Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

'Deputetit Lulzim Basha'

'Deputetit Lulzim Basha'

15:42, 28/01/2022 Nga Erges Eskiu
A+ Aa A-

Nga Erges Eskiu

Kisha menduar të mos të të shkruaja Lul, sepse mendoja se ti do tregoje pjekuri politike, mençuri prej djali të shkolluar në perëndim dhe do ndaloje. Do dilje nga zyra, do kërkoje të falur, do hapje krahun për një lider tjetër dhe do vazhdoje të punoje për një opozitë të fortë, e cila sot më shumë se kurrë i duhet vendit.

Do punoje bashkë me ne për një opozitë që frymëzon shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve, për një opozitë që shndërrohet në alternativë dhe e rrëzon Ramën nga pushteti pa e mbyllur mandatin e tretë të marrë me një masakër elektorale të paimagjinueshme edhe nga socialistët më fanatikë, por me keqardhje të madhe shoh, që paske një vështirësi të habitshme për të menaxhuar vetveten dhe po dëmton Shqipërinë e shqiptarët vetëm për vulën e PD.

Gjithsesi meqë unë besoj te qenia njerëzore dhe e di se brenda saj nëse di të hysh e ndihmon të mirën ta mposhtë të keqen, po të shkruaj dhe këtë e bëj vetëm për ty se demokratëve dhe shqiptarëve do u jesh pengesë për opozitë edhe vetëm për pak.

Lul unë sinqerisht nuk besoj se je njeri i Sorosit, por ti direkt apo inderikt bashkëpunove me të dhe me

Edi Ramën për të larguar Sali Berishën nga politika.

Bashkëpunove me vrasësit e pluralizmit në Shqipëri Lul.

A ke probleme me dosjet Toyota Yaris e Nik Muzin dhe rrezikon të dënohesh apo thjeshtë nuk e doje më profesor Berishën në parti këtë nuk di ta them me siguri, por

me bindje të thellë të them se llogarite i bëre sërish gabim.

Së pari ti kishe tetë vite kohë për t’u bërë lider dhe nëse profesor Berisha paska qenë pengesë për ty, ti duhet t’i kishe treguar kufijtë atij ose ta ftoje me herët në betejë, qysh në 2017 fjala vjen:- zotëri ti po më pengon. Ka dualizëm në parti, gjë e cila krijon konfuzion tek shqiptarët dhe unë marr kosto prej teje, ndaj o ti o unë në krye të partisë, rrugë tjetër s’ka. Nëse demokratët më duan mua, ti nuk do përfshihesh, nëse nuk më duan merre ti partinë prapë e unë po zbres si anëtar i thjeshtë. Pra nëse ti Lul do kishe kaq maturi politike, do kishe këtë nuhatje prej lideri, nuk do i kishe këto probleme, që të dolën me 25 prillin e më pas dhe përgjegjësia më e madhe e kësaj situate sot bie mbi ty, natyrisht.

Se dyti Lul, ti ke hedhur idene se amerikanët ia dhanë pushtetin sërish Ramës se ti kishe në krahë Sali Berishën.

Se opozita nuk ishte gati?!

Banal komplet ky argument. Ne kemi tetë vite në opozitë, Berisha ka bërë opozitën më serioze e cila u shërben edhe interesave amerikane, siç janë lufta ndaj drogës, korrupsionit, zbatimi i ligjit, rendi publik, mos cënimi i kufijve të Kosovës çka do sillte destabilizim të Ballkanit dhe nëse ti fitoje zgjedhjet Lul, Berisha do tërhiqej vetë nga politika sepse me mandatin e kryeministrit të gjithë demokratët do të shihnin ty për liderin e partisë dhe asnjë lëvizje nuk do merrte mbështetje.

Ama sot e ke kundër shumicën, jo se nuk fitove, por sepse gabove sërish me çfarë bërë pas 25 prillit.

Në datë 27 prill ti ishe gati të qaje apo jo?! Nuk është turp të qajnë burrat Lul, ndaj mos u ndiej keq, qe po them atë që thoshin sytë e tu. Ata që kanë ndjenja njerëzore qajnë, por ti në atë moment, në dëshpërim të thellë nuk arrite të marrësh përgjegjësi për mosarritjen e fitores, por nxitove të devijosh përgjegjësine dhe bërë fajtor profesor Berishën:- “Ti e ke fajin pse unë nuk u bëra kryeministër!” - Këtë the me vete apo jo Lul?!

Dhe fiks në atë moment ti u shndërove dhe vendose të thurrje planin për t’u rizgjedhur kryetar, për të kapur kryesinë e partisë, këshillin kombëtar, për të ndryshuar statutin e partisë dhe në momentin që do i kishe bërë të gjitha këto, ti të përjashtoje profesor Sali Berishën nga Partia Demokratike dhe do shpëtojë prej tij e kështu në 2025-n do mund të bëheshe kryeministër se “gogoli” do ishte larguar?!

Ehh sa mund, punë e kohë e çuar dëm o Lul, se nëse do ishe marre me masakrën zgjedhore sot mund të ishim duke u pregatitur për zgjedhjet e parakohshme vendore dhe duke shkuar drejt postit të kryeministrit me mbështetjen edhe të socialistëve se do kishe fituar respektin më publik duke mbrojtur dinjitetin njerëzor e interesat e shqiptarëve.

Sot e ke anëtarësinë kundër dhe drejtuesit politikë po të largohen sepse gabove me çfarë bëre pas 25 prillit. Nuk u more me masakrën elektorale. Nuk i the ambasadores dhe sekretarit të shtetit:- Zonjë, Zotëri, Sali Berisha ka 8 vjet që nuk ka asnjë funksion politik. Kryetari i PD jam unë dhe deputeti i zgjedhur Sali Berisha në këto tetë vite ka punuar që Reforma në drejtësi të bëhej e tillë, që forconte drejtësinë shqiptare dhe nuk shndërrohej në vegël të pushtetit, denoncoi avionët e drogës të cilët ishin me mbështetjen e ministrit të brendshëm, ministres së mbrojtjes dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, denoncoi kapjen e Universitetit të Tiranës nga bota e krimit e kështu UT shpëtoi dhe ka mbrojtur integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Po ju përmend vetëm këto katër, por ka bërë një punë të jashtëzakonshme në shërbim të interesit publik e kombëtar, ndaj nëse keni prova nxirrini dhe unë marr vendimet e mia, në të kundërt ai do qendrojë aty ku është zgjedhur nga votuesit shqiptar.

Zonja ambasadore, zoti sekretar i shtetit, shqiptarët presin të ndëshkohet pushteti i korruptuar i Ramës, jo të goditet opozita politikisht, sepse kështu nuk luftohet korrupsioni në nivelet e larta politike dhe nuk ndihmohet populli shqiptar dhe largohet vëmendja nga masakra elektorale që bëri Rama para botës mbarë.

Pra, Lul ti nuk e bëre këtë, nuk e pate guximin. Tregove se nuk je lider dhe se je i dobët, se ndryshe nuk arrij dot të gëlltisë idenë se prita 8 vite, hajt po pres edhe 4 vite, e po m’i vodhi prapë po pres edhe 4 vite të tjerë se një ditë amerikanët do më bëjnë kryeministër. Amerikanët nuk të bëjnë kryeministër Lul, të bëjnë shqiptarët, por ti këtë nuk arrite ta kuptosh dhe tani vepron ne gjendjen e një ç’organizimi mendor sa shkon e derdh gjakun e demokratëve, që sakrifikuan për ty, mban në krahë deputet që marrin shkopinj bejsbolli, si të jenë kontigjent krimi, për të dhunuar protestuesit, keqpërdor sekretarin e përgjithshëm të partisë, që mllefi të shfryhet mbi atë një pjesë e jo mbi ty dhe nënkryetarin e partisë e ke bërë me 7 funksione, që nisin nga Tirana, ndalojnë në Fier, zbresin në Vlorë, ngjiten lart në Shkodër, për të zbritur sërish në Tiranë. Për rekord guinness e ke bërë.

Me veprimet dhe mos veprimet e tua pas 25 prilllit Lul, ti e shkaterrove opozitën, çimentove mandatin e tretë të Ramës dhe braktise shqiptarët, Shqipërinë dhe mua Lul bashkë me familjen time.

Ti më njeh dhe ti e di sa kam punuar për të rrëzuar Ramën nga pushteti dhe sigurisht, të bëheshe ti kryeministër. Madje me kë falenderuar për artikujt që kam shkruar për ty, por sot i ke braktisur të gjitha vlerat që mbaje dhe unë s’po të njoh më?!

Pamundësia për të arritur fitoren të ka bërë tjetër njeri.

Ti hoqe petkun e perëndimorit, të konservatorit, të djalit të mirë, të djalit të mençur, të djalit të edukuar dhe u bëre oriental, autoritar, përjashtues, i dhunshëm dhe ose i paaftë për të kuptuar realitetin e për t’u tërhequr dhe ngele peng i karrikes a dosjeve.

Lul me vendimet e tua te fundit je bërë edhe objekt humori, ndaj sinqerisht të them ndalu, çlirohu nga funksionet, merr një periudhë pushimi. Qetësohu me veten, reflekto, bëj një analizë me veten po munde dhe shtensionohu. Të bën mirë dhe të duhet realisht një periudhë pushime, pa angazhimin politik.

Bëhesh apo nuk bëhesh ti kryeministër nuk është fundi i botës. Fundja ke qene 3 herë ministër dhe një mandat kryetar bashkie, ama shqiptarët po largohen se nuk kanë shpresë. Shqiptarët ndihen të vjedhur, të dhunuar, të përbuzur, të braktisur. Rreth 500 mijë shqiptarë janë në kufirin e varfërise ekstreme dhe shohin nga dera a do u fal kush diçka për të ngrënë edhe sot? Fëmijët me sytë e hutuar dhe stomakun e urritur, që presin… që e kalojnë dimrin pa ngrohje bashkë me prindërit e tyre, që bie shiu brenda si të ishin jashtë, ku rroba për të ndërruar nuk kanë.

Luksi i luksit Lul bëhesh apo nuk bëhesh ti kryeministër. Shqiptarët janë nën pushtetin autokratik të Edi Ramës dhe nuk po shohin dritë në fund të tynelit, ti merresh me karriken tënde, me blindim dyersh, rrethohesh nga mercenarë që derdhin gjak demokratësh dhe i bën me nga 3,4,5 apo 7 funksione ata pesë njerëz që të kanë ngelur vetëm e vetëm për të mos pranuar realitetin.

Atë që është reale zoti nuk mund ta bëj ëndërr për ty Lul ndaj mos i mba sytë me forcë mbyllur.

Kam 8 vjet, që bëj opozitë kundër Ramës Lul dhe nuk dua të merrem edhe me ty në vitin e 9-të të opozitës sime.

Nuk të bëra fajtor për mosarritjen e fitores, por nuk ta kam për borxh as ty e askujt tjetër të mbaj mbi kurriz Ramën edhe për katër vite të tjera, aq më pak shqiptarët e varfër e të lodhur prej gjendjes së rëndë me të cilën duhet të përballen çdo ditë.

Nuk kam marrë asnje gjë nga partia demokratike dhe nuk angazhohem për të marrë, por për të dhënë.

Nuk u mërzita pse nuk isha në listën përfundimtare për deputet, por punën time e ke parë ti vetë, mund ta dëshmojë Gazi, Enkelejdi apo ndonji tjetër sepse unë jam idealist Lul dhe e bëj të gjithën për Shqipërinë dhe shqiptarët, sigurisht edhe për familjen time sepse kemi vendosur të jetojmë dhe punojmë në vendin tonë, ku lindëm e u rritem, ku kemi kujtimet tona, ku kemi njerëzot tanë, ata që kanë ngelur kuptohet se shumë janë detyruar të shpërndahen në perëndim, por nëse të tjerët nuk janë mirë, as ne nuk jemi të sigurt për të ardhmen.

Djali im ka qenë tetë muajsh Lul dhe ka qenë në fushatë me mua dhe bashkeshorten time (nënën e vet), në Tiranë, në Fier, në Berat, e ka ngrenë drekën në makinë, ndonjiherë ka ngel edhe pa drekë, një muaj fushatë makina na u bë edhe shtëpi dhe këto nuk i them për heroizëm apo të bëhem patetik, por se detyra ndaj vendit kërkon edhe sakrifica, kërkon të vësh interesin kombëtar mbi atë personal. Po ti Lul a je në gjendje ta bësh diçka të tillë?

Demokratët që kanë gati 9 vite duke sakrifikuar, unë dhe shqiptarët nuk ia kemi për borxh kujt, të durojmë edhe një mandat Ramën, ndaj hapi sytë Lul.

99% apo 95% e partisë nuk janë Gazi, Enkelejdi, Agroni e ndonji tjetër se Ervini me Gridën nuk të duan, por rrinë nga halli me ty, janë anëtarësia e PD, që duan të mirëqeverisen.

Unë e di që nuk je djalë i keq si Rama, por hapi sytë, mjaft më me absurditete dhe pranoje verdiktin e demokratëve. Jepi mundësinë partisë të bashkohet me një garë të ndershme zgjedhore për kryetarin e ri të PD dhe të mos humbim më energji të kota, por të bëhemi shpresa e shqiptarëve dhe të rrëzojmë regjimin me revolucion demokratik pa e mbyllur mandatin e tretë.

Të përshëndes Lul, nuk ta dua të keqen, por mos ia bëj ti vetvetes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco