Si dështoi ‘sinjalizimi’ i korrupsionit në qeverisjen vendore

Si dështoi ‘sinjalizimi’ i korrupsionit në qeverisjen vendore

13:24, 08/01/2021
A+ Aa A-

Përgatiti Dafina Hysa

Decentralizimi i pushtetit lokal, ka përqendruar edhe më shumë pushtet e kompetenca tek drejtuesit e 61 bashkive të vendit. Njësitë vendore administrojnë vlera të mëdha fondesh publike, si nga transfertat qeveritare ashtu edhe nga burimet e tyre, gjë që e bën të domosdoshëm sigurimin e një filtri shtesë të mbikëqyrjes.

 Ndonëse nuk ka një formulë, që lufton posaçërisht korrupsionin në nivel vendor, ‘sinjalizimi’, vlerësohet ndër mekanizmat më të rëndësishëm, për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në sektorin publik dhe privat. Përmes ‘sinjalizimit’,çdo ish-punonjës apo i punësuar, mund të denoncojë në interes të publikut, praktikat e dyshuara korruptive, mashtrimit dhe keqmenaxhimit të fondeve publike.

Por në katër vite ‘jetë’ të tij, është shënuar vetëm një sinjalizim në Bashkinë e Tiranës. Nga monitorimi që Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka realizuar në 10 Bashkitë e vendit, pavarësisht mbrojtjes që ofron, ligji nr. 60/2016 ‘Për sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve’, rezulton se nuk ka nxitur punëmarrësit në njësitë e qeverisjes vendore të denoncojnë praktikat abuzive.

Adelina Farrici, Drejtuese e Shoqatës për Autonomi Vendore, pasi vlerëson rëndësinë e këtij instrumenti ligjor, rendit edhe shkaqet që e kanë bërë atë jo efektiv. Ajo shprehet se: ‘Ka një sërë faktorësh, duke nisur nga ato psikologjikë ku individi e identifikon veten si ‘spiun’ dhe jo si një kontribues në të drejtat dhe barazinë para ligjit.

Mendoj që ‘konfidencialiteti’ është faktori kryesor që ndikon në mosreagimin qytetar në drejtim të sinjalizimit. Ka një mosbesim të theksuar tek institucionet përgjegjëse për ruajtjen e anonimatit. Kjo vjen si rezultat i korrupsionit por edhe i profilit të vendit tonë. Në qytete të vogla, të gjithë njihen me njëri- tjetrin dhe kjo ndikon në frenimin e individëve për të sinjalizuar raste korruptive.’

Në të njëjtën linjë, është edhe Drejtori i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali. Veç konotacionit negativ për sinjalizimin, ekziston frika nga hakmarrjet, nëse një i punësuar do të merrte guximin të sinjalizonte për eprorin apo zyrtarët e tjerë në bashki.

Më konkretisht, ai nënvizon: ‘Pasiguria për ruajtjen e konfidencialitetit dhe frika se mund të përballen me hakmarrjen e zyrtarit që denoncojnë, bën që të punësuarit të zgjedhin heshtjen, duke mos denoncuar abuzimet dhe korrupsionin e qeverisjes në të dyja nivelet.

Praktika e përballjeve të qytetarëve me pushtetin ka qenë e vështirë dhe shpeshherë zhgënjyese, çka ka formësuar dhe mentalitetin që shteti jo gjithmonë ka qenë në krahun e qytetarit dhe mbrojtjes së tij.

Prandaj shpeshherë qytetari është më i prirur t’i drejtohet medias për të denoncuar raste të korrupsionit sesa strukturave shtetërore’.

Sinjalizimi cilësohet një veprim i guximshëm, pasi sinjalizuesit shpesh rrezikojnë jo vetëm të përfshihen në konflikte, por edhe të cenojnë mirëqënien e familjeve të tyre. Frika ndaj hakmarrjeve, por edhe mungesa e kulturës për të denoncuar, konfirmohet ndër shkaqet kryesore edhe nga drejtuesit dhe anëtarët e Njësive Përgjegjëse të ngritura në10 Bashki të vendit.

Një prej drejtuesve të Njësive Përgjegjëse shprehet se: ‘Nëpunësit kanë frikë nga hakmarrja, që është shumë e rëndë si fjalë, por kështu funksionon këtu, në të gjithë vendin. Është çështje mentaliteti, çdo person ka një epror, i cili mund të hakmerret ndaj tij. Opsioni i vetëm për të sinjalizuar është kur nuk ke asnjë mundësi tjetër, ose kur nuk ke më gjë për të humbur’.

Një tjetër anëtar nxjerr në pah një tjetër shkak: ‘Nuk mendoj që kanë frikë Drejtorinë e Auditit, më tepër frika qëndron tek eprorët, duke qenë se ata mund t’i shkaktojnë dëm. Besoj se edhe në rastet kur nuk kanë frikë, është çështje kulture. Jemi mësuar të heshtim dhe të mos përfshihemi, edhe kur konstatojmë probleme’.

Në disa Bashki, Njësitë Përgjegjëse të Sinjalizimit janë krijuar me vonesë. Por emëruesi i përbashkët në gjithë qeverisjen vendore, është mungesa e theksuar e informacionit për parashikimet ligjore mbi sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Gjatë trajnimeve që Shkolla Shqiptare e Administratës Publike ka kryer me stafet e disa bashkive, sipas specialistëve të njësive, një ndër problemet kryesore, që u evidentua ishte jo vetëm mosnjohja e ligjit, por edhe mungesa e informacionit për ekzistencën e Njësive Përgjegjëse, që në fakt formalisht figurojnë pranë bashkive.

Ky problem u evidentua edhe gjatë sesioneve të informimit, që Komiteti Shqiptar i Helsinkit realizoi në bashkëpunim me Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Juristja e KShH-së Ardita Kolmarku ndalet edhe tek mungesa e parashikimit ligjor të pagës për specialistët e Njësive të Sinjalizimit: ‘U vërejt mungesë e njohurive mbi ekzistencën dhe anëtarësinë e Njësisë Përgjegjëse në institucionin ku ata punojnë. Faktor i ndikueshëm është dhe roli primar që anëtarët e Njësisë Përgjegjëse luajnë si auditues, duke bërë që sensibilizimit, sipas ligjit nr. 60/2016, të mos i kushtohet aspak vëmendje. Gjithashtu, ndikim në mungesën e ndërmarrjes së një roli proaktiv sensibilizues, ka dhe mos parashikimi i një diferencimi në pagë për nëpunësit e Njësisë, për të cilët kjo është një punë ekstra’.

Referuar VMK-së nr.816, datë 16.11.2016 ‘Për strukturën, kriteret e përzgjedhjes dhe marrëdhëniet e punës së punonjësve të Njësisë Përgjegjëse në Autoritetet Publike, në zbatim të Ligjit Nr. 60/2016’, në mënyrë primare njësia përgjegjëse për sinjalizimin e brendshëm ka në përbërje drejtuesin e strukturës së auditimit të brendshëm në bashki si dhe një punonjës të zyrës.

Drejtuesit dhe specialistët e njësive,thonë se përveçse punë e papaguar, bie ndesh edhe me angazhimin e tyre kryesor, si auditues. ‘Ne kemi shumë ngarkesë duke punuar si pjesë e Auditit dhe e Njësisë Përgjegjëse. Kjo punë nuk n’a përputhet me punën si auditues duke qenë se ka mbivendosje. Ligji i Auditit, për ne, prevalon dhe në bazë të tij, ne e kemi të ndaluar të kemi një rol proaktiv (informim, etj).

Auditi nuk mund të kryejë hetime, por duhet t’i dërgojë evidentimet e tij tek hetimi financiar dhe të raportojë periodikisht tek eprori. Puna e Njësisë Përgjegjëse bie ndesh me ligjin e Auditit dhe kontrollin me të cilin kjo zyrë angazhohet’.

Nisur nga gjetjet paraprake të monitorimit të realizuar nga KShH, vihet re se mbrojtja e sinjalizuesit dhe lufta ndaj stigmës e fenomenit kulturor mbi sinjalizimin mbetet një sfidë, e cila duhet reduktuar nga bashkëpunimi i vazhdueshëm i aktorëve institucionalë dhe atyre të shoqërisë civile.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco