve dhe e grave tani është "në shkallën më të rëndë në histori".

Ai akuzoi gjithashtu mediat për mënyrën se si e kanë raportuar këtë çështje, duke thënë se media po ndihmon kontrabandistët dhe trafikantët, të cilët shfrytëzojnë të çarat legjislative. Por ai nuk komentoi në hollësi.

Presidenti Trump i bëri komentet menjëherë pasi Dhoma amerikane e Tregtisë, një ent i fuqishëm, njoftoi kundërshtimin e saj ndaj politikës së administratës. Kjo organizatë lobuese, e cila përfaqëson biznese të mëdha, zakonisht mbështet kandidatët e Partisë Republikane.

"Mijëra fëmijë janë larguar me forcë nga prindërit e tyre nga qeveria jonë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta shprehur këtë - kjo nuk na përfaqëson denjësisht si amerikanë dhe duhet të marrë fund tani,” tha Presidenti i Dhomës, Tom Donohue.

Image

 

Presidenti Trump gjithashtu vuri në pikëpyetje nevojën e mijëra gjyqtarëve shtesë për të trajtuar rastet e emigracionit.

"Kush janë këta njerëz?" pyeti zoti Trump. "A mund ta imagjinoni korrupsionin që duhet të ketë ndodhur në këtë rast?" Presidenti tha se në vend të më shumë gjyqtarëve, ai dëshiron më shumë siguri kufitare. "Nuk dua të dërgoj njerëzit në gjyq. Unë nuk dua që ata të vijnë fare," deklaroi ai.

Zoti Trump shprehu gjithashtu zhgënjim me fqinjin jugor të Amerikës. "Meksika nuk po bën asgjë për ne", akuzoi Presidenti Trump. "Ata mund ta kishin ndalur këtë".

Meksika komentoi përpara fjalimit të zotit Trump, me një kritikë të fortë.

Image

 
"Në emër të qeverisë dhe popullit meksikan, dua të shpreh dënimin tonë më kategorik dhe energjik për këtë politikë mizore dhe çnjerëzore", tha në një konferencë për shtyp ministri i jashtëm Luis Videgaray.

Të martën, zoti Trump përsëri fajësoi demokratët e opozitës për mosmarrëveshjen e kufirit, edhe pse ishte administrata e tij që vendosi të ndjekë politikën e ndarjes së fëmijëve.

Bisedime dhe projektligje për imigracionin

"Kongresi nuk ka nevojë ta rregullojë këtë. Administrata mund ta rregullojë atë vetë," tha kongresmeni republikan Ryan Costello, për rrjetin MSNBC pas një vizite të presidentit në selinë e Kongresit për të folur me konferencën republikane të Dhomës së Përfaqësuesve.

Sipas republikanit Mark Meadows, zoti Trump u tha ligjvënësve se duhet të bëjnë diçka për imigracionin "menjëherë". Duke u larguar nga Kongresi, presidenti tha: "Këto janë ligje që janë shkeur prej shumë vitesh dhe dekadash." Ai e përshkroi seancën me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve si “të shkëlqyer”.

Image

 

Në komentet për ligjvënësit, sipas sekretarit të përgjithshëm të shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah, zoti Trump "shprehu mbështetje për të dy projektligjet mbi emigracionin në Dhonën e Përfaqësuesve, të cilat parashikojnë ndërtimin e një muri kufitar, mbushin të çarat ligjore, anulojnë lotarinë e vizave, këpusin emigracionin zinxhir si dhe zgjidhin krizën kufitare dhe ndarjen e familjeve, duke parashikuar ndalimin dhe largimin e familjeve si njësi të tërë". Ai u tha anëtarëve:" Unë jam me ju 100 për qind ".

Kreu i Komisionit për Sigurinë e Vendit, Michael McCaul e përshkroi takimin me zotin Trump si të shkëlqyer dhe konfirmoi se presidenti e përqafoi projektligjin që ai dhe kongresmeni Bob Goodlatte po përpiqen të miratohet në Kongres.

"Presidenti e mbështet atë një mijë për qind," tha McCaul.

I pyetur nëse legjislacioni do t'i jepte fund ndarjeve familjare, ai u përgjigj: "Ata nuk do të ndahen nëse ligji miratohet”. McCaul shpjegoi se projektligji parashikon 18 miliardë dollarë për një mur kufitar, që është edhe dëshira e Presidentit Trump.

Kongresi është i vendosur të votojë më vonë gjatë javës për dy projektligje. Nuk është e qartë se scili prej tyre ka vota të mjaftueshme për të fituar.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell tha të martën se "të gjithë anëtarët e konferencës republikane mbështesin një plan që i mban familjet të bashkuara", duke shtuar se ai synon t'i kërkojë demokratëve ta mbështesin projektin.

Image

 
?Financimi i murit kufitar

Në një takim me senatorët republikanë të hënën, zoti Trump kërcënoi se do të mbyllë qeverinë në fund të shtatorit, (viti i ri financiar fillon më 1 tetor), nëse Kongresi nuk miraton 25 miliardë dollarë financim për një mur përgjatë kufirit me Meksikën për të penguar migrimin e mëtejshëm ilegal në SHBA. Deri tani, Kongresi ka miratuar pak fonde për murin, duke mos e lejuar zotin trump të përmbushë një prej premtimeve të tij kryesore të fushatës presidenciale.

Ligjvënës të shumtë republikanë dhe demokratë kanë bërë thirrje që zoti Trump të heqë dorë nga politika etij kufitare si diçka e paefektshme. Të katër zonjat e para të SHBA-së - Michelle Obama, Laura Bush, Hillary Clinton dhe Rosalynn Carter - kanë dënuar ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre.

Për të protestuar ndaj politikës së zotit Trump për ndarjen e familjeve kur mbahen në arrest, guvernatori republikan Larry Hogan i Merilendit tërhoqi kontigjentin e vogël të Gardës Kombëtare të këtij shteti nga kufiri ku kishte shkuar për të ndihmuar agjentët federalë. Një tjetër guvernator republikan, Charlie Baker i shtetit Masaçusets, hoqi dorë nga oferta e një dite më parë për të dërguar trupa në kufi.

Zërat dhe fytyrat e fëmijëve

Zërat dhe fytyrat e fëmijëve nga Amerika Qendrore të ndarë nga prindërit e tyre në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, janë duke i dhënë tani një element njerëzor debatit lidhur me “politikën e tolerancës zero” ndaj imigrantëve të paligjshëm të Presidentit Donald Trump.

Mbarë bota pati rastin të hënën të dëgjonte të qarat e fëmijëve të ndarë nga prindërit, përmes një regjistrimi në audio të publikuar nga faqja në internet e gazetarisë investigative, "ProPublica". Fëmijët dëgjohen duke ju lutur agjentëve të imigracionit, që të lejohen të rrijnë me “mamin”, apo “babin”, ndërsa prindërit e tyre merreshin në pyetje, në qendra ndalimi, të shkëputur nga fëmijët e tyre.

Në një përpjekje për të zgjidhur situatën e imigracionit të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, administrata Trump, të paktën që nga muaji prill, ka filluar t’i ndajë fëmijët nga prindërit, që hyjnë në mënyrë të paligjshme në kufi.

Gjatë javëve të fundit, kanë qarkulluar mjaft lajme për fëmijët e mbajtur nëpër qendra, numri i të cilëve ka ardhur duke u rritur. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, nga 19 prilli deri më 31 maj të këtij viti, janë ndarë nga prindërit, apo të rritur të tjerë me të cilët ata kanë qenë duke udhëtuar, rreth 2 mijë fëmijë.

Një video e publikuar të hënën nga Zyra Kufitare dhe e Doganave paraqet kushtet e jetesës së fëmijëve që mbahen në një vendstrehim, por shumë kanë shprehur shqetësim se video e paraqitur nga zyrtarët, mund të mos jetë një përshkrim real i situatës.

Përmes komenteve në Twitter, Donald Trump i doli përsëri në mbrojtje politikës për sigurinë kufitare, që solli ndarjen e fëmijëve nga prindërit. Grupe të të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësim për situatën e krijuar në qendrat ku mbahen fëmijët në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. /VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco