Xhindi nuk futet më në shishe!

Xhindi nuk futet më në shishe!

09:23, 17/06/2020
A+ Aa A-

Nga Alma Lleshi

Të dielën, më 23 shkurt, filluan të dëgjohen zëra se shkollat në rajonin e Lombardisë në Itali, mund të mbyllen. Rastet e konfirmuara dhe vdekjet nga koronavirusi po rriteshin frikshëm. Sistemi i kujdesit shëndetësor në Itali u gjend i papërgatitur dhe vendi ishte përballë faktit që duhej të ndryshonte gjërat në mënyrë dramatike në një përpjekje për të ndaluar të keqen. Në mbrëmjen e po asaj dite, rajoni u bllokua plotësisht.

Pothuajse e njëjta gjë ndodhi edhe në Shqipëri. Më 7 mars mësuesit festuan dhe 2 ditë më vonë shkollat u mbyllën.

Që prej asaj kohe, mësuesit kanë dhënë mësim përmes video-konferencave. Fëmijët kanë marrë pjesë duke përdorur sistemet virtuale që i lejon ata të ndajnë dhe ide duke bërë punë individuale, punë në grupe dhe këshillohen me mësuesit kur është e nevojshme. Duket e habitshme por është e vërtetë, se mësuesit janë më shumë të ngarkuar tashmë me përdorimin në masë të teknologjisë. Çdo komunikim është më i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë duke kërkuar përqendrimin maksimal dhe mbi të gjitha profesionalizëm në atë që transmetojnë on-line, sepse në fund të fundit – ‘E shkruara mbetet’.

Kjo është ajo ana me shkëlqim e medaljes.

Ana tjetër, KRIZA – e cila i ka bërë edhe më të dukshme pabarazitë e thella. Këtu ndahet fëmija që ka një pajisje moderne teknologjike nga ai që nuk e ka, mësuesit që kanë aftësi për të vetë-menaxhuar sa më mirë mësimdhënien, por edhe prindërit që kanë kohë ose jo, për të ndihmuar fëmijët e tyre.

Dhe kjo situatë, me dhimbje na kthen në kujtesë shkollën… si një vend i të mësuarit, por dhe i shoqërizimit, kujdesit dhe përmirësimit, i komunitetit dhe hapësirës së përbashkët.

Pandemia është duke iu dhënë të gjithëve njohuri masive mbi teknologjinë. Por mënyra se si u bë e mundur kjo, brenda një nate apo dy, pa trajnime, sigurisht që nuk është gjëja më e mirë.

Kur stuhia e pandemisë të kalojë, shkollat mund të revolucionarizohen dhe asgjë nuk do jetë më si më parë. Ndryshimi i vërtetë ndodh në kriza të mëdha! Ekonomia botërore u trondit rëndë nga pandemia, u rrit papunësia, ka recesion dhe varfëri të theksuar. Dhe kështu u bënë edhe më të thella pabarazitë në sistemin arsimor, u rrit në mënyrë tronditëse numri i fëmijëve me pamundësi digjitale.

Sipas një studimi të ‘Equity’, një organizatë rinore europiane, në SHBA rreth një e katërta e 15 vjeçarëve nuk kishin një kompjuter për të studiuar. Këto ndarje ka të ngjarë të përkeqësohen, pasi recesioni ekonomik do shkatërrojë përfundimisht më të margjinalizuarit në shoqëri, përfshirë edhe fëmijët. Kur në SHBA ndodh kështu, po në Shqipëri, si mund të jetë raporti i fëmijëve pa një kompjuter për të studiuar?

Po prindërit? A thua në Shqipëri çdo prind e ka nivelin e arsimimit digjital të nevojshëm për t’i ndihmuar fëmijët e tyre? Ka prindër që sfidën më të madhe e kanë me sigurimin e ushqimit dhe strehimit për fëmijët.

Pedagogët, përtej internetit nuk mund të zgjidhin atë më themeloren e gjërave, ndërveprimin shoqëror me nxënësit. Mësimdhënia është një përpjekje mbi të gjitha njerëzore.

Sot, rreth 4 muaj më vonë nga fillimi i pandemisë, shkollat në Shqipëri vijojnë komunikimin online. Të gjithë bashkë, nxënës, pedagogë, prindër dhe kurrikula të përzier brenda asaj që vazhdon të jetë ende një e panjohur.

Më 12 qershor, maturantët dolën në protestë. Guxuan dhe u ngritën kundër frikës, kundër mentalitetit që i ka trajtuar përherë si pjesa më e brishtë, kundër autoritetit që kujton se mund të vendosë mbi gjithçka, dhe fituan. Fituan vetëbesimin!

Maturantja që përjetoi testin si të ecte mbi fijen e perit ngriti zërin dhe denoncoi pushtetin që arsimin e ka bërë si fushë futbolli ku topi rri vetëm në njërin krah dhe nxënësit nuk mund të jenë lojtarë, por spektatorë që shohin sesi luhet me fatin e tyre. E thane pa frikë atë që mendojnë, ata protagonistët e një Shqipërie më të mirë!

Duket se e ardhmja, nuk do ketë më në qendër akademikët, por vetëm nxënësit dhe mirëqenien e tyre.

Asgjë nuk është më si më parë dhe … as xhindi nuk futet më në shishe!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco