Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Botërori në rrezik/ Akuza mes Kremlinit dhe Londrës për ish-spiunin e dyfishtë...

Botërori në rrezik/ Akuza mes Kremlinit dhe Londrës për ish-spiunin e dyfishtë...

19:03, 13/03/2018
A+ Aa A-

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, mohoi se Kremlini qëndron pas helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal, dhe të vajzës së tij në Britani. Ai refuzoi kërkesën e Londrës për shpjegim në lidhje me incidentin.

“Rusia nuk është fajtore”, tha Lavrov në një konferencë për media në Moskë.

Autoritetet britanike thonë se sulmi kundër Skripalit ka qenë i qëllimshëm dhe se për kryerjen e tij është përdorur një agjent nervor shumë toksik, i cili është zhvilluar në Rusi.

Por, Lavrov ka theksuar se Britania e Madhe duhet t’i përmbahet Konventës për Parandalimin e Armëve Kimike dhe t’i sigurojë Rusisë qasje në mostrat e agjentit nervor që pretendohet të jetë përdorur për helmimin e Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

“Sapo dolën thashethemet e ushqyera nga udhëheqësit britanikë mbi faktin se një substancë e prodhuar në Rusi është përdorur në helmimin e Skripalit, ne kërkuam menjëherë qasje në mostrat e kësaj substance, në mënyrë që ekspertët tanë të mund t’i analizojnë ato në përputhje me Konventën e Parandalimit të Armëve Kimike”, tha ai.

Lavrov e bëri të qartë se Moska nuk do të plotësojë kërkesën e Britanisë për shpjegime deri në fund të ditës.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se ka “shumë gjasa” që Rusia të qëndrojë prapa helmimit, shefi i mbikëqyrësit të armëve kimike globale tha se është “jashtëzakonisht shqetësuese që agjentët kimikë ende përdoren për të dëmtuar njerëzit”.

Ndërkohë Londra po mendon mundësinë e largimit të diplomatëve rusë dhe ndalimin e vizitave në Britani të qytetarëve rusë të lidhur me Vladimir Putin.

Masa të rrepta që mund të shkojnë në konfiskimin e shumave të mëdha të parave që oligarkët rusë kanë çuar në  Britani, aq sa edhe kryeqyteti tashmë quhet “Londongrad”.  

“Nuk do të toleroj asnjë vrasje civilësh në territori tonë“, theksoi May.

Flitet madje edhe për bojkot të Kupës së Botës që mbahet në Rusi, jo të skuadrës, por të zyrtarëve që do të shoqërojnë kombëtaren.

Ministria e Jashtme ruse ka thirrur ambasadorin britanik në Moskë, Laurie Bristow, mbi çështjen në fjalë, duke vijuar kështu një luftë të vërtetë diplomatike.

Sergei dhe Yulia Skripal janë gjetur pa vetëdije jashtë një qendre tregtare në qytetin Sallsbëri të Britanisë, më 4 mars.

Ata janë dërguar në spital, ku vazhdojnë të mbeten në gjendje kritike.

Polici që i është përgjigjur i pari incidentit është po ashtu në gjendje të rëndë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco