Mbi gjendjen e ‘ndërmarrësit’ në Kosovë

Mbi gjendjen e ‘ndërmarrësit’ në Kosovë

12:31, 13/12/2022
A+ Aa A-

Nga Altin Ademi

Kosova sot ka tre përbërës: ajo është “supermarket i mallit”, fuqi punëtore e Perëndimit dhe teren i politikës së përplasjes. Me një qasje më serioze, mund të ishte bërë dhe do të duhej të bëhej një “qytet” që ka shumë përbërës, në mes tjerash edhe supermarkete, hapësirë për të akomoduar fuqinë punëtore, përfshirë (por jo vetëm) eksportimin e saj, si dhe do të duhej të ishte një teren jo veç i politikës por edhe ekonomisë, dhe jo vetëm i një politike përplasjeje por edhe një alternative politike që ripërtërin vetveten përballë mësimeve të së kaluarës.

Në parim, “Kosova si supermarket me mallra” ku ka çmime të fryra, ku ka migrim të brendshëm për një vend pune dhe eksport masiv të fuqisë punëtore jashtë, përbën një nga fytyrat e modernizmit për një vend të caktuar, e cila si fytyrë, mund të shihet në shumë vende që kanë ndërtuar “republika pa republikanë”.

Natyrisht se s’ka asgjë të keqe në këtë mes, por një republikë e modernitetit, nuk ka shumë gjasë të zhvillojë “republikanë” pa disa cilësi themelore, në mes tjerash e më kryesoret, një teren të shanseve ekonomike për ndërmarrësit.

Në fjalorin e vakët të pushtetit, odave ekonomike dhe shoqërive tregtare e financiare, “ndërmarrësi” përmendet shpesh si vlerë, si një ambicie, si një mundësi dhe “ndërmarrësit” i kërkohet të “ndërmarrë”, të dalë në pah, të rrezikojë, të vejë në pah talentin për të themeluar vlera të reja ekonomike e kapitale.

Megjithatë, ligjërimi i refleksioneve pushtetare e institucionale, po aq sa edhe opozitare e komerciale, dallon shumë nga realiteti i ndërmarrësit kosovar. Për ta kuptuar këtë dimension të përplasjes mes refleksionit dhe realitetit, jam i detyruar të përkufizoj shkurt se çka është një ndërmarrës.

Në përgjithësi, ndërmarrësi është ai individ, i cili ka një ide dhe vendosë të vejë atë në zbatim si plan ekonomik, qoftë duke themeluar një biznes për të ofruar shërbime të caktuara, qoftë duke prodhuar një mall të caktuar për tregun, apo duke ndërmarrë aktivitet tregtar të gjërave të cilat i prodhon, me qëllim për të rritur pasurinë e vet, të ardhurat e veta në të holla dhe kapital, duke u distancuar nga vija e varfërisë, varësisë dhe paqëndrueshmërisë sociale.

Dikush do të mund të thoshte se kjo është karakteristikë për të gjithë sektorin ekonomik. Por ka një dallim themelor në këtë drejtim. Ndërmarrësi është i tillë, pra “ndërmarrës”, sepse ai nuk përsëritë domosdoshmërish atë çfarë tashmë ekziston me bollëk, por vihet e ndërton një model të ri, një vlerë të re përmes së cilës rritet edhe tregu, edhe të ardhurat, edhe pasuria e këtij të fundit.

Pra, ideja, inovacioni, risku dhe vënia në funksion të një produkti a shërbimi, janë katër elemente më për së afërmi që na e përshkruajnë një ndërmarrës. Të tillë kanë qenë pikërisht ata që bënë kalimin nga bota agrare në botën industriale, si dhe më tej, në vetë modernitetin tonë.

Për të qenë i mundur një teren për ndërmarrësit, duhet të jetë i mundur edhe një teren politik që mundëson ndërmarrësinë. Këtu nuk kam në mendje zejtarët e republikave Veneciane e Gjenoveze, por në radhë të parë, një sistem politik ku funksionon një ekonomi e lirë e tregut. Një rend republikan, ku pushteti i kufizuar i shtetit i lë hapësirë ndërmarrësisë dhe iniciativës ekonomike, do të ishte më për së afërmi, një rend i mirëfilltë për ndërmarrës.

Juridikisht, një të tillë e kemi edhe ne, të përcaktuar me kushtetutën e vendit. Mirëpo që në gjenezë të mënyrës se si i referohemi ne kushtetutës, me një citat të mësuar përmendësh, si “akti më i lartë juridik”, pa eksploruar dimensionin ekonomik dhe social të saj si pakt i mundësive, tregon qartë se një teren i tillë në Kosovë ka dështuar të ndërtohet.

Ndonëse po bëhen 15 vite prej shtetësisë dhe megjithëse në Kosovë ka ekonomi “stabile” që përkthehet në qarkullim mallrash, ndërmarrësi kosovar vazhdon të mbetet në embrionin e “republikës”, pa pasur mundësi të dalë nga andej. Ai ka plot barriera që ia pamundësojnë të nxjerrë kryet dhe të vihet në shërbim të potencialit të vet.

Ndër to, më të shprehurat janë mungesa e qasjes në financa, pamundësia për të gjetur hapësirë përballë konkurrencës së establishuar që mirëmbahet nga kodet e pushtetit, pamundësia për të konkurruar nga një pozitë disavantazhi territorial, pamundësia për të përballuar trendët komerciale të marketingut, qerasë dhe inventarit që i duhet, si dhe pamundësia për të mbështetur krejt i vetëm, një plan së paku tre vjeçar për iniciativën e tij.

Në mungesë të të gjitha këtyre parakushteve, jo më kot numri i bizneseve të regjistruara që konsiderohen aktive gjatë vitit 2021 ishte 185,187 biznese, ndërsa numri i vërtetë i bizneseve aktive ishte 74,658 biznese. Pra, 110 mijë e 529 biznese të regjistruara janë pasive dhe nuk kanë tejkaluar ciklin prej 3, 5 apo 10 vitesh.

Ka shumë përbërës që ndikojnë në një pasivizim të tillë. Në radhë të parë është mungesa e kapitalit, dhe mungesa e neveritshme e klimës investuese nga “tyconët kosovar”. Së dyti, është mungesa e kulturës ndërmarrëse, e cila i lihet “natyrës së gjërave” pa një përpjekje për të edukuar ndërmarrësin rreth hapave që duhet të ndjekë, për të qëndruar ekonomikisht në treg. Së treti, është koncentrimi monocentrik. Kur mendon për aktivitetin ekonomik të Kosovës, harta e saj përmblidhet në Prishtinë, e cila si kryeqendër, disi gllabëron ritmin ekonomik të qyteteve të tjera. Pa një zhvillim policentrik nga qendra, një ndërmarrës në Pejë, Prizren, Mitrovicë apo Gjilan, do jetë gjithmonë inferior përballë Kapitolit ku vegjeton “elita financiare” e Kosovës.

Në planin publik dhe institucional, shteti ka dështuar në tërësi të ndërtojë një klimë ndërrmarrësie dhe një ekosistem për ndërmarrës, pasi që një ekosistem i tillë ndërmarrësie që i lidhë mes vete me koordinata, individët, organizatat, institucionet dhe palët tjera të interesit, apo bankat, sipërmarrësit, investitorët, universitetet etj, rreth ideve të reja inovatore në një botë ku inovacioni (dhe jo vetëm teknologjik) është duke çarë përpara, nuk ekziston në Kosovë. Cila është adresa dhe dera ku duhet të trokasë sot një ndërmarrës që ka një plan ekonomik? Një e tillë është anonime.

Madje, për më keq akoma, në sytë e shtetit, ndërmarrësi medoemos duhet t’i dëshmohet shtetit, nëse është apo jo i aftë për të qenë i tillë, siç na tregon Agjencia KIESA e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku një nga shtyllat e veprimtarisë së saj quhet “Promovimi i ndërmarrësisë te të rinjtë”, të cilët KIESA i përkrahë me çmimin për “planet më të mira të biznesit”.

Pra, duhet bindur shtetin se ndërmarrësi ka një plan të mirë biznesi, të shkruar me siguri nga një konsulent për një çmim prej 150 eurosh, ajo që legjitimon dhe motivon të riun kosovar për të qenë ndërmarrës. Autoriteti i vetëm për të matur punën e një ndërmarrësi është tregu dhe konsumatori. Të tjerat janë magji bërje.

Nëse shteti vërtetë do që të mbështesë ndërmarrësit, duhet një strategji që përfshinë edukimin e tij rreth produkteve, shërbimeve dhe proceseve të reja të punës, ta mësojë të dëgjojë se ç’kanë për të thënë konsumatorët rreth produkteve, ta amnistojë dhe ri-ngrisë pas një gabimi që secili mund ta bëjë në fillim, t’ia mundësojë qasjen në inteligjencë biznesore dhe t’ia zgjerojë ambiciet rreth produkteve e shërbimeve të së ardhmes, si dhe mbi të gjitha, t’ia mundësojë një linje të arsyeshme financimi direkt, pa burokracinë e kredive dhe mospërfilljes së potencialit që bëjnë menaxherët e bankave, të cilët, në një kërkesë për kredi shohin rendimentin e kthimit të kësteve e jo të ardhmen e produktit.

Natyrisht, nuk mund të ndërtohet një ekosistem ndërmarrësie pa i bërë bashkë në konferenca e takime, ata që duan të vënë diçka në jetë, me ata që kanë kapital për t’ua mundësuar një gjë të tillë. Tyconet kosovar janë të pranishëm në “evente marketingu” si “angels investments” por fare pak të interesuar për të nxjerrë në dritë një ndërmarrës që ka nevojë për një ndihmë të përkohshme, për të siguruar qëndrueshmëri të përhershme.

Në anën tjetër, në interpretim rrethanor, Kosova do të duhej të ishte një oazë për ndërmarrës, për faktin se dy të tretat e popullsisë janë në mes të 15 dhe 64 vjeç, që konsiderohet si moshë e punës dhe aktivitetit. Ndonëse nga kjo masë e fuqisë punëtore, 60% e tyre nuk janë ekonomikisht aktiv sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, ata sërish janë aty dhe ndoshta dikush duhet t’iu flasë e t’i sigurojë se pasioni i tyre për të bërë diçka më tepër në jetë sesa thjesht pritjen e një vize pune, është i mundur. Kjo në radhë të parë është detyrë edhe e rrafshit politik. Partitë politike që janë në pushtet dhe ato që pretendojnë të vijnë, nuk mund të llogarisin në një pushtet që i hapë perspektivë zhvillimore Kosovës, pa vënë në qendër njeriun kosovar edhe si ndërmarrës, jo vetëm si fuqi punëtore. 

Se si kanë shkuar gjërat, nuk do koment. Se a mund të bëhet diçka ndryshe, gjithsesi se po. Se kur duhet filluar, mendoj se kjo më së miri duhet të kuptohet nga fakti i mëposhtëm:

10 deri në 15 vite nga sot, rreth 224,429 nxënës që vijojnë sot arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, do të jenë fuqi punëtore. Tre deri në pesë vite nga sot, 70,850 nxënës në arsimin e mesëm të lartë, do jenë fuqi punëtore. Sot, 82,389 studentë universitar janë fuqi punëtore. Prandaj, duhet filluar që sot, për të mos u ndalur as pas 15 vitesh.

Përndryshe, kjo masë e të rinjve kosovar që kërkon punë, do përballet me dilemën se çfarë pune i pret?. Natyrisht se ndoshta as 10 % e tyre mbase nuk do arrijnë të bëhen ndërmarrës. Por duke i pasur parasysh si forcë, ka shumë gjasa për të themeluar një rrethanë motivuese që këta “qytetarë të Kushtetutës” të jenë edhe “ndërmarrës të Republikës”.

Në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, dilte që 42.25% e popullsisë tonë mbi 10 vjeç, fliste deri në tre gjuhë të huaja. Kjo shkathtësi, jam thellësisht i bindur se është rritur. Bashkë me hapjen ndaj një ritmi global komunikimi, teknologjie e dije, duhet themeluar shanset për të vënë idetë e reja në jetë.

Natyrisht se të jesh ndërmarrës nuk është punë e lehtë askund dhe për askënd. Në botë, zakonisht vlerësohet se nga të gjithë ndërmarrësit, afërisht 78% e tyre mbijetojnë një vit, 50% mbijetojnë pesë vite, ndërsa vetëm rreth 30% mund të jenë ende në biznes pas 10 vitesh. Por gjithsesi se edhe një 30% e ndërmarrësve të suksesshëm është më e mirëseardhur, sesa 30% e të papunëve, apo 30% të atyre që prekin shkallën e varfërisë.

Aktualisht, gjendja e ndërmarrësve në Kosovë, atyre që janë dhe atyre që duan të bëhen, mund të përmblidhet në një sentencë: Qasja në financa për dikë që ka një ide dhe një plan për ta shndërruar vetveten nga “natyra pasive e varësisë ekonomike nga paga”, në “natyrë prodhuese prej të cilës gjeneron fitim”, është jashtëzakonisht e kufizuar.

Kjo qasje duhet zhbllokuar për ndërmarrësit kosovar. Me qasje në financa, kam një përshtypje se talenti që ekziston në të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, do na çudiste përtej çdo lloj pritje, dhe bashkë me vënien në pah të këtij talenti për ndërmarrësi, Kosova gradualisht do i ngjante një “qyteti” e jo thjeshtë një supermarketi, si dhe nuk do ishte katapultë për fuqi punëtore por edhe vend pune i qëndrueshëm. Natyrisht, një politikë jo thjeshtë përplasje por alternative, do ta mundësonte një gjë të tillë. Dhe natyrisht, një politikë jo thjeshtë për politikë, por në radhë të parë për ekonomi, sigurisht se do ta bënte një gjë të tillë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco