Afrim Koçi, murgu laik i përkthimeve magjike-Nga Lavdrim Lita

Afrim Koçi, murgu laik i përkthimeve magjike-Nga Lavdrim Lita

18:38, 26/09/2017
A+ Aa A-

Të jesh përkthyes do të thotë të jesh peng i dy gjuhëve.

Dita e përkthyesit nis herët, në agim, orën kur hesht trafiku dhe telefoni. Dita zgjatet sepse përkthimi është një punë e ngathët. Forca madhore që të pengon të ecësh shpejt është shkrimi. E fuqishme më shumë sesa urgjenca për ta dorëzuar, të skandencës së ditëve të kontratës, të numrin të faqeve “për t'u kthyer” përtej ankthit të përkthyesit. Vetmia e përkthyesit është një kusht i domosdoshëm.

Punohet në heshtje. Në liri të plotë – dhe këtu është e bukura – me kohë dhe hapësirë të bollshme. Përkthyesi i përgjigjet disiplinës për të thyer fjalë nga një gjuhë e panjohur për lexuesin e zakonshëm dhe rikompozuar në një gjuhë të njohur për lexuesin e pazakonshëm. Në mungesë të një orari dhe të një vendi të përshtatshëm, çdo vend, është i mirë. Ndërsa përkthyesi jonë është aq i disiplinuar saqë është i institucionalizuar në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare, ku punon pa orar dhe gjithmonë, pavarësisht kohës dhe hapësirës. I ngjan një murgu mesjetar me disiplinën kanunore “ora et labora”, puno dhe lutu.

Përfytyroni një nga ata murgjit anonim të Umberto Ecos tek romani “Emri i Trëndafilit”, natyrisht pa zhgunin e zi. Murgjit mesjetarë janë ndërmjetësit e panjohur që transportuan në ditën e sotme kulturën e magjike e metafizike latine dhe greke. Ishin të vetmit që kishin shkollimin dhe aftësinë filologjike për të përballuar një angazhimit plot sfida.

Ndërkaq, murgu laik i ditëve të sotme ishte Afrim Koçi, 76 vjeç, përkthyes i mbi 90 titujve, në 40 vjet punë është simbol përkushtimit total ndaj fjalës së shkruar. Zoti Afrimi shkoi sot në botën e mirë, por   çërkthimet e tij nga gjermanishtja në shqip kanë pasuruar bibliotekat tona me xhevahire të letrave si Gëte, Tomas Man, Lev Tolstoi, Elfride Jelineku, kujtimet e Eqerem bej Vlorës, Prosper Merimesë, e shumë e shumë të tjerëve.

Jo shumë i gjatë, me pamjen e një engjëlli, me zërin  e butë, me dijen e pasur Afrim Koçi ishte pjesëtar i plejadës së vyer të ndërmjetësve që kanë trafikuar kulturën perëndimore në libraritë e vendit. Për të përmendur dy vepra madhore, Afrim Koçi ka shqipëruar kujtimet e dijetarit Eqerem bej Vlora dhe Malin Magjik të laureatit nobel për letërsinë Tomas Man.

Merita e Koçit është sjellja në gjuhën amtare të një personazhi të rrallë të letërsisë shqiptare dhe në jetën shqiptare, por njëkohësisht kaq i zakonshëm në Europën e fillim shekullit të XX-të, Eqerem bej Vlora. Ky libër i shkruar në gjermanisht dhe i shqipëruar mjeshtërisht duhet futur patjetër në listën e librave që duhen lexuar nga kushdo që pretendon të njohë historinë e Shqipërisë, dhe është padyshim një nga librat më interesantë autobiografikë të shkruar nga një shqiptar. Në listë për t’u lexuar në gjuhën shqipe është sigurisht romani i ideve: “Mali Magjik” i nobelistit Tomas Man, i shqipëruar nga përkthyesi ynë, që e ka pasur ëndërr dhjetëravjecare ta përkthente siç shkruan në parathënien e tij.

Si do që të jetë, me siguri Afrim Koçi nuk do t’i lexojë sot këto fjalë të thëna për të sepse sot e bëri pushim.  Dje e  gjithmonë ishte duke punuar fort për të sjellë në shqip kryevepra të tjera të letërsisë botërore. Ashtu në heshtje ulej çdo ditë përballë fletës që do të kthejë në anën tjetër. Kjo është ana tjetër e medaljes së një përkthyesi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco