Shefi i ri SPAK-ut, sfidat dhe paratë që vijnë nga Amerika Latine

Shefi i ri SPAK-ut, sfidat dhe paratë që vijnë nga Amerika Latine

13:58, 18/12/2022
A+ Aa A-

Nga Dashamir Biçaku 

Zgjedhja e Altin Dumanit si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në vend të Arben Krajës, duhet vlerësuar si mundësi për të riparë luftën ndaj krimit të organizuar në tërësi, korrupsionit e dukurive të tilla që prekin administratën publike në Shqipëri. Emri i Dumanit, por edhe i kandidatëve të tjerë që ishin në garë, Adnand Xholi e Edvin Kondili, mbeten emra të respektuar në kuadrin e portofolit të dosjeve të hetuara gjatë karrierës së tyre, në funksione të ndryshme të strukturave të prokurorisë. Por në fund qe ai që u preferua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. 

Por zgjedhja e Dumanit apo e kujtdo që do të vinte në krye të SPAK-ut, mbartte dhe mbart me vete sfida që mbeten të përhershme. Nuk është risi të thuhet tashmë se goditja e organizatave, grupeve apo individëve që janë pjesë e krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, pastrimit të parave që rrjedhin nga këto fenomene, korrupsionit të administratës në vend, apo edhe shkrirja dhe sintetizimi i të gjithë këtyre elementëve, mbetet një domosdoshmëri.

Jo! 

Nevoja për goditjen e këtyre fenomeneve nuk është e re. Por ama është emergjente dhe duhet të jetë më agresive dhe energjike. Por sipas perceptimit tim, goditja ndaj këtyre fenomeneve duhet të jetë më direkte, më agresive dhe më e zgjeruar në drejtim të dhënies së autoritetit të shtetit dhe zbatimit të ligjit edhe në ndonjë nivel ku mendohet se nuk mund të preket. Vitet e fundit, krimi i organizuar në Shqipëri ka marrë përmasa të konsiderueshme. 

Kjo pasi individë, grupe apo organizata shqiptare kanë nisur të kenë lidhje të drejtpërdrejta e madje edhe role të rëndësishme në organizata dhe klane të rëndësishme e të rrezikshme të mafies ndërkombëtare në Evropë, por edhe më gjerë. Mjaft të vihet re se vetëm gjatë dy viteve të fundit qindra kilogramë kokainë janë kapur në Portin e Durrësit, falë sistemeve të skanimit Rapiscan, falë informacionit të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, kolegëve europianë apo edhe DEA-s amerikane.

Por nuk mund të hidhet poshtë fakti se segmente shqiptare të zbatimit dhe të kontrollit të ligjit mund të ndoten apo të jenë ndotur nga viruset e krimit të organizuar. Prej vitesh kemi shtrirjen dhe hapjen e krahëve të krimit të organizuar shqiptar në Itali, Zvicër Gjermani, Holandë, Belgjikë e Angli apo edhe Spanjë, duke u shkrirë me atë vendës, duke mësuar prej tij apo edhe duke i marrë tregun e punëve të zeza. Nga ana tjetër, në dekadën e fundit kemi parë një risi; shtrirjen e krimit të organizuar shqiptar në Amerikën Latine. Në këto vende, Ekuador, Peru, Brazil apo edhe Kolumbi e Meksikë, “kemi eksportuar” elementë të njohur të botës së krimit. Si “shpërblim” po marrim mjaft para që hyjnë në tregun tonë, por që në fakt, në vend që të pasurojnë vendin, mund ta çojnë atë drejt humnerës. 

Përveç përfshirjes në trafik apo ndërmjetësimit të ngarkesave të kokainës drejt tregjeve europiane, disa prej këtyre grupeve tashmë duket se kanë marrë edhe rolin e drejtimit dhe negocimit të drejtpërdrejtë në këto sipërmarrje, me qarkullim që shkon me qindra-milionë euro apo dollarë. Disa prej këtyre personazheve, si Dritan (Gramoz) Rexhepi, Ergys Dashi apo individë të tjerë i kemi parë shpesh në edicionet e lajmeve të mediave të vendeve të Amerikës Latine. Madje pak muaj më parë qarkulloi në mediat tona një lajm i importuar nga homologët tanë meksikanë mbi një personazh thuajse të panjohur në Shqipëri, Luftar Hysajn.

Sipas këtij lajmi, ky individ ishte i lidhur me klanin meksikan të Sinaloas dhe qarkullonte dhe pastronte paratë e këtij grupi nëpërmjet sistemeve të lojërave të fatit në Shqipëri, Poloni, Kanada apo vende të tjera. Madje emri i tij, i fëmijëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tij zbulohej fare lehtësisht edhe në investigimet e “Panama Papers”, për investimet në parajsat fiskale ofshore. Por nga ana tjetër, pavarësisht zhurmës ndaj këtij personazhi apo të tjerëve të kësaj natyre, nga SPAK apo agjenci të tjera ligjzbatuese kemi parë shumë pak veprime. Qoftë edhe për të konfirmuar pafajësinë e pretenduar të z. Hysa, të cilën ai e shprehu në një dalje televizive në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. 

Sigurisht, me të drejtë, z. Hysa pretendonte se shkrimet e mediave meksikane, të përkthyera edhe në shqip, ishin pjesë e luftës së konkurrentëve të tij. Por nga ana tjetër përpos kësaj zhurme, agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK-u, Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe agjenci të tjera, a kanë ndërmarrë hapa dhe veprime konkrete për të verifikuar origjinën dhe pastërtinë e parave të tij apo personave të kësaj natyre.

Nuk kam më të voglin dyshim se paratë që qarkullojnë këto aktivitete (që besoj nuk janë pak), kanë goditur biznesin e ndershëm në Shqipëri. Mjaft të shikosh që çmimet e sektorit imobiliar, kanë arritur shifra marramendëse. Një apartament apo një njësi tregtare në Tiranë, Durrës dhe Vlorë ka kapur shifra të frikshme krahasuar edhe me qytetet e rëndësishme të industrisë dhe të modës në Europë. 

Atëherë nga vijnë këto para që blejnë dhe investohen në sasi të frikshme në qiellgërvishtëset e Tiranës që marshojnë pa fund. Ndaj mendoj se sfidat e mandatit të shkurtër të Dumanit apo stafit të tij, apo kushdo që do të vinte, nuk është se sa shumë kohë do shijojë kolltukun e shefit të SPAK-ut, por efektiviteti me të cilin do të goditet krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe pastrimi i parave që investohen në biznese.

Fillimisht këto para shijojnë shumë, por jo shumë vonë, shumë syresh mund t’i shohim si shefa edhe në strukutrat dhe sallonet politike në vend, nëse ende nuk kanë hyrë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco