KLGJ dhe mandati i përjetësisë

KLGJ dhe mandati i përjetësisë

15:15, 06/05/2020

Nga Eduard Halimi/

Mbi vendimin e fundit të KLGJ, për mandatin e përjetësisë.

Në Shqipëri, çështja e qëndrimit në një detyrë kushtetuese (nga gjyqtarët e niveleve të larta, Prokuror i Përgjithshëm/Posaçëm e deri tek Kryeministër apo President) është ende me mandat të kufizuar specifik në vite. Të paktën ende kështu nëse nuk ecim në ndonjë model tjetër në lindje. Është kështu pothuajse në të gjithë vendet e Civil Laë (Europe) dhe Common Laë (UK, USA) po ashtu.

Por KLGJ dje ka marrë një vendim i cili ka hasur ne diskutime. Qëllimi im në shkrimin e mëposhtëm është tërësisht teknik dhe synon reagimin ndaj situates së krijuar pavarsisht emrave të debatit të sotëm apo nesërm.

Presidenti i Republikës i është drejtuar KLGJ lidhur me vijimin e detyrës që e mban prej 16 vjetësh, pra tej afatit 9 vjeçar një gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Gjyqtari nuk është një gjyqtar karriere, nuk vjen nga sistemi i drejtësisë, pra nga shkallët e tjera të gjyqësorit. Ai është emëruar nga Parlamenti në vitin 2004 nga rradhët e juristëve të shquar, për një mandat 9 vjeçar. Presidenti kërkon zgjidhjen e kësaj çështje pasi qëndrimi në detyrë tej 16 vjetëve (në përjetësi) është shumë larg mandatit 9 vjet që gjyqtari ka marrë nga Parlamenti i 2004, ashtu si dhe GJK është shprehur më parë. Pasi ka plotësuar vullnetin e KLGJ (në një luajalitet shumë pozitiv në këto kohë konflikti) duke emëruar tre antarë të rinj të propozuar nga vetë KLGJ, edhe këta nga jashtë sistemit, Presidenti thote se është plotësuar dhe kushti i pasardhësit, jo nga një por nga tre, ndaj mandatit te përjetësisë duhet ti jepet fund.

Kushtetuta e Shqipërisë është qartë kundër përjetësisë së kujtdo me mandat kushtetues. Në rastin konkret e ka përcaktuar ekzatësisht në 9 vjet, as 10, as 12, as 16. Mekanizmi kushtetues është zëvendësimi dhe jo përjetësia. Por ky mekanizëm është bllokuar. Deri një muaj me parë (para emërimit të tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë) edhe më skeptikët pranonin se kjo nuk ishte çështje e ndonjë interpretimi “kushtetutes” e “shkencor”, por se ishte një problem i krijuar artificialisht nga vettingu; se aty nuk kishte mbetur asnjë gjyqtar; se nuk mund ti vihej dryni GJL; se short për KED siç parashikon Kushtetuta nuk mund të hidhej sepse ai ishte i vetmi etj etj.

Pra “bllokimi” i mekanizmit Kushtetues të sistemit, (kush mbaron mandatin kushtetues duhet të largohet, sapo vjen dhe pasardhësi; tani kanë ardhur tre) është një situate artificiale, “teknike” ose “mekanike”, siç thotë dhe Yuval N. Harari në librin e fundit “Homo Deus”, e krijuar nga vetë njerëzit e kësaj historie. Nuk e ka krijuar Kushtetuta apo ligji apo evoluimi i zbatimit te ligjit apo i mendimit shkencor juridik në Shqipëri, nuk është një situate ku ligji apo Kushtetuta janë te paqartë apo kanë vakum.
Pra qeveria e gjyqësorit, KLGJ, duhet të zgjidhë problemin “teknik/mekanik”, te zhbllokojë sistemin dhe ti jap fund përjetësisë.

Unë nuk i di qëllimet e Presidentit por jam i prirur të besoj se ai nuk i ka kërkuar “mendim shkencor” antarëve të KLGJ, pasi besoj se e ka të qartë se antarët e KLGJ të zgjedhur nga Parlamenti me gogla dhe ata të zgjedhur nga sistemi me votë, nuk janë aty për dhënie “mendimi shkencor”, doktrinal apo jurisprudencë ndërkombëtare. Nëse do ti duhej ndonjë mendim i tillë, ndoshta duhej ti drejtohej jo KLGJ por Gjykatës Kushtetuese apo edhe Komisionit të Venezias siç ka ndodhur në këto vitet e fundit. Nëse do ishtë një çështje e ndonjë reforme të thellë të sistemit të drejtësisë, ndoshta nuk do ti drejtohej KLGJ por duhej të kërkonte të përfshiheshin partnerët ndërkombëtarë siç ka ndodhur këtu e 30 vjet. Nëse do ti duhej mendim per mandatet e përjetshme ndoshta do duhej ti drejtohej eksperteve shkencore te ligjit ne Rusi apo ndonje vend tjetër në Azi. Nëse do ti duhej mendim për përjetësinë fizike ndoshta do duhej ti drejtohej Bill Maris, të zgjedhurit nga “Google Ventures” që po merret me zgjidhjen e problemit të përjetësisë ne botë me projektin “Calici”.

Por jo. Ekspertët e Presidentit e dine më mire këtë por mendoj se jo. Ai duket se ka kërkuar zgjidhjen e problemit të përjetësisë në detyrë tej afatit Kushtetues të një antari që qeveriset nga KLGJ. Ky është një problem teknik i krijuar artificialisht dhe që çdo fëmijë që ka mbaruar klasën e parë, pasi ka mësuar të lexojë e zgjidh shumë shpejt pasi e ka të thjeshtë të mendojë se nënta mbaron sapo vjen dhjeta dhe se 16-ta është shumë me madhe se 9-ta.

Kaq. E thjeshtë. Dhe këtë problem kaq të thjeshtë duhet ta zgjidhë Qeveria e gjyqësorit se për këtë u krijua dhe u kërkua nga 99% e shqiptarëve. Askush tjetër. Nëse nuk e zgjidhin nuk është se nuk e dinë, nuk e kuptojnë, por se nuk e duan ose nuk i lejnë që ta zgjidhin. Dhe ky pastaj është precedent, e rikthehemi sërish në pikën zero. Institucionet e reja të drejtësisë u krijuan për të zgjidhur problemet në sistemin e drejtësise dhe jo për tu fshehur pas tyre, deri në përjetësi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco