Takimi Trump-Kim dhe dyshimet rreth zhvillimit të tij

Takimi Trump-Kim dhe dyshimet rreth zhvillimit të tij

18:24, 23/05/2018
A+ Aa A-

Presidenti amerikan Donald Trump tha dje se nuk është i sigurt nëse takimi i tij me udhëheqësin e Phenianit do të zhvillohet. Megjithatë, sipas tij po ecet përpara me planet në lidhje me këtë çështje, pavarësisht kërcënimeve të Koresë së Veriut për të hequr dorë nga takimi i nivelit të lartë. Komentet e tij zoti Trump i bëri gjatë një takimi me Presidentin e Koresë së Jugut Moon-Jae-in.

Takimi i Presidentit Trump me homologun e tij të Koresë së Jugut në Shtëpinë e Bardhë, u zhvillua në një kohë kur takimi i tij muajin e ardhshëm me udhëheqësin e Phenianit Kim Jong Un, mbetet në pikëpyetje.

"Ka disa kushte që ne duam të jenë dhe mendoj se do t’i vendosim. Nëse kjo nuk ndodh, nuk ka takim. Nëse nuk ndodh tani, ndoshta do të ndodhë më vonë, në një moment tjetër", tha presidenti Trump.

Koreja e Veriut nisi të hedhë hije dyshimi mbi mundësitë e mbatjes së takimit, kjo pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut nisën manovrat ushtarake.

Si dhe pas sugjerimit të këshilltarit amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton për zbatimin e "modelit libian" për kryerjen e çarmatimit bërthamor të Phenianit.

Kjo si referencë ndaj udhëheqësit të Libisë Moammar Gadhafi, i cili i dorëzoi armët bërthamore që dispononte vendi i tij në vitin 2003.

Tetë vjet më pas ai u rrëzua nga pushteti.

Ai u hodh në kanal dhe u qëllua në kokë, gjatë një kryengritjeje të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Dje presidenti Trump këmbënguli se udhëheqësi i Phenianit nuk ka asnjë arsye të shqetësohet, nëse heq dorë nga armët bërthamore.

"Po, ne do t’i garantojmë atij sigurinë dhe kemi folur për këtë që në fillim. Ai do të jetë i sigurt, i lumtur. Vendi i tij do të jetë i pasur, do të punohet fort dhe do të jetë shumë i begatë".

Por ndërkohë Koreja e Veriut ka vazhduar kritikat e forta ndaj manovrave të përbashkëta ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut, ashtu siç po përgatitet të shkatërrojë këtë objekt ku kryhen prova bërthamore, në bregun lindor, më vonë gjatë kësaj javë.

Sipas ekspertëve, sinjalet e ndryshme që vijnë nga Pheniani, janë rezultat i dekadave të tëra armiqësie, që nuk mund të tejkalohen lehtë.

"Ka shumë mosbesim tek të dyja palët, se ideja për atë që dikur quhej "veprim në këmbim të veprimit", pra nëse ata bëjnë diçka, ne bëjmë diçka dhe kështu gradualisht ndërtohet besimi. Mendoj se kjo ndoshta do të jetë qasja e presidentëve Trump e Moon në raport me Phenianin", thotë Robert Manning i Këshilli të Atlantikut

Por nëse kjo do të funksionojë, mbetet për t’u parë.

/VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco