Lajmi i fundit

LIVE/ Rinis mbledhja e Këshillit Bashkiak në Himarë

Diktaturat e Covid-19, po sikur pandemia të zgjasë 50 vjet?

Diktaturat e Covid-19, po sikur pandemia të zgjasë 50 vjet?

15:08, 19/11/2020
A+ Aa A-

John Locke thotë se: Në gjendjen natyrore liria konsiston në të qenit të lirë nga çdo fuqi superiore në Tokë. Njerëzit nuk janë nën vullnetin ose autoritetin ligjbërës të të tjerëve, por kanë vetëm ligjin e natyrës për sundimin e tyre. Liria është e kufizuar nga ligjet, si në gjendjen e natyrës, ashtu edhe në shoqërinë politike.

Mbi këtë bindje, kam mendimin se diktatura shëndetësore është dorëzimi i lirive në emër të frikës për jetën. Kjo po ndodh sot në të gjithë botën. Demokracia ka hyrë në krizë dhe po rrjedh drejt autoritarizmit përmes urgjencave shëndetësore. Po sikur Covid-19 të zgjasë për 50 vite? A duhet të jetojmë pa të drejta për gjysëm shekulli?

Ky eksperiment i madh global po vërteton se ka terren për diktatura të reja sepse qeveritë munden të shpikin mekanizma urgjencash, përmes së cilave ato mund t’u limitojnë të drejtat dhe liritë për një kohë të caktuar, apo përgjithmonë qytetareve.

Nuk dua të merrem me sëmundjen sepse refuzoj të besoj se bota, që ka zbuluar anti materien dhe ka satelite në hapësirë, nuk e kontrollon dot një virus. As me pasojat e Sars Cov 2 mbi trupin e njeriut nuk dua të merrem. As me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, që prej një viti bën thirrje për larje duarsh. Po marr në konsideratë vetëm katastrofën e demokracisë, e cila lindi si pasojë e pandemisë.

Ky eksperiment, për ata që studiojnë sistemet politike, ka vërtetuar se ekstreme të reja burokratike, të cilat hiqen si gjysëm demokraci, mund të shfaqen në skenën politike. Kjo gjë do të rrezikonte pa masë liritë e njeriut në shoqëri, duke e varur sjelljen tonë në komunitet nga rregullat që prodhojnë gjysëm demokracitë post pandemike.

Sigurisht që nuk bazohem tek Shqipëria për këtë konkluzion sepse në nuk jemi fare një shtet ish-demokratik, por po marr në konsideratë vendet e zhvilluara, të cilat prej shekujsh reflektojnë dhe eksportojnë idenë se liria është thelbi i një shoqërie të suksesshme. Nëse pas dy vitesh do të shfaqej një epidemi e re dhe disa shtete do të vendosnin të mos bënin fare zgjedhje, kush do t’i ndalonte?

Nëse marrja e lirive pa leje dhe pa afat, për shkak të një rreziku imediat, do të kthehej në normë për shtetin, këtu askush nuk do mund të fliste më për demokraci të deleguar, të drejta apo edhe për detyrime.

Nëse qeveritë do të mund të shmangnin detyrimet e tyre ligjore permes një rreziku imediat të shpikur apo real, kjo do të ishte edhe lindja e një sistemi hibrid, i cili nuk do të mund të llogaritej se deri ku dhe kur do i shtrinte efektet e tij. Unë besoj se pandemia ekziston, por gjithashtu besoj se është abuzuar shumë me të.

Media ka patur një rol kyç në krijimin e panikut global dhe stresit kolektiv mbi të cilin qeveritë kanë ndërtuar rrugën e tyre të gjysëm demokracisë. Ky vit ka dëshmuar se frika për jetën na ka ndryshuar edhe ne si njerëz duke rrënjosur një model sjellje shumë të dëmshëm për të ardhmen tonë si qënie sociale. Konformizmi pa arsye është vetëm bindje qorre ndaj propagandave, të cilat jo gjithmonë kanë qëllime të mira.

Sikur Austria sot, për shkak të rrezikut të disa fondamentalistëve, të mos lejonte askënd të shëtiste pas orës 16:00 në sheshet e saj, a do ishte e përligjur kjo masë në emër të mbrojtjes së jetës?

Apo Franca të vendoste që udhëtarët në aeroporte të zhvisheshin plotësisht para oficerëve për të shmangur sulme të mundshme, a do ishte një masë e drejtë e qeverisë ndaj të drejtave të udhëtarëve dhe dinjitetit njerëzor?

Po sikur, pas 3 vitesh të njoftoheshim se një asteroid do të godiste tokën dhe për këtë rrezik bota duhej t’i nënshtrohej rregullave të reja të sjelljes, jam i sigurt se qeveritë i kanë gati masat e reja. Edhe sikur të mos kishte asnjë rrezik real, në bashkëpunim me mediat, kjo gjë do të mund të shitej si një lajm i vërtetë. Këto janë vetëm disa shembuj se si mund të degradojë mekanizmi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve në një vend demokratik nga rreziqet imediate.

Këtu fillon dhe mbaron shqetësimi im lidhur me të ardhmen e paqartë që na pret. Nuk dua të jap zgjidhje sepse ato gjenden në historinë e njerëzimit dhe janë fare të qarta. Ajo që po bëj është vetëm një këndvështrim i ri mbi gjendjen sot dhe atë se me çfarë mund të perballemi ne nesër. Duke shkruar këtë mendim kisha në mendje një person që para pushkatimit kërkon që t’i zgjidhen duart. Liria është një vlerë e pazëvendësueshme për njerëzit. Për të ja vlen të luftosh çdo ditë.

Tani pas gjithë kësaj analize, Shqipëria më duket një Surrel i madh, fshati me shumë bageti ku, për çoban kemi Edi Ramën. Është fatkeqësi që populli ynë nuk i ka njohur kurrë vlerat e lirisë. Ne nuk e dimë akoma çdo të thotë që shteti të garantojë ruajtjen e dinjitetit njerëzor, të pronës apo barazinë para ligjit.

As nuk perceptohet e drejta si normë juridike, apo sociale tek ne. Ketu shteti ka gjithmonë të drejtë. Drejtësia funksionon vetëm në dëm të qytetarit kur ti përballesh me shtetin. Këtu vendimet e gjykatave nuk ekzekutohen kur palë dëmtuese ke shtetin. Këtu edhe John Locke do ishte çmëndur dhe nuk do shkruante dot, pasi nuk do e kuptonte dot lirinë si nocion.

Është tallëse dhe fyese për çdo shqiptar fjala tranzicion, të cilën e dëgjojmë rëndom prej 30 vitesh. Për pasojë, edhe Covid-19, i cili nuk u shpik nga ne dhe për ne, nuk është se na ka bërë shumë përshtypje sepse ne jemi mësuar që të shtypemi nga shteti.

E vetmja gjë që këtu ka peshë është thashethemi mbi hallet e të tjerëve, i cili buron nga injoranca. Siç Platoni pretendonte se nuk ka ligësi, por vetëm injorancë. Unë mendoj se akoma ne si shoqëri nuk i kemi kultivuar vlerat universale të lirisë. Për pasojë, keq qeverisemi dhe jemi të varfër dhe të vjedhur. Jemi një plagjiaturë e demokracisë dhe funksionojmë keq sepse edhe nuk e dimë edhe nuk duam ta mesojmë.

Për fat të keq pandemia në vendin tonë u nis me propagandë dhe do të mbyllet me propagandë. Efektet ekonomike dhe shëndetësore po i shohim çdo ditë, por ajo që shqetëson më shumë është indiferenca e shumicës së shqiptarëve ndaj agresionit shtetëror dhe modelit të shtetit policor që është instaluar në këtë vend. Konformizmi ynë i bën akoma më të egër diktatorët dhe unë besoj se jemi shumë pranë një udhëkryqi të madh për të ardhmen tonë.

Përpara kemi një mundësi të artë për t’u integruar në BE dhe nga ana tjetër kemi mundësi të shpallemi Republika e Surrelit. Unë mendoj se, nëse nuk tregojmë forcë përballë juntës policore, shumë shpejt, për shkak të pandemisë, do të detyrohemi të votojmë në e-Albania dhe të vulosim njëhere e mirë fatin tonë.  Juntat nuk kanë limite në zullume dhe nëse nuk ndalen në kohë, kostoja njerëzore për përmbysjen e tyre, do të ishte shumë e madhe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

kudreti 03/06/2021 11:19

HA HA HA .

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco