Lajmi i fundit

LIVE/ Mblidhet Këshilli Bashkiak i Himarës për drejtuesin e ri

Goditja e klaneve të trafikut nga Meksika, një paralele me goditjen e tyre në Shqipëri

Goditja e klaneve të trafikut nga Meksika, një paralele me goditjen e tyre në Shqipëri

21:11, 20/01/2023
A+ Aa A-

Nga Dashamir Biçaku*

Në sytë e botës, por sigurisht në sytë tanë, të shqiptarëve, Meksika është e njohur për shumë fenomene të ndryshme, që nga sitet arkeologjike të fiseve Maja e Asteke, për kulinarinë, tabaskon e njohur përcëlluese, tangot, kapelën e famshme rrumbullake të gjerë me majë, por dhe pse jo, për futbollin. Por në tri dekadat e fundit, lufta e përgjakshme e karteleve dhe bandave meksikane që qarkullojnë miliarda dollarë duke hedhur në tregun rajonal kokainë e metafetaminë, duket se ua ka zbehur jo pak famën dhe bukurinë këtyre traditave të hershme meksikane.

Si pjesë e lojës së klaneve dhe organizatave meksikane kemi parë të lakohen edhe emra nga Shqipëria, të përzierë në biznese të pastra në dukje, por me burime të dyshimta në origjinën e tyre. Në kulmin e përfshirjes së organizatave kriminale në trafikun e drogës në drejtim të rajonit apo vendeve të BE-së, Meksika duket se po gjen kurajon për të goditur organizatat dhe klanet kriminale që kanë qeverisur ‘de fakto’ pjesë të Meksikës, në mënyrë paralele me shtetin ligjor, në tri apo katër dekadat e fundit.

Duket se qeveria  meksikane po përpiqet seriozisht të rivërë vendin nën kontrollin e shtetit ligjor. Kjo nisur edhe nga arrestimi së fundmi i Ovidio Guzmanit, një prej shumë fëmijëve të ‘EL Chapo-s’, i njohur si kreu i klanit të SINALOA-s, i ekstraduar dhe i dënuar në SHBA me burgim të përjetshëm. Edhe pse operacioni i cilësuar si një nga më të rëndësishmit pas arrestimit të El Chapo-s, përfundoi me arrestimin e ‘De Guzmanit të Ri’, viktimat nuk qenë të pakët, rreth 29 të vrarë, mes të cilëve nuk mungonin edhe punonjës të policisë meksikane.

Kjo ofensivë e ashpër ndaj klaneve mafioze duket se lindi në fillim të vitit 2012 dhe duket se lufta po bëhet edhe më e përgjakshme mes bandave e grupeve që kontrollojnë zona të caktuara, por edhe me shtetin. Por nga ana tjetër, edhe reagimi i qeverisë meksikane ka qenë thuajse i njëkohshëm. Shumë nga të vrarët duket se janë krejtësisht të pafajshëm, jo pak nga strukturat e policisë, ushtrisë dhe qeverisë, por dhe të radhëve të trafikantëve të drogës që kërkojnë shtigje e hapësira për produktet e tyre të narkotikëve. Duket si një luftë e ngjashme e klaneve të ‘Cosa Nostrë-s’, në vitet ’70-‘80 të shekullit të kaluar.

Disa prej grupeve dhe organizatave apo familjeve luftonin mes tyre për pushtet, por edhe ndaj qeverisë. Vrasja e Karlo Alberto Dala Kiezës (Carlo Alberto Dalla Chiesa), dhe e efektivëve të policisë në Jug të Italisë dhe në Siçili, duket se ishte fillimi i fundit të familjeve mafioze. Sigurisht, kupa u mbush me vrasjen e Xhovani Falkones dhe sivëllait të tij, Paolo Borselino, të cilët zbërthyen mafien falë rrëfimit të bosëve të drogës në Amerikë, por dhe të penduarit të famshëm Tomazo Busheta e Françesko Manoia. Ndërsa së fundmi, Mateo Mesina Denaro, pas arrestimit të Toto Rinës dhe Bernard Provencanos, mbetet qershia mbi tortë për policinë italiane.

Përkundër gjithë këtij epilogu të gjatë mbi lidhjet logjike të goditjeve të krimit të organizuar në Meksikë dhe në Itali, sytë në Shqipëri mbeten nga SPAK-u, Policia e Shtetit, agjencitë e tjera të rëndësishme ligjzbatuese, për goditjen e kokave të grupeve mafioze në Shqipëri apo pjesëve përbërëse të krimit të organizuar, që nga grupet që shtrëngojnë, me të mirë apo me të keq, bizneset t’iu paguajnë gjoba personave të ndryshëm me pretekstin se nuk do t’i ngasin apo do t’i mbrojnë. ‘Sulmi’ i policisë në Shkodër ndaj një rrjeti kamerash të instaluara për të vëzhguar lëvizjet e policisë duhej të ishte kryer kohë më parë, por më mirë vonë se kurrë.

Po kështu, edhe veprimet e policisë duke kontrolluar banesat e Ervis Martinajt, pas zhdukjes së tij. Ndërkaq, prej disa ditësh policia ka vijuar të kryejë një operacion në Nikël të Krujës, Durrës, Tiranë dhe qytete të tjera lidhur me hetimet mbi atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, vrasjen e shoferit të tij, Andi Maloku dhe plagosjen e Aleksandër Lahos, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’. Disa prej eksponentëve kryesorë të grupeve të vendosura në këto qytete janë arrestuar apo janë lëshuar urdhër-arreste lidhur me këtë ngjarje apo për ngjarje të tjera.

Sigurisht që këto raste janë shenja të forta dhe duhen inkurajuar si shpresëdhënëse për ashpërsimin e forcës së ligjit, siç po bën tashmë policia dhe SPAK-u. Por nga ana tjetër, goditje të tilla dhe hetime ndaj personazheve që përfaqësojnë majat më të larta të botës së krimit në Shqipëri, nuk ka nevojë të pritet që të zhduken si rastësisht apo si rrethanë e hakmarrjes së grupeve rivale. Hetimet provokative, proaktive apo të lindura nga rrëfime të të penduarve, mund të bëhen edhe pa u bërë shumë zhurmë në media, e madje edhe pa iu ‘shitur’ fashikujt e dosjeve.

Goditjet mund të jenë më eficente nëse ato do të bëhen që në fazat e para të zhvillimit të tyre, pa mbërritur te momenti kur iu rrezikohet jeta oficerëve të policisë apo kujtdo tjetër. Unë mendoj se policia shqiptare, SPAK-u apo organe të tjera ligjzbatuese nuk kanë nevojë të presin që në Shqipëri të vriten oficerë të lartë si Artan Cuku, Dritan Lamaj apo të tjerë, të cilët mund të kenë një kontribut të rëndësishëm apo modest në radhët e policisë dhe shtetit shqiptar. Shembulli dhe mesazhi i Meksikës në përballjen me organizatat kriminale dhe kartelet e drogës është i qartë dhe i thjeshtë.

Nëse një vend me një të shkuar dhe të tashme të komplikuar gjen kurajon dhe njerëzit e duhur për të goditur krimin e organizuar, sigurisht që ne në Shqipëri nuk ka pse të mos i kemi këta njerëz me kurajo dhe kapacitete për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin apo shkrirjen e të dy këtyre fenomeve së bashku.

*Gazetar i aktualitetit dhe kronikës së zezë, aktualisht jeton në Francë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco