E treta, e vërteta në Washington?

E treta, e vërteta në Washington?

16:35, 25/08/2020
A+ Aa A-

Nga Gentian Çala

Le të shpresojmë se takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet në tentimin e tretë. Se si thonë, e treta e vërteta. Por cila e vërtetë vallë?! Opinioni publik di shumë pak mbi produktin e tentuar të një takimi të rishtyrë dy herë. Grenell ka folur për një “marrëveshje ekonomike” dhe suport të dialogut të filluar në Bruksel. Produkti i tentuar duket “pak gjë” për administratën e vendit më të fuqishëm në botë. Në diplomaci mund të bëhet shumë duke parathënë pak. Po a duket të jetë ky rasti?! Mbetet të shohim.

Kosova do të përfaqësohet nga Kryeministri i një qeverie të “infektuar” dhe të dobët, ndërsa lobi serb pran? administratës Trump duket disi më i fuqishëm. Mjaftojnë këto dy elementë që të bëjnë të hamendësosh produktin e një takimi jo të lehtë. Një foto shtrëngimi duarsh dhe një ofertë amerikane me dyer të mbyllura, do të ishte diçka e mundshme. Lëvizja e procesit përpara do të ishte alternativë më e mirë se vendnumërimi i prodhuar në Bruksel. 

Midis një varianti përparues (plani paqeje dhe njohjeje të ndërsjelltë), një status quo-je (vazhdoni bisedimet në Bruksel) dhe një marrëveshje fasadë (kanal ajror, paketa investimesh, ndërveprimi rajonal, etj.) do të preferoja të parën të kombinuar me të tretën. Pra një paqe e ndihmuar nga investime në Ballkan. Por, kjo në diplomaci nuk është kaq perfekte dhe as e arritshme lehtësisht. Do të ishte naivitet apo jo realiste të mendosh se konflikti një shekullor të mbyllej me një takim. Washingtoni e di më mirë se kushdo vështirësinë e procesit. 

Data 4 Shtator po afron dhe situata në Kosovë nuk duket as e qetë dhe as e maturuar politikisht. Administrata Trump duket se dy muaj para zgjedhjeve po tenton diçka, ku dështimi duket më pranë zgjidhjes, por po kaq dështim duket edhe mospërfshirja amerikane duke e lënë çështjen në duart e europianëve. Ndijesia ime është se ky do të jetë thjesht një takim dhe kaq. Zgjidhjet e vështira duan vendosmëri dhe drejtim. Do të hapet një derë, ku shpresoj se palët do të riulen në të ardhmen për të gjetur një zgjidhje jo vetëm për popujt e tyre, por për paqen dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco