Institucionet publike dhe sektori privat, rreziku i përdorimit në shërbim të pushtetit-Nga Qemal Çejku

Institucionet publike dhe sektori privat, rreziku i përdorimit në shërbim të pushtetit-Nga Qemal Çejku

15:44, 05/03/2023
A+ Aa A-

Nga Qemal Çejku

Kur fushata elektorale sa vjen e po afrohet, ajo që po cenon realisht klimën për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është zbatimi i një strategjie shantazhi, i një plani disponibiliteti gati-tu të çdo nëpunësi publik.

Para presionit të pushtetit që synon me çdo kusht mandatin tjetër, i rrezikuar nuk është vetëm qytetari i thjeshtë dhe i nënshtruar nga varfëria, por janë të gjithë të punësuarit në shërbime publike si mësues, mjekë, infermierë, policë, administratë lokale, administratë qendrore.

Nga ana tjetër taktikat e patronazhimit dhe aktivistët po dëshmojnë se në sitën e presionit janë përfshirë, shoqëri civile, biznese, banka, kompani private të sigurimeve dhe shumë sektorë të tjerë.

Kjo politikë e implikimit me interesat e pushtetit në nivel kapilar të çdo hallke të shoqërisë, dëshmon makthin e pushtetit, të cilit po i ikën kontrolli nga njëra anë, por dhe rrezikun që po përballen ekuilibrat tejet të brishtë të demokracisë në Shqipëri. Vendimi më i fundit i Gjykatës së Apelit për çështjen e vulës e dëshmon katërcipërisht mbizotërimin e kësaj klime në shoqërinë tonë.

Duke qenë se fusha e interesit tim janë mësuesit e përcjell me shumë shqetësim ekspansionin e fushatës së zonjës Kushi që po thërret në kauzë elektorale çdo mësues. Në Elbasan po militojnë në qarkun e partisë, mësues që nuk kanë lidhje me politikën dhe kjo quhet abuzim në rastin më të mirë.

Veliaj i kullave dhe shkatërruesi i hapësirave publike në Tiranë ka kthyer në rreth të gjithë të punësuarit në bashki dhe në të gjitha ndërmarrjet në varësi. Kur ai del live, të gjithë punonjësve iu kërkohet ta shpërndajnë postimin, e nëse dikush nuk e bën, humbet vendin e punës. Po të bëjmë një përllogaritje të thjeshtë; sipas një raporti të fundit të INSTAT në qershor të këtij viti, numri i punonjësve në administratën publike shkoi në 185 mijë, 1 në 3 të punësuar në shtet. Shqipëria kryeson Europën me përqindjen më të lartë, Norvegjia është e dyta.

Numri i shqiptarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e vitit 2021 ishte afërsisht 3.59 milionë vetë (3 588 869), ndërsa numri i atyre që morën pjesë në votime ishte rreth 1.66 milionë (1 662 253). Partia socialiste në zgjedhjet e vitit 2021 ishte fituese me 768 250 vota prej të cilëve 185 000 janë administratë publike.

Nëse këta me dëshirë apo me detyrim do të bëheshin koordinatorë të pushtetit për të mbledhur vota jo vetëm nga familjarët e tyre , pasi ata janë detyrim, por për të ndikuar edhe në lagje apo në rrethe miqësore, atëherë bëhen shumë dhe kështu një gjë është e sigurtë: qeverisja kthehet në pushtet e pushteti i çimentuar në një makineri të rrezikshme, duke e postuar kështu shoqërinë tonë në një diktaturë de facto.

Pa folur për ndikimet në biznesin privat, pasi numri i personave të punësuar në total është 650 000 në sektorin publik dhe në sektorin privat. Nëse veprojnë ashtu si po kërkohet nga qeveritarët qendrorë dhe 6% lokalë, atëherë shpresa për ndryshim ka vdekur në Shqipëri dhe votimet nuk do të ndryshojnë me sistemin autokratik në Rusi i cili po shtrin invazionin e territorit me instrumentet e luftës.

Ajo çfarë del si një apel emergjence është se shoqëria civile, institucionet ndërkombëtare në Tiranë duhet të nisin punën me fushata dhe takime për të ndërgjegjësuar rëndësinë a apolitizimit të administratës dhe shkëputjes së çdo lidhjeje të saj në përfshirjen e saj në fushatë. Një administratë publike funksionale jo e politizuar, jo e marrë peng dhe urdhëruar nga pushteti, është parakusht për qeverisje demokratike transparente dhe efektive.

Administrata luan një rol thelbësor në procesin e integrimit evropian duke bërë të mundur zbatimin e reformave thelbësore dhe organizimin e dialogut efikas të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE). Një administratë partiake dhe e kapur nga pushteti nuk mundet kurrsesi ta kryejë këtë mision, prandaj kriteret e zgjerimit të BE-së e pranojnë dhe theksojnë nevojën që vendet të krijojnë një administratë publike kombëtare që ka kapacitetin të ndjekë PARIMET e qeverisjes së mirë publike dhe të transpozojë e të zbatojë në mënyrë efikase EU acquis.

Deri tani nuk gjendemi aspak në rrugë të mbarë, por premisat për ndryshimin epokal duhet të ngrihen sa më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco