Hetuesit: Raketa që rrëzoi avionin MH17 përkiste një brigade ruse

Hetuesit: Raketa që rrëzoi avionin MH17 përkiste një brigade ruse

14:48, 24/05/2018
A+ Aa A-

Raketa që rrëzoi avionin e Malaysia Airlines mbi Ukrainën lindore më 2014 i përkiste një brigade ruse, kanë bërë të ditur hetuesit ndërkombëtarë.

Për herë të parë, ekipi i udhëhequr nga holandezët ka deklaruar se raketa erdhi nga një njësi me bazë në Rusinë perëndimore.

Të 298 personat në bordin e Boeing 777 vdiqën kur ai shpërtheu në ajër, teksa fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur.

Ai u godit nga një raketë e nisur nga territori i kontrolluar nga rebelët në Ukrainë. Rusia ka deklaruar se asnjë nga armët e saj nuk është përdorur.

Por Wilbert Paulissen, zyrtar holandez nga Ekipi i Përbashkët i Hetimit (JIT) deklaroi sot për gazetarët: "Të gjithë automjetet në një autokolonë që transportonte raketa ishin pjesë e forcave të armatosura ruse”.

Ai tha se pas studimit të të gjitha fotove e videove, hetuesit ishin në gjendje të gjurmonin autokolonën në brigadën e 53-të të Rusisë, e cila përbëhet nga 300 persona, me bazë në qytetin e Kurskut.

Çfarë ndodhi me MH17?

Incidenti nddhi në kulmin e konfliktit midis qeverisë dhe separatistëve pro-rusë.

Aeroplani u nis nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit më 17 korrik 2014 dhe do të mbërrinte në Kuala Lumpur të Malajzisë ditën tjetër.

Ai humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror rreth 50 kilometra larg kufirit Rusi-Ukrainë.

U rrëzua në zonën e Donjeckut, në territorin e kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Video të publikuara më pas nga qeveria ukrainase pretendonin se një raketë Buk, prodhim rus, ishte zhvendosur përtej kufirit rus të nesërmen.

Çfarë është thënë për incidentin?

Në tetor 2015, Bordi Holandez i Sigurisë arriti në përfundimin se aeroplani ishte goditur vërtet nga një raketë Buk.

Shtator 2016, JIT – i cili përfshin zyrtarë nga Holanda, Australia, Belgjika, Malajzia dhe Ukraina – arriti në një përfundim të ngjashëm në një raport paraprak.

Raporti përmendte “fakte të pakundërshtueshëm” që raketa ishte sjellë nga territori rus dhe u ngrit nga një fushë e kontrolluar nga luftëtarët pro-rusë.

Hetuesit simuluan trajektore të ndryshme të raketës. Ata treguan se ajo kishte shpërthyer disa metra mbi hundën e aeroplanit, duke e goditur mjetin fluturues me një shi copëzash.

Rusia ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e forcave të saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco