E nderëm Flamurin edhe këtë nëntor

E nderëm Flamurin edhe këtë nëntor

14:16, 01/12/2020
A+ Aa A-

Nga Bled Komini

E nderëm edhe këtë vit flamurin tonë. E varëm si rrobe që është veshur prej shumë politikanësh, si gunë e përdorur brutalisht në debate, si xhaketë e hedhur për të mashtruar sytë e pavëmendshëm, si zhguall për ata që me të mbulojnë synimet dashakeqe. E nderëm në dyert ku populli s'troket dot, në spitalet ku nuk gjen shërim, në shkollat e mbyllura të komunave e fshatrave ku familjet shpërngulen dhe (e)migrojnë duke ikur larg prej aty.

E nderëm flamurin nëpër shtylla tensioni, nëpër lagje pa kanalizime, në rrugë me baltë e ku kalojnë autobuzë që lëshojnë shtëllunga tymi. Ja nderëm shqiptarëve nëpër tela që tunden lartë, që patriotizmi t'u mbushë sytë, e t'u ngacmojë sedrën, se rrugë, shkolla, kopështe e shërbime më të mira do të kenë... "Se e ardhmja nuk i përket zuzarëve por shqiptarëve".

Prej vitesh, festat e nentorit vijnë e ikin bash si ditë normale. Qëllon që të shohësh politikanë që urojnë, qytetarë që varin flamurin nëpër ballkone apo në shtiza të improvizuara, si dhe emisione, lajme apo ditarë televizivë që i bëjnë një pasqyrë ditore ngjarjeve se çfarë bëri aksh politikan, ministër, ose kryeministri e presidenti për 28 dhe 29 nëntorin.

Njësoj si ato shtizat e improvizuara mbi të cilat valëvitet flamuri ynë, – i bukur, i fisëm, i mrekullueshëm, – ku tundet shqipja dykrenare; po aq të improvizuara duken dhe festat patriotike të nëntorit me ceremoni fasadë, lajme fasadë, politikanë me maska, e media pa kurrëfarë ndjeshmërie e kontributi patriotik, edhe pse nofkën e mbajnë si media kombëtare.

Ecën rrugëve dhe zemra të therr teksa sheh nderjen e flamujve në dyert apo dritaret e institucioneve publike, si coha të shkalafitura e të shqyera prej stinëve, prej pluhurit mizor, erës që e përplas herë në njërin krah e herë në tjetrën anë të fasadës së dalë bojësh...mes fijeve, telave, kabujve që si rrjeta merimangash sillen pranë, përmbi, rrotull e ngado flamurit.

Edhe zogjtë që fluturojnë atypari, përplasen pa ja pasur frikën shqipes dykrene në sfondin që deri dje ishte i kuq, dhe që tash, pasi ka kaluar një proces zverdhje, kafetisje e portokallisje, është zbardhur krejt.

Transfigurimi i flamurit s'është gjë tjetër veç një transfigurim i tërë simbolikës madhështore kombëtare që ai mbart. Në qoftë se me heronjtë procesi i tyre nis me mitizimin, qendërzimin, tregimet, letërsinë e më pas shkon drejt çmitizimit e kriticizmit, për t'i futur e lënë në librat e historisë. Me flamurin kombëtar, ky proces ka mbërritur deri në gjendërzim. Nderja e tij mbi shtiza si një rrobe e dalë boje, e terrur, tretur, brejtur dhe zbardhur, tregon se gjendra e ka mundur dhembjen, e ka vrarë patriotizmin, dashurinë, atdhetarinë dhe nacionalizmin.

Por nuk është vetëm emblema e flamurit që lëngon dhe nëpërkëmbet. Ndjehesh keq teksa sheh se simbolet e një kombi të tërë vuajnë mosrespektin dhe mosmirënjohjen e brezave pasardhës. Skëndërbeu është një tjetër rast që ka pësuar tkurrje në daltën e atyre që nuk gdhendin histori por prehistori. Simbole të tilla janë të paprekshëm, jo sepse janë perfekt, absolutë apo të pa cenë, por sepse ne kemi zgjedhur t'i vendosim në Dodonën e veprave madhore për shkak të kombit, të unifikimit dhe dallimit prej kombeve të tjerë. Simbolet dhe heronjtë respektohen, admirohen dhe janë arketipe ku lidhet besa, bëhet besatimi kombëtar, se askush s'ka për t'i cënuar aq sa për t'i rrëzuar e nëpërkëmbur. Se mbi to kurrëkush nuk shkel dhe nuk guxon të mos respektojë.

Njëjtë si flamuri i nderur, apo si Skëndërbeu i përçudnuar, ashtu ndjehen dhe shqiptarët. Të thyer, të strukur, të trembur, të larguar prej këtij vendi e të përzënë prej sorrave që e sulmojnë folenë e shqiponjës, jo për ta zënë, sepse lartësia ku ajo rri nuk u përket atyre, por për ta shkatërruar, se kurrë s'do të munden t'i ngjajnë asaj.

Qindra e mijëra shqiptarë të larguar, por krenarë për flamurin e tyre kudo ku shkojnë në botë. Mijëra të tjerë brenda këtij vendi, por të verbuar, aq sa ngjyra e zbardhur e asaj cohe të kuqe nuk u vret më sytë.

108 vite pavarësi kaluam sivjet. Plotë janë, duke u krahasuar me shtete të tjerë që nuk kanë as sa gjysma jonë mëvetësi.

E kaluam një shekull shtet, por jo një shekull komb. Është një ëndërr e vjetër kjo që sapo ceka, dhe besoj se etërit e këtij kombi e kanë qarë përpara nesh ndasinë dhe copëzimin e pabesë të kombit shqiptar në disa shtete. E kanë qarë edhe atdhetarët, qytetarët e ndershëm, si dhe ata që kanë dhënë jetën për këtë vend.

Por janë edhe disa të tjerë, që nuk qajnë, por fërkojnë duart sepse fati u ka sjellë që të posedojnë frerët e vendimmarrjes ndaj një populli të përvuajtur gjatë shekujve. Fërkojnë duart se, mund të bëjnë pazare me dushanë e bajlozë, matrapazë e tregtarë flamujsh që gjuajnë Qeveri bananesh, për t'u vjedhur atë pak tokë, histori e kombësi që u ka mbetur.

Kemi mbijetuar ndër shekuj jo se na mbrojti flamuri, e as heronjtë njerëzorë, por sepse shqiptaria paska qënë një kockë e fortë, që nuk kapërdihet e as tretet kollaj. Ndaj, çdo gjë e ka një fund, ashtu siç dhe epoka e marrëzisë do të ketë fundin e saj.

Ky nëntori po shkon, e koha s'ndalet, ndaj uroj që nëntori tjetër të na gjej me nafakë të re.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco