Borderoja e turpit

Borderoja e turpit

19:02, 30/04/2020

Nga Red Varaku -

Zbulimi nëpër bordero i emrave që paguhen pa u paraqitur asnjë ditë në punë, është një fenomen kapilar për këtë qeveri.

Dihet që të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore janë të tejmbushura me raste të tilla .

Ato janë kthyer në qendra shpërblimi për militantët dhe fanatikët e partisë, të cilët jo vetëm nuk bëjnë asgjë, por nuk paraqiten asnjë ditë në punë, përveç ditës kur i duhet të rinovojnë kontratat e punës.

Deri këtu nuk asgjë të re, sepse këto këneta ku vegjetojnë dhe majmen parazitë të tillë, i njohim të gjithë shumë mirë dhe i hasim kudo.

Punësimi me një rrogë në shtet, si shpërblim për kontributin ndaj partisë, është një model i zakonshëm për qytetarët e rëndomtë të këtij vendi.

Kjo për faktin e thjeshtë se për këtë kategori njerëzish të rëndomtë për të cilën flasim, marrja e një rroge në shtet, nuk është thjesht një formë shpërblimi, por është edhe një formë mbijetese.

Trishtimi fillon kur shikon në bordero ujësjellësash-kanalizimesh “gazetarë” të njohur, aq më tepër vajza të reja, që shiten në opinion si modele suksesi, siç është rasti i Mira Kazhanit dhe Bieta Sulos.

Dy gazetareve të lidhura ngushtë me kryeministrin. E para si drejtuese e një portali, që është vënë totalisht në shërbim të kryeministrit dhe e dyta si gruaja e një gazetari shumë afër tij.

Të kesh një pozicionim të qartë politik dhe për këtë të angazhohesh me kontributin tënd në mbështetje të një grupi për të parë të materializuara idetë e tua , jo vetëm nuk ka asgjë të keqe, por është një akt që duhet inkurajuar.

Edhe të marrësh një qëndrim të caktuar në mbështetje të një programi politik, për shkak të pagesës për këtë shërbim, edhe pse nuk është diçka për tu inkurajuar, sërish mund të mos jetë e pëlqyeshme , por nuk është e dënueshme. Fundja çdo njeri vendos vetë se si e shet punën e tij.

Por, të pranosh të marrësh si shpërblim, një rrogë nga borderoja e një ujësjellësi, pa shkuar as një ditë në punë, jo vetëm është një mashtrim që duhet dënuar penalisht, por është një dëshmi e pakundërshtueshme, e degradimit njerëzor dhe e kalbëzimit të shoqërisë.

Në fakt, ushtria e mercenarëve dhe konkubinave në gazetari që i shërbejnë pushtetit, ka kohë që nuk befason më njeri, sepse prej kohësh të gjithë janë kthyer në lehës me pagesë. Por, rasti i fundit tregon që këta lehës, janë kthyer në qenie të rrezikshme dhe të babëzitura, që nuk lënë t’i rrëshkasë asgjë, qoftë edhe një rrogë ujësjellësi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco