Yuri Kim, jo vetëm një zhgënjim!

Yuri Kim, jo vetëm një zhgënjim!

16:00, 04/03/2023
A+ Aa A-

Nga Ibraim Morina 

Nuk gjej fjalë të përshkruaj vendimin më të fundit të Gjykatës së Përgjithshme të Apelit, mbrëmjen e së premtes. Një gjyq, që fatin e tij e kishte të parashkruar me zvarritjet prej rreth një viti e gjysmë, qartazi pritej të përfundonte, siç përfundoi. Olta Xhaçka, nga pozitat e “profetes” nuk zhgënjeu me “parashikimin” e bindur të saj, e cila e shndërroi disa ditë më parë treshen e gjyqtarëve të Apelit, në zëdhënëse të saj. “Merita” nën rrogoz, për këtë vendim gjykate, i takon ministres shqiptare të Jashtme.

Por, realisht “kontributin” e madh për këtë vendim e kanë dy persona të tjerë, kryeministri Edi Rama dhe “guvernatorja” amerikane e vetëshpallur e Shqipërisë, Yuri Kim. Kush tenton të kundërshtojë, as vetë nuk e beson dhe nuk e zhvlerëson rolin e këtyre dy “dashnorëve” të instalimit të neo-diktaturës në Shqipëri.
***
Për Edi Ramën nuk kam ndonjë sadisfaksion. Brenda pritshmërive, ai është në rregull në misionin e tij shkatërrues të opozitës në Shqipëri. Për mua ZHGËNJIMI I MADH është Yuri Kim. Një zyrtare e cila në shkallën e hierarkisë në SHBA është në nivelin e kryetarit të njësisë administrative më të fundit në Shqipëri, gjen kurajën të mos lërë rast pa na demonstruar sa mirë i rri asaj mbështetja në gjoksin e Edi Ramës.

Dhe kjo ngjizje e cila sinkronizon jo vetëm rrahjet e zemrave të tyre, por edhe mendimet dhe vendimet e tyre, kulmoi mbrëmjen e së premtes, ku një vendim gjykate e shndërroi në “shumë zhurmë për asgjë” reformën e pretenduar të drejtësisë. Për Yuri Kim kjo reformë ka pasur të vetmin qëllim, të diktojë vendime gjykate, herë duke trokitur vetë në dyert e gjyqtarëve dhe herë duke dërguar në sallën e gjyqit, për presion, misionarët e saj.

Në fakt togfjalëshi ZHGËNJIMI i MADH nuk mjafton për të etiketuar të fundmen në hierarkinë amerikane, por “guvernatore” në Shqipëri. Asaj do ti shkojë më për shtat të etiketohet me meritë, si instaluese e neo-diktaturës në Shqipëri. Pretendimet se ajo përfaqëson vullnetin e qeverisë amerikane, janë dokrra.

Një shtet, më i fuqishmi në botë, i cili është investuar historikisht në vendosjen dhe forcimin e demokracisë kudo nëpër rruzullin që quhet Tokë, nuk mund të lërë fatin e demokracisë shqiptare në duart e Yuri Kim. Nuk besoj se qeveria amerikane e ka pasur merak se do ia lënë vulën minorancës së PD-së, apo do t’ia marrin. Por Yuri Kim, e ka pasur vërtet merak. Jashtë kontrollit të qeverisë amerikane, në agjendën e saj personale, meraku i vetëm i saj ka qenë ti zgjasë sado pak ditët në pushtet Edi Ramës. Këtë, me paturpësinë më të madhe, ajo as nuk e fsheh..., dhe jo vetëm...
***
Qëndrimi dhe sjellja e Yuri Kim ka edhe anën tjetër të medaljes, e cila personalisht për mua, është pa frikë, jo më e dhimbshme, por pse jo edhe më e frikshme..., privimi që ajo po më bën nga e drejta themelore..., për të zgjedhur. Kjo, padyshim falë meritës së pakursyer të Yuri Kim.

Po, po...!

Në qoftë se SHBA më se 32 vjet më parë ma dha këtë të drejtë, një ambasadore amerikane merr guximin në vitin 2023 të ma heqë këtë të drejtë.

Gjatë gjithë jetës sime, të paktën para vitit 1990, i mbushja ditët me shpresën se nuk do të vononte ardhja e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Me sytë nga SHBA dhe veshët te VOA (“Zëri i Amerikës”), përktheja me optimizëm çdo mesazh që vinte nga përtej oqeanit. Dhe ajo ditë, erdhi. Ato që pasuan, sigurisht me vështirësitë e tranzicionit të sistemeve po bënin realitet ëndrrën shumëvjeçare jo vetëm timen, por të gjithë shqiptarëve...

Por me sa duket, si çdo ëndërr, edhe kjo po shkon drejt fundit të saj... Sigurisht nuk kemi pse të harrojmë të përmendim meritën e Yuri Kim.

Me qëndrimin dhe investimin e saj, amerikania Yuri Kim, si me urdhër të peshkut e shndërroi në kazus çështjen e një vule partie, në dukje. Dhe jo vetëm kaq, por ajo ka vendosur që këtë vulë ta mbajë një pakicë në PD, shumë më e vogël se një minorancë. Me këtë vendim të saj, të lexuar nga tre gjyqtarë Yuri Kim, i bëri shërbimin më madhor Edi Ramës, por në kurrizin tim.

Nga mbrëmja e së premtes, unë nuk kam asnjë të drejtë për të zgjedhur, sepse kështu vendosi në emrin tim, Yuri Kim. Për atë nuk kanë rëndësi ata mijëra protestues që po mbushin rrugët dhe sheshet e Tiranës. Ata, ajo nuk i konsideron, bile edhe i shpërfill. Bashkë me ata edhe mua.

Ajo mendon se duke i dhënë vulën një pakice, e shndërron atë në një patericë të Edi Ramës. Por Yuri Kim harron se PD, nuk është çështje e një vule. Ajo është shumë më shumë se kaq, është çështje bashkimi e vullneti e qindra mijëra njerëzve që i janë bashkëngjitur asaj dhe se fatin e kësaj partie nuk mund ta përcaktojnë rrogëtarë amerikanë që sillen si guvernatorë në Shqipëri...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco