Si ta lexojmë zemërimin e Ndrenikës për ‘festat e pasanikëve’ - Nga Enton Palushi

Si ta lexojmë zemërimin e Ndrenikës për ‘festat e pasanikëve’ - Nga Enton Palushi

10:42, 25/09/2017
A+ Aa A-

“Ylli i kinematografisë shqiptare vdiq edhe nuk iu kushtua vëmendje aq shumë për atë që na bëri të lumtur me rolet e saj, por s’keni faj që ishit të fokusuar tek festat e pasanikëve”.

Ky është një status i shkurtër që postoi online një faqe zyrtare e aktorit Robert Ndrenika.

Ishte një nderim për kolegen e tij, aktoren e ndjerë Hajrie Rondo, e cila u shua në periudhën kur në vend po festoheshin disa prej galave dhe dasmave më të rëndësishme të vitit.

Bëhet fjalë për festën e 20-vjetorit të Opinionit (që disa në mediat sociale e ka cilësuar si dasma e Fevziut) dhe dasmat e komedianit Bes Kallaku me këngëtaren Xhensila Myrtezaj ose martesa e Getoar Selimit me prezantuesen Marina Vjollca.

Këto festa dominuan diskutimet online dhe nuk ka dyshim që ishin ndër lajmet më të lexuara.

Arsyeja e parë është e thjeshtë: Ata janë personazhe të njohur të ekranit dhe kurioziteti për ta është më se normal.

Por ndërsa ata janë persona që fitojnë goxha mirë dhe në mënyrë të rregullt, pyetja që lind është se përse ky shpërthim mllefi ndaj ‘festave të pasanikëve’?

 “Paralel me 20-vjetorin e Opinionit të Fevziut, rastisi edhe 20-vjetori i emisionit të famshëm të BBC-së, “Hard Talk”. Në BBC, nuk pati festë, por vetëm një episod 30 minuta, me gazetarët Tim Sebastian, Sarah Montague, Stephen Sackur dhe Zeinab Badawi, gazetarë të famshëm, të cilët kanë drejtuar ndër vite këtë program. Vetëm në 30 minuta ata e përkujtuan këtë përvjetor”, shkruante gazetari Ylli Rakipi.

Për të kuptuar këtë shpërthim, duhet të kthehemi pas në perëndim të shekullit të 19-të, kur ekonomisti Thorstein Veblen krijoi një term kaq shumë të përdorur deri në ditët tona.

Amerikano-norvegjezi tha se në kapitalizëm, njerëzit e përdorin konsumin për të rënë në sy.

Për këtë arsye, ai tha se ky është “konsum për të spikatur”.

Termi i tij u mor sidomos nga marksistët dhe u përdor si një kritikë ndaj kapitalizmit dhe teprimeve të tij.

Shqipëria është në dekadat e para të këtij fenomeni dhe etja për të rënë në sy është diçka e dukshme.

Në një shkrim mjaft interesant para disa kohësh, pedagogu i UET dhe filozofi Klementin Mile flet për “njerëzit e varfër me para”.

Bëhet fjalë për ata politikanë të korruptuar, të cilët edhe pse kanë para, janë të varfër pasi nuk kanë kujt t’ia tregojnë këtë pasuri.

 “Ai nuk mund të jetojë si i pasur, në sytë e opinionit publik nuk mund të shfaqet me një limuzinë, edhe pse nuk e ka aspak problem ta blejë, por me mëngët të përveshura çdo ditë, si ato të një punëtori krahu, për t’u përballur me problemet në të mirë të shoqërisë”.

 “Një njeri i tillë, i varfër me para, nuk e ka luksin të jetojë si një aktor apo futbollist i famshëm, që në fakt mund të ketë më pak para se ai vetë. Aktori dhe futbollisti nuk i fshehin paratë e tyre, përkundrazi, në çdo rast që u jepet i demonstrojnë. Dhe prandaj janë të pasur. Një njeri i tillë, i varfër me para, ka vetëm një zgjidhje: ai duhet të izolohet me rrethin e tij të ngushtë dhe të besuar të njerëzve brenda një territori vilash private, pra në komunitetin e të varfërve me para, dhe vetëm aty, larg syve të publikut, mund t’ua komunikojë pasurinë e vet të tjerëve, që, nga ana e tyre, bëjnë të njëjtën gjë para syve të tij. Zgjidhja, pra, është po ajo e dikurshmja, kur udhëheqësit komunistë e izoluan veten nga populli i tyre në vilat e Bllokut”, shkruan Mile.

Nuk është e rastësishme se nëse je ndjekës i mediave angleze, do e kuptosh se tashmë dasmat më luksoze e më pompoze bëhen nga pasanikët e rinj, që vijnë nga ish-vendet komuniste.

Fjala bie, para dy ditësh kryeartikull i tabloidëve kokëkuqe britanike ishte dasma superluksoze e djalit të një miliarderi armen.

Një komentues shprehej me humor se në Lindje akoma nuk e kanë kuptuar mirë batutën e Groucho Marx se “martesa është një institucion i mrekullueshëm, por askush nuk do të jetojë në një institucion”.

Por nëse mendojmë se ‘konsumi për të spikatur’ është diçka e gabuar, atëherë thjesht nuk e kemi kuptuar se konsumi është thelbi i këtij sistemi.

Nëse ju bezdisin këto festa të mëdha, mendoni se ato janë pjesë e një motori që vë në lëvizje pasurimin e të gjithëve.

Mendoni për pak momente për ata njerëz që në mënyrë direkte dhe indirekte kanë përfituar të ardhura nga kjo shfaqje e pasurisë.

Ajo që po përjeton Shqipëria është presioni që do vijë duke u shtuar, sidomos në kohën kur hendeku i pabarazisë mbetet debat i ditës.

Aq i ndjeshëm është ky presion në Perëndim, sa ardhja në pushtet e Donald Trump u cilësua si një lajm i mirë pasi do kishim një president që e pëlqen konsumin për t’u dukur (kujtoni këto efektin e krahasimit të avionit të tij privat me avionin “Air Force One”).

Jo më kot sapo ai hapi dyert e rezidencës së tij, mediat e majta e kritikuan duke thënë se ai stil jetese, mbuluar me mobilie e bizhuteri floriri, është i tejkaluar.

Ky presion ‘egalitarist’ i ka dhënë disi ‘frytet’ e tij.

Para disa kohësh, televizioni franko-gjerman Arte përgatiste një reportazh duke krahasuar stilin e jetesës së një biznesmeni shqiptar me atë të një biznesmeni perëndimor, ku dukshëm bie në sy dëshira për t’u dukur e shqiptarit.

Ndërsa së fundmi, një libër i sociologes amerikane Rachel Sherman po dominon në lajmet e mediave të njohura.

 “Rruga e trazuar” është një libër bazuar mbi rrëfimet e njerëzve më të pasur në Nju Jork.

Ata jo vetëm që nuk duan ta ekspozojnë pasurinë, por edhe kanë turp.

Njëra prej tyre thotë se e heq etiketën e bukës 6-dollarëshe që të mos ia shohë dadoja.

Një tjetër, e pyetur për financat e saj, thotë: “Oh Zot i madh, askush nuk e bën këtë pyetje. Është sikur të pyesësh a masturbon?”

Sipas Sherman, tashmë thelbi i të qenit i pasur është jo vetëm që të justifikosh pasurinë tënde, por duhet të justifikosh të gjithë sistemin ekonomik.

Që të mos shkojmë shpejt te kjo pikë, do ishte mirë që të mos na bënin shumë përshtypje ‘festat e pasanikëve’, por të festojmë faktin se po shpenzojnë.

Sa më shumë!

/Mapo

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco