A po kthehen perënditë e forta?!

A po kthehen perënditë e forta?!

15:21, 31/05/2022
A+ Aa A-

Nga Alma Lleshi/ 

Pas ditëve tmerrësisht të lodhshme, me një politikë që përsërit veten  çuditshëm në dështim dhe zhgënjim, një dilemë të ngacmon me kokëfortësi: A mund të kthehen perënditë e forta? 

Dhe në të vërtetë, po vërehet në plot vëzhgime, se dukuritë që më së shumti po sundojnë sot, janë frika nga e vërteta dhe vendosmëria neurotike për të kërkuar dhe nxjerrë jashtë të keqen, edhe aty ku ajo nuk duket.

Pas masakrës marramendëse të luftës pandemi, njerëzimi vijon ende të ngazëllehet me idealin e "shoqërisë së hapur". E kujtoni premtimin idilik, se duke u çliruar nga lidhjet e vjetra me kombin dhe fenë, të cilat kishin “nxitur dhunën në shekuj”, ne mund të ndërtonim një botë të begatë pa kufij, të çliruar nga dogmat.

Duke iu kundërvënë gjysmës së parë katastrofike të shekullit të njëzetë, elitat politike, kulturore dhe financiare promovuan kufij të hapur, tregje të hapura dhe mendje të hapura.
Por në gjysmën e parë të këtij shekulli, ky projekt i pafund i hapjes, duket krejtësisht i ngurtësuar nga një sërë dogmash. Ky projekt ka shkatërruar solidaritetin shoqëror të rrënjosur në familje, besim edhe komb. 

Në Shqipëri, ndërsa politika shqetësohet për rikthimin e Sali Berishës, shoqëria jonë po shpërbëhet. 

I vuajturi njeri, duket se më në fund, nuk do ta tolerojë shpërbërjen shoqërore, pafundësisht.

Tranzicioni demokratik tek ne, i cili fatkeqësisht vazhdon ende, është shoqëruar nga trazira të pashmangshme politike që shpesh janë shoqëruar me stanjacion të theksuar ekonomik, paqëndrueshmëri të qeverisjes dhe rraskapitjen e njerëzve. 

Largimi i brezit të ri, krizat ekonomike, skandalet e njëpasnjëshme qeveritare, tendera, inceneratorë, vjedhje, dhe 9 vite marrjefryme, po e çojnë vendin në atë pikë, ku kërkohen ndryshime të thella. Në të njëjtën kohë, duket sikur është fshirë politikisht hendeku mes dy partive politike, PD dhe PS. Po flas për PD që performon pa shije nëpër komisione dhe grupe parlamentare. Situata e fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri, u kthye në një garë të vetëm një grupi interesi, me një gjasme “negociim” nga pushteti me opozitën kallp. 
"Konsensusi i shkatërruar" i afron këto situata në kontekstin historik, duke na kujtuar se ne kemi kapërcyer prova të ngjashme edhe në të shkuarën, në periudha intensive të konfliktit politik. 

Rregulli u thërmua edhe këtë herë, për zgjedhjen e një presidenti konsensual në Shqipëri.

Ngërçi në procesin e përzgjedhjes së presidentit është dëshmi e polarizimit të skajshëm politik të vendit, ku mungesa e bashkëpunimit ndërmjet palëve politike ka minuar gjithçka.
Zotat e fortë do të kthehen, në një formë ose në një tjetër! 

E pra, detyra jonë është t'u kushtojmë vëmendje atyre që, duke udhëhequr arsyen dhe zemrën tonë, të frymëzojnë traditat tona më të mira!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco