Primaret e PD-së, njerëz të zakonshëm të gatshëm të bëjnë të jashtëzakonshmen

Primaret e PD-së, njerëz të zakonshëm të gatshëm të bëjnë të jashtëzakonshmen

16:28, 03/12/2022
A+ Aa A-

Nga Ibrahim Morina

Të dielën PD-ja finalizon primaret, një proces shumë të rëndësishme disa mujorësh, jo vetëm për thellimin e demokracisë së brendshme të saj, por për më tepër për ngulitjen e shpresës së madhe dhe të pritshme për ndryshim, nga pjesa më e madhe e shqiptarëve.

Ndërsa ballafaqimi i 4 dhjetorit i kandidatëve me bazën e PD-së, për të përfaqësuar këtë parti në zgjedhjet e afërta lokale, shënon një risi në Shqipëri për përzgjedhjen në këtë mënyrë, shembulli më i mirë dhe i vetëm na vjen nga SHBA-të, bashkë edhe me besimin se më e mira, ndryshimi, është shumë pranë. Dhe këtë mundësi për afrimin e ndryshimit të shumë pritur e shtojnë më shumë kandidatët e shumtë që u bënë pjesë e këtij procesi, jo thjeshtë me pjesëmarrjen në një garë, por për mesazhin e rëndësishëm të hapjes, të bashkimit dhe të asaj se PD-ja është forca kryesore politike, e gatshme që të përballojë ndryshimin.

* * *

“Votimi është shprehje e përkushtimit tonë ndaj vetes, njëri-tjetrit, këtij vendi dhe kësaj bote”.

Kjo frazë lapidar e artikuluar nga Sharon Salzberg, një figurë qendrore në fushën e meditimit dhe autore bestseller e New York Times, nuk kishte si të mos vinte si një leksion nga SHBA-të. Megjithëse kjo thënie vjen nga përtej oqeanit, ajo duket dhe tingëllon shumë koherente me primaret, me zhvillimet e fundit brenda PD-së.

Dhe nuk ka si të jetë ndryshe.

Kjo parti, e para pluraliste, e para në artikulimin e aspiratës për integrimin në strukturat euro-atlantike, e para dhe e vetmja në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e para dhe e vetmja në krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të shqiptarëve me heqjen e vizave, e para që i hapi derën dhe mirëpriti rikthimin amerikanë në Shqipëri, nuk kishte si të mos ishte e para edhe në bërjen të sajën “primaret amerikane”.

Me këtë proces PD tregon se demokracia fillon nga vetja. Jo se më parë kjo gjë nuk ka qenë prezentë brenda kësaj partie, por disa zhvillime vitet e fundit (ku anëtarësia gënjehej me mundësinë për përzgjedhjen e kandidatëve duke u ftuar të shpreheshin në portale, ndërsa emrat e kandidatëve mësoheshin vetëm kur ish-kryetari dorëzonte listën me të përzgjedhurit e tij në KQZ në limitet e fundit kohore), e kishin lënë në harresë atë që kjo parti ka si standardin e saj, demokracinë, jo vetëm brenda saj.

Në qoftë se ky proces do të krahasohej me kundërshtarin, nuk na vjen ndërmend ndonjë shembull demokracie brenda asaj partie, por na vjen në ndihmë pas 2500 vjetësh Euripidi me “Oresti”-in e tij, sipas të cilit, “Me fjalë të ëmbla por me mendje të ligë, popullin e bind, por gjëma e madhe i ndodh shtetit”.

Ndaj tani është kohë, për veprim, për shndërrimin e primareve brenda të PD-së, në qëllimin primar për shporrjen e kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri.

* * *

Në prag të ngritjes së siparit të primareve në PD sipas “stilit” amerikan, afërmendsh që më shumë për shtat këtij procesi i shkojnë referencat nga njerëz të mençur amerikanë.

“Demokracia bazohet në bindjen se ka mundësi të jashtëzakonshme te njerëzit e zakonshëm”, shprehet

pastori i shumë njohur, Harry Emerson Fosdick.

Pikërisht me këtë proces, pa dyshim një proces hapjeje, PD po tregon se dhjetëra njerëz “të zakonshëm” po demonstrojnë “mundësi të jashtëzakonshme” bashkë me “bindjen” se “demokracia” brenda partisë ende kultivon shpresa për një ndryshim edhe më të madh.

Duke u bërë pjesë e këtij procesi të dielën, ata dhjetëra kandidatë janë dëshmia më e mirë se PD po rikthehet në traditën e saj, po rikthehet te njerëzit dhe se njerëzit, këta qoftë edhe nga më “të zakonshmit”, po i rikthehen kësaj partie me dëshirën e tyre të madhe për të kontribuar, fillimisht brenda kësaj partie.

Sigurisht, kjo është një garë dhe në fund të saj njëri do të dalë për të përfaqësuar PD-në në zgjedhjet vendore për kryetarë bashkie. Nuk dua të përmend termin “fitues”, sepse në fund të kësaj gare të gjithë kandidatët do të jenë fitues, e thënë ndryshe, kjo garë nuk ka të humbur.

Me rreshtimin në krah të PD-së, duke u bërë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm brenda saj, ata dhjetëra njerëz “të zakonshëm”, guximshëm me shembullin e tyre kanë transmetuar një mesazh bashkimi dhe besimi te PD. Kaq mjafton që në përfundim të garës, të gjithë kandidatët ti bashkohen kandidatit që do të përfaqësojë PD-në, respektivisht për çdo bashki, për një garë më të madhe por edhe më të rëndësishme, për ndryshimin e shumëpritur...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco