VIDEO+FOTO/ 2 vjeçari që po mban Botën në ankth, vazhdon të mbijetojë edhe pas fikjes së aparaturave

VIDEO+FOTO/ 2 vjeçari që po mban Botën në ankth, vazhdon të mbijetojë edhe pas fikjes së aparaturave

21:30, 24/04/2018
A+ Aa A-

Foshnja e moshës 2 vjeç, Alfie Evans, po mban në ankth zemrat e shumë miliona njerëazve në mbarë Botën.

Edhe pse mjekët i hoqën aparaturën e frymëmarrjes artificiale, duke u shprehur se ai nuk kishte më forcë për të mbijetuar, 2 vjeçari reagoi edhe pas fikjes së aparaturave.

Pas kësaj ka nisur një seancë urgjente këtë pasdite në gjykatën e Mançesterit, ndërkohë që një helikopter-ambulancë rrinte në gatishmëri, në pritje të vendimit për ta dërguar fëmijën në Itali, ku autoritetet italiane ndërhynë që të vazhdonin ta mbanin në jetë.

Gjatë seancës, gjykatësi u tha mjekëve që fëmija duhej lënë të vdiste në shtëpi.

Prej disa muajsh, Alfie ndodhet në qendër të një sërë betejash ligjore midis prindërve dhe zyrtarëve britanikë të shëndetësisë dhe drejtësisë. Gjykatësit dhe mjekët ranë dakord që ishte më njerëzore që të fikeshin pajisjet dhe fëmija të lihej të vdiste, por 2-vjeçari vazhdoi të jetojë e të marrë frymë.

Prindërit kanë pasur disa përballje ligjore që fëmija të vazhdojë të mbahet në spital. Ata arritën deri aty sa t’i japin fëmijës nënshtetësi italiane që ta dërgojnë në Romë, ku të vazhdojë të mbahet në jetë nëpërmjet pajisjeve.

Por më parë çështja duhej zgjidhur në gjykatat britanike.

Ndërkohë të shumtë kanë qenë qytetarët britanikë të cilët kanë protestuar përpara spitalit, duke tentuar të hyjnë me forcë, e duke kërkuar që të mos i hiqen aparaturat. Edhe Papa Françesku ka kërkuar që të dëgjohen lutjet e prindërve të vogëlushit.

Sëmundja nga e cila vuan vogëlushi është ende misterioze. Ai prej 9 Majit 2016 është në gjendje gjysmë-vegjetative, ndërsa neurologët kanë përcaktuar se fëmija vuan nga Sindroma e Shterimit të ADN-s Mitokondriale.

Kjo do të thotë që trupi i fëmijës nuk arrin të prodhojë energji për muskujt, veshkat dhe trurin. Kjo sindromë është pothuajse gjithnjë fatale për fëmijët e vegjël, edhe pse disa arrijnë të shtyjnë deri në adoleshencë.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco