Kush nënvlerëson fenomenet mafioze, nuk i lufton ato

Kush nënvlerëson fenomenet mafioze, nuk i lufton ato

14:31, 27/01/2021
A+ Aa A-

Nga Alban Daci.

Kur dëgjoj disa që në cilësinë e ekspertit flasin nëpër studio televizive shqiptare për fenomenet mafioze e sidomos ato italiane e kur kam në mendje Falcone e Borselino e kuptoj fare lehtë pse Shqipëria ka këto probleme!

Këto ditë kanë dëgjuar nga të gjitha. Mbrëmë po dëgjoja disa, ose shumë le të themi, që për të mbrojtur eprorët e tyre politikë e shpërfillën fenomenin mafioz sikur të ishin gangsterë lagjeje.

Për fenomene të tilla e kaq sensibël në Itali, flasin vetëm ekspertë apo intelektualë të kalibrit të lartë dhe fjalët në frazimin e tyre i kanë me karar.

Në një vend si Shqipëria me të inkriminuar të ulur në Parlament apo në bashki (fakte të ndodhura këto nga 2013) pa rend kushtetues e me probleme të tjera funksionale, krimi i organizuar, qoftë edhe ai ndërkombëtar, jo vetëm që nuk ka problem të depërtojë, por edhe të jetë protagonist.

Aty ku ka oligarki ka mafie, aty ku ka zhvillim sporadik ka mafie e me radhë.

Shteti shqiptar duhet të mendojë seriozisht për të krijuar struktura të forta që të kenë objekt ad hoc, krimin e organizuar dhe organizatat mafioze.

Pa analizuar në detaje, vetëm fakti që dolën këta përgjime me objekt konkretë Shqipërinë është një sinjal alarmi për ata që e duan drejtësinë dhe duan t’i shërbejnë asaj.

Mafia nuk luftohet duke sulmuar opozitën apo duke gjetur foto me politikanë italianë.

Lufta kundër krimit të organizuar ka kosto dhe këtë na e ka mësuar historia italiane në 70 vitet e fundit.

 Po ashtu krimi i organizuar duke qenë fenomen njerezor, ashtu si të gjitha fenomenet e ngjashme ka një fillim dhe një fund.

Nëse fillimi kapet në kohë e luftohet me idealizëm për shtet, fundi është i shpejtë dhe pa kosto të larta.

Krimi i organizuar dhe fenomenet mafioze luftohen edhe me fjalën e lirë e me gazetari profesionale.

Në Itali kanë dhënë jetën në emër të fjalës së lirë dhe idealeve mjaft gazetar.

Krimi i organizuar dhe fenomenet mafioze luftohen edhe nga një shoqëri e shëndoshë dhe idealiste e cila jo vetëm ka sensibilitet, por forcë e ku rajon për të mos heshtur e për të reaguar!

Nëse fenomenet e krimit të organizuar trajtohen si fenomene politike për interes pushteti apo për të sulmuar kundërshtarët, atëherë rreziku është se politika është e instrumentalizuar nga këto fenomene.

Po ashtu nëse themi se bisedat apo debatet për këto fenomene kanë për qëllim të njollosin Shqipërinë, ky është minalizim për të mos njohur të vërtetën.

Nuk është risi, sepse çdo shtet ka mafie, por shtetet e forta me sisteme të shëndosha juridike nuk turpërohen për ekzistencën e fenomenit, por shqetësohen për instrumentet e shëndosha në luftën kundër tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco