‘Turi’ është maja e ajsbergut në arsimin shqiptar!

‘Turi’ është maja e ajsbergut në arsimin shqiptar!

11:52, 19/06/2020
A+ Aa A-

Nga Alban Daci

Nuk desha të merrem me çështjen e ‘Turit’ në tekstin e provimit të Maturës. Megjithatë, çështja në arsim është më e rëndë se sa duket dhe provimi i letërsisë është maja e ajsbergut që tregon një sistem të rrënuar dhe në një krizë të thellë.

Kjo ka ndodhur:

1. Në të gjitha nivelet e arsimit shqiptar është vrarë meritokracia. Ka 20 vjet që kemi pedagogë nëpër universitete persona që nuk e meritojnë, janë aty për të marrë një rrogë dhe për shkak të njoftesive. Pra, pedagogjik nuk është çështje talenti, pasioni dhe misioni, por mundësi për të marrë një rrogë. Ata që janë shkolluar jashtë nuk mund të japin mësim, sepse duhet doktoratura e ata që e kanë doktoraturën nuk kanë bërë kurrë publikime shkencore e ndoshta në një vend normal nuk do të kishin mbaruar dot as arsimin e lartë

2. Strukturat e Ministrisë së Arsimit dhe të Universitetit janë mbushur me militantë partie, nepotizëm e parazitizëm

3. Përdorimi i teksteve dhe përkthimi i tyre dëshmon qartë se në Shqipëri është vrarë kërkimi shkencor origjinal shqiptar si pjesë natyrale e sistemit. Askujt nuk i intereson kërkimi shkencor dhe kërkuesit e vërtetë që janë përjashtuar padrejtësisht nga mësimdhënia apo strukturat e Ministrisë dhe Universitetit, hasin pengesa pa fund dhe mbi të gjitha nuk ka programe që i financon. Paratë i ndajnë mes vetes dhe me të paaftë, sepse qëllimi i tyre është pasurimi dhe jo shkenca.

4. Ky është një realitet që të gjithë e dimë e nuk e kuptoj pse habiten me përkthimin skandalozë në Provimin e Letërsisë.

Çfarë do të mbjellësh do të korrësh- thotë një fjalë e urtë popullore. ‘Turi’ është mbjellë që në fillim të viteve '90 dhe e korrëm në 2020! Korrja sapo ka filluar e do të shikon plotë ‘Tura’ të tjerë në vazhdim!

Zgjidhja imediate për të mos pasur probleme të ndryshme e për të pasur një sistem të shendosh arsimor e mbi të gjitha punë cilësorë të kërkimit shkencor e nivele të larta në universitetet tona është nisja e një vetingu të ngjashëm e ndoshta edhe më të ashpër me atë që po bëhet në sistemin e drejtësisë. Të gjitha ata që japin mësim prej vitesh në sistemin universitar duhet të futen në një sitë për të kontrolluar kriteret e tyre akademike dhe po ashtu pasurinë që kanë në raport me të ardhurat e deklaruara. Nëse nuk bëhet një venting serioz në sistemin Universitar dhe nëse nuk vendoset kriteri i meritokraci së në rekrutimin e pedagogëve si dhe në nivelet e strukturat drejtuese të Ministrisë së Arsimit do të vazhdojmë të kemi sistem të dobët arsimor e largimin e ‘trurit’.

Mirditorët kanë një shprehje se: ‘shkolla nuk asht vend për të marr’. Pra, universiteti nuk është e nuk mund të jetë një vend punësimi për një familjar apo për një militant, por duhet të jetë tempulli i dijes  që garanton një të ardhme për brezat. Një sistem arsimor cilësor është një doktor shumë i mirë edhe për një shoqëri të sëmurë ose me probleme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco