8 vjet të hedhura në Facebook

8 vjet të hedhura në Facebook

13:06, 27/11/2020 Nga Belind Këlliçi
A+ Aa A-

Nga Belind Këlliçi

Dje, në përvjetorin e tërmetit të 26 nëntorit, kryeministri publikoi një video. Prisja të shikoja një video-homazh për shqiptarët që humbën jetën, për shumë të tjerë që u plagosën, dhe një dedikim të ndjerë për zjarrfikësit, ushtarakët, gazetarët dhe këdo tjetër që u gjend në krye të detyrës.

Prisja të shihja të inkuadruar zjarrfikësin e dalluar vlonjat Luan Kapaj dhe kolegët e tij fantastikë që luftuan nën rrënoja me vdekjen. Doja të shihja një kryeministër modest, që nuk fliste për veten por falenderonte heronjtë e vijës së parë. Pritshmëri këto që lidhen me solemnitetin e përvjetorit dhe aspak me personalitetin politik të kryeministrit, që e njohim prej 22 viteve të tij në politikën aktive.

Pa kurrëfarë modestie, epiqendra e videos së tij ishte vetë ai. Rama fliste për Edin, Edi fliste për Ramën. Ai ishte tregimtari, ai personazhi, ai heroi i fabulës me autor vetveten. Një autoreportazh që rrekej të ngjethte mishtë për të palodhurin kryeministër. Nëse Rama donte të falenderohej, le ta linte në dorë të qytetarëve. Të vendoste në vemendjen e shikuesve heronjtë e vërtetë të atyre ditëve. T'u linte radhë. Të ishin ata protagonistët e videos.

Shikoni videon dhe orvatjen manipuluese të lojës me fjalët dhe figurën. "Kryeministri organizoi diasporën". Aspak e vërtetë! Shqiptarët në mbarë botën nuk pritën kryeministrin t'i organizonte, madje kërkonin t'i administronin vetë donacionet sepse s'kishin besim te tigri i tij i financave. Këto janë fakte, jo opinione të miat. "Kryeministri bëri bashkë në Bruksel udhëheqës shtetesh". Aspak e vërtetë! Ka rradhë puna. Ka liderë shtetesh të mëdha që vendosin kur, si dhe për çfarë mblidhen.

Nuk është hera e parë që kryeministri e sheh veten shpëtimtar. Ju kujtohet videoja e fushatës elektorale ku Rama me një ushkur lëvizte diellin. Diellin që, Erion Veliaj në fotot e tij, me po aq fuqi të mbinatyrshme, e zhvendoste nga Lindja në Veri. Komisari ynë i dritës dhe diellit eksporton delir, cilësia e parë.

Muajt kaluan dhe banorët do të presin Vitin e Ri 2021 në çadra. Kryeministri vërtet u tha që brenda gushtit do hynin në shtëpitë e reja, por nuk tha në ç'vit.

Jemi mësuar tanimë, që çdo fundvit, kryeministri nga ekrani, na kërkon ndjesë për gjithçka nuk ka mundur të bëjë e të na përsërisë togfjalëshin "Kemi ende shumë për të bërë". Që ka shumë për të bërë, këtë e di i madh e i vogël. Po 8 vjet duke bërë foto e video, nuk i mjaftuan kryeministrit për të përmbushur nevojën e tij psikologjike për të qenë vetëm ai në qendër të vëmendjes.

8 vjet të hedhura në Facebook!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco