Aktualiteti ynë me 'jetën prapa perdeve'

Aktualiteti ynë me 'jetën prapa perdeve'

13:30, 18/01/2022 Nga Ndriçim Kulla
A+ Aa A-

Në vetvete elitat nuk janë një element  i pa zvëndësueshëm kurrë i demokracisë. Ato janë të pajtueshme dhe të nevojshme për të organizuar, kanalizuar dhe mobilizuar energjinë e shpërndarë të turmës, d.m.th. për t’i shtënë ato në veprim. Në këtë kuptim, demokraca është një luftë e përjetshme për pohimin e saj kundra oligarkive që arrijnë të lindin gjithmonë nga përbrenda. Ja, një luftë të tillë, duket se e ka humbur sot demokracia shqiptare, përderisa ka mundur të japë “fryte të pjekur”, në jetën tonë shoqërore një mpleksje e rrezikshme e oligarkisë me demagogjinë në pushtet.

Për të konkretizuar fenomenin do të shqyrtojmë në fillim, modelin klasik të demokracisë athinase, ku gjenden shembuj mjaft kuptimplotë të ç’mitizimit të këtij aspekti. Më i spikaturi është ai i Aristofanit, teksa përmend kontrastin e ashpër midis dy demagogëve të asaj kohe për kontrollin e popullit. Pasi edhe në epokën e saj më të artë (në shekullin V), demokracia arriti të “nxjerrë” nga gjiri i saj një oligarki të caktuar, të personifikuar madje tek vetë Perikliu, tek “princi i demokracisë”, siç quhej atëherë. E shpjegon më mirë Aristoteli, kur përshkruan përplasjen për pushtet midis Simonit dhe Perikliut dhe mjeteve të përdorura prej tyre për të fituar mbi njëri-tjetrin.

Simoni, që zotëronte një pasuri përrallore, mbante shumë njerëz të “demos-it” me ushqime e para. Kushdo mund të shkonte në shtëpinë e tij e të merrte çfarë të dëshironte. Nuk kishte limit në përdorimin e pasurisë për askënd. Perikliu, që nuk mund ta përballonte dot një gjë të tillë, thjesht mendoi të shpërdoronte funksionet publike të shtetit, duke i dhënë kështu origjinë “shthurrjes së institucioneve”, dhe “shprishjes së dokeve dhe zakoneve” të vendit. Favorizimi për njerëzit u arrit, qoftë nëpërmjet pasurisë private (si Simoni), qoftë nëpërmjet asaj publike (si Perikliu). Në të dyja rastet, vota u korruptua po njëlloj.

Nëse do ta reflektonim këtë shembull me demokracinë shqiptare, mund të themi se ajo e ka shfaqur herë pas here një qëndrim të tillë të kokë-përmbysur në raport me sjelljen ndaj qytetarëve. Në veprën “Paqja e përjetshme” Kanti formulon atë që, sot nga të gjithë filozofët e politikës, njihet si “forma transhendentale e autoritetit” (pra, e së drejtës publike): “Të gjitha aksionet që kanë të bëjnë me të drejtën e njerëzve, maksima e të cilave nuk pajtohet me transparencën, janë të padrejta”.

Në këtë kuptim, “kriteri kantian i qeverisjes së mire”, siç njihet përgjithësisht kriteri i mësipërm, konsiston në konsiderimin e demokracisë si një “qeveri të fuqisë publike në publik”, pasi veprimet që kërkohet t’u fshihet qëllimi d.m.th. motivi që i vë në lëvizje, i përvidhen kontrollit të arsyes dhe opinionit publik. Pushteti, kësisoj, është shumë më i dukshëm, sa më afër qytetarëve që të jetë. Këtë e rrok mrekullisht Habermasi kur tregon se si transformimi kah një shteti modern konsiston në një “ngritje shkallësore të sferës private të publikut”, ose e thënë ndryshe, në spikatjen publike të sferës private. 

 Pushtetit nuk i pëlqen transparenca, pra gjërat e bëra nën dritën e diellit. “Sekreti qëndron në bërthamën më të fshehur të pushtetit” është një thënie proverbiale e Elias Canettit, që mund të lexohet edhe kështu: “ Pushteti qëndron në bërthamën më të fshehtë të sekretit”. Në këtë kuptim, “pushtetet e padukshme” shqiptare sot mund të personifikohen edhe me “sekretësinë” e tyre, diçka kjo që nuk ka të bëjë vetëm me “arsyen e shtetit” siç ndodhte gjatë kohës së regjimit komunist, por kryesisht le të themi, me “arsyen e pushtetit” që synon të mbështillet me “sekretësi”, për të mbrojtur interesat eveta nga “sytë e padëshiruar” të publikut. Ja, pse demokracia jonë nuk arriti dot të kapërcejë “pushtetin e padukshëm” që iu përbrivu gjithmonë, asaj që njihet në fakt si “nën-qeveria” ose ndryshe qeveria e ekonomisë.

Mos-aftësia për të luftuar këto pushtete bëri që në epoka të veçanta të alternoheshin qeverisje me dukshmëri të pjesshme me qeverisje me dukshmëri opake, pasi mjaft prej “pushteteve” po i zhvillojnë paktet e tyre “prapa perdeve të skenës”. Është kjo e fundit ajo që fsheh bërthamën, sepse duke u afruar gjithmonë e më shumë me skenën, pra me publikun, dukshmëria rritet, veçse bashkë me dukshmërinë dhe iluzioni. Ajo që shihet në skenën teatrore nga kjo qeveri , është pikërisht një “përfaqësim”: është ajo që kërkohet të shihet, jo ajo që duhet dhe mund të shihet, po të mos ishin perdet.

Në një situatë të tillë, demokracia, ashtu siç e përcaktoi Platoni dhe pasuesit e tij, kthehet në ‘teatrokraci”. Në skenë vrundullohen “vlera”, të cilat prapa perdeve jo vetëm shpotiten qetësisht, por edhe tallen, shpesh vulgarisht. Atëherë proçedurat e demokracisë shndërrohen në rituale. Domethënia e tyre nuk është kontrolli i pushtetit, por mbulimi i pushtetit me anë të iluzionit. Ja, si shkruante Valentini në artikullin e tij të famshëm “Ndërgjegjia kombëtare”: Merren nëpër këmbë bujarët e të ligshtët, e vërteta nuk merret parasysh, virtyti përbuzet, lihen në harresë veprat e bame nga njerëzit me ndërgjegjë, trillohet gjithandej shpifja ndaj tyre, pengohet shtypi i lirë dhe shtypi pamoral bëhet ushqim i përditshëm, egoizmi, rrena, indiferentizmi dhe oportunizmi bëhen drejtimi i jetës së shumëkujt...”. Është një përshkrim, që e bën rrëqethës aktualiteti ynë qeverisës sot  me “jetën prapa perdeve”.

Dalëngadalë, pasqyrimi i kësaj jete u reflektua edhe mbi vetë qëndrën e pushtetit demokratik, parlamentin shqiptar, duke e transformuar atë në “ekranin e madh” që pasqyron  imazhet e gënjeshtra të një fuqie efektive, kur në të vërtetë ai ishte çdo ditë e më tepër fytyra gjithnjë e më pak “transparente” e një fuqie të fshehtë oligarkike.

E gjitha kjo solli një tjetër premtim të madh të pambrojtur, mos-ndarjen e shtetit nga pushteti, mosushqyerjen e qartë e të drejtë të këtyre dy njohjeve sociologjike. Në shumicën e kohës shteti dhe qeveria e mazhorancës janë bërë nji, duke u prirur shumë pak kah nocionit të shtetit si kombnacion, e aq më pak kah parimit perëndimor se “shteti është emri i dytë i popullit”.

Rreth e rrotull pushtetit u krijuan gardhe të pa-kuptueshëm dhe nga ky shkak kjo qeveri, po largohet çdo vit e më shumë nga kontakti me mendimin e përgjithshëm. Në vend që ta kërkonte fuqinë në analizën e gjendjes shoqërore, mbeti përherë e më shumë në ngushtësinë e vet të koklavitur duke mos kërkuar një komunikim të gjallë, të drejtëpërdrejtë, të sinqertë e të vërtetë.

Oportunizmi i kahershëm ia shpërnguli gjithmonë nevojën e brendshme kësaj qeverisje, duke mos lejuar që shteti dhe pushteti t’i afrohen idealit të madh shtetëror, por të refuzojnë formimin dhe udhën e tij logjike. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco